Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton dëshmon edhe një herë se është mjeshtër i oratorisë

Ruben Avxhiu

 

Ish-presidenti Bill Clinton e mbajti sallën me mijëra vetë në pëllëmbë të dorës mbrëmë, në Kuvendin Demokrat, në Philadelphia.
Vetëm një mjeshtër i oratorisë si ai mundet që me të njëjtat fjalë të ftojë që të votojnë për Hillary Clinton, si votuesit e të majtës që donin Bernie Sanders, ashtu edhe ata të pavarur e të djathtë që mund të joshen nga Donald Trump.
Jo më kot historia e tij filloi që në bangat e shkollës kur është njohur për herë të parë me Hillary Clinton. Kur me droje e ftoi që të shëtisnin bashkë deri në Fakultetin e Arteve dhe që nga ai moment “nuk kemi rreshtur së ecuri, së foluri e së qeshuri bashkë, deri sot e kësaj dite”.
Historia e rinisë së Hillary Clinton është si historia e shumë të rinjve sot të cilëve ajo nuk u duket aq radikale e revolucionare sa duhet. Po ajo në moshën e tyre ndërpreu shkollën për të ndihmuar fëmijët pa prindër që të gjenin strehë e vatër familjare. Ndihmoi që në shkollat e përbashkëta të pranoheshin fëmijët zezakë e shumë kauza të tjera liberale të kohës.
Këta të rinj që sot duan më shumë, pak ia dinë paraardhëses së tyre për kontekstin në të cilin debatojnë sot.
Ata nuk janë të vetmit që dyshojnë të Hillary Clinton. Si asnjëherë këtë vit, që të dy kandidatët presidencialë kanë probleme besimi. Për fatin e mirë të Hillary Clinton, Donald Trump është po aq pak i besuar sa ajo.
Po Bill Clinton është njeriu që më së shumti e njeh nga afër. Dëshmia e tij është ajo e njeriut më të informuar. Dhe nëse ka një njeri që di të dëshmojë bukur, ai është presidenti i Shteteve të Bashkuara, i viteteve 1993-2001.
Nuk kanë qenë kurrë thjesht të martuar. Kanë qenë shokët më të ngushtë dhe bashkëpunëtorë të pandalshëm në politikë.
“Nëse do të ishit ulur aty ku ulem unë dhe do ta dëgjonit bisedën e çdo darke,,, në çdo shëtitje të gjatë, do të thonit se kjo grua nuk është kënaqur kurrë me asnjë lloj status-kuo”, tha ai. “Gjithmoë dëshiron ta çopin topin përpara. Është natyra e saj”.
Ish-presidenti e përshkroi si tramsformuesen më të madhe që ka njohur në jetën e vet. Kjo nuk është pa rëndësi. Donald Trump dhe Bernie Sanders patën kaq shumë sukses, pikërisht sepse miliona vetë në SHBA duan një ndryshim rrënjësor në politikë, ndonëse nuk janë të bashkuar në atë që imagjinojnë si ndryshim. Në krahasim me këta, Hillary shihet më shumë si një figurë që përfaqëson të zakonshmen në politikën amerikane.
hillbillPo ai vuri theksin aty ku duhej. “Këto fjalime janë lehtë dhe kënaqësi të mbahen. E vështirë është të bësh punën. Madje e mërzitshme”, tha ai.
Pikërisht aty në fakt shkëlqen Hillary Clinton. Ajo ka kufizime në fushata zgjedhore priret që të sqarojë me detaje të kujdesshme planet e saj për ndryshime, ndërkohë që miliona njerëz preferojnë kandidatë që i zbavisin, ose që u ofrojnë premtime bombastike.
Presidenti Clinton nga ana tjetër dëshmoi për përgatitjen e saj të jashtëzakonshme. Rrallë ndonjë kandidat tjetër presidencial ka qenë kq shumë i informuar për politikën e jashtme dhe të brendshme e mund të flasë për detaje mbi to.
Ai i ftoi amerikanët ta injorojnë karikaturën e saj të vizatuar nga propaganda republikane që synon ta përbaltë se trembet prej saj. Ai i ftoi që të votojnë për Hillary Clinton e vërtetë, atë të cilën Demokratët e kishin kurorëzuar pak orë më parë si kandidaten e tyre zyrtare për Presidente të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Ajo është gruaja e parë që fiton emërimin si kandidate e një prej dy partive kryesore amerikane.
Ish-presidenti nuk la asnjë jashtë ftesës së tij. Edhe minatorët në West Virginia që të nervozuar me pikëpamjet e saj për qymyrgurin e dëmshëm dhe nevojën për të mbyllur minierat që e nxjerrin.
“Ajo më dërgoi në West Virginia edhe pse e dinte që do të humbte aty dhe më tha që t’i shoh në sy minatorët e t’u them, nëse kujtoni vërtet se ekonomia do të shkojë ku ka qenë 50 vjet më parë, në rregull, votoni për kë të doni. Po nëse fiton, ajo do të kthehet këtu për ju që t’ju marrë me vete në udhëtimin drejt të ardhmes së Amerikës”, tha ai, mes duartrokitjeve të forta.
Mesazhi i tij gjithëpërfshirës bëri kontrastin më të madh me Donald Trump kur foli për myslimanët.
Kandidati republikan ka kërcënuar me ndalim hyrje në SHBA, me deportim etj. Clinton kishte një refren tjetër mbrëmë: “Nëse je mysliman dhe e do Amerikën dhe lirinë dhe nëse e urren terrorin, atëhere qendroni këtu dhe na ndihmoni të fitojmë e të ndërtojmë një të ardhme së bashku. Ne ju duam!”
Presidenti Bill Clinton u premtoi amerikanëve se nëse zgjedhin Hillary Clinton për president, fëmijët dhe nipërit e mbesat e tyre do t’ju bekojnë për zgjedhjet që bëtë. Sepse siç u shpreh ai, Amerika nuk parë kurrë nga e kaluara por vetëm nga e nesërmja. (Ruben Avxhiu)

Please follow and like us: