Mustafa, ndjesë pastë, të cilin e thërrisnim Mujë, ishte kushëriri ynë. Në vitin 1980 shkoi në Stamboll për të vizituar motrën e tij. Familja e saj ishte larguar në dimrin e rëndë të vitit 1956 nga mizoritë e tiranit serb Aleksandar Rankoviq, shef i Ministrisë së Brendshme në Federatën jugosllave. Muja shkoi për vizitë një javëshe te motra, por mbet i ngujuar tre javë në Stamboll. Shefi i Shtabit të Ushtrisë turke, gjenerali Kenan Evren organizoi puç ushtarak. Dy vjet më vonë u zgjodh president i Turqisë, të cilën e udhëhoqi deri në vitin 1989.

Muja fliste me pasion sa herë rrëfente për puçin ushtarak të gjeneralit Evren. I kishte lënë mbresë disiplina e hekurt e Ushtrisë turke. “Bac bre, ushtri ma t’fortë s’kam pa. Në 7:32 dakika ishte koha kur askerët e sillnin bukën për familjen. Asnjëherë nuk u vonojshin as edhe një dakik. E fortë asht Turkia!”, përfundonte rrëfimin ai.

Para puçit ushtarak të vitit 1980, ndodhi një tjetër puç në Turqi në maj të vitit 1960. Ky i fundit në korrik të këtij viti i pesti me radhë, dëshmon se në Turqi puçet ushtarake janë shndërruar në precedent për ndërrim pushtetesh. Puçi i fundit dallon shumë nga të tjerët për dy fakte.

Në festën e fundit të Fitër Bajramit, presidenti turk Recep Tayp Erdogan provokoi botën e qytetëruar. Lejoi thirrjen e ezanit në Aja Sofia, të cilin në vitin 1928, presidenti më i autoritetshëm në historinë e Turqisë, Mustafa Kemal Ataturk, me dekret e shndërroi në muze për gjithë vizitorët e botës. Ishte shenja e parë se Republika e Turqisë, nga një shtet laik po rrëshqiste drejt një shteti islamik. Së dyti, puçi ushtarak doli të jetë projekt i vet presidentit Erdogan, për të konsoliduar sistemin presidencial në Turqi dhe për të mbetur shef i saj për aq sa dëshiron ai.

Recep Tayp Erdogan i bëri hesapet pa hanxhiun dhe ka shenja të një paranojaku si gjithë diktatorët e botës. Shefi i Sovjetit Suprem, Josif Stalin, spastronte radhët e Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik dhe radhët e Ushtrisë së Kuqe derisa vdiq në vitin 1953. Ekzekutoi rreth 20 milionë intelektualë, ushtarakë e qytetarë të pafajshëm. Modelin e spastrimit nga Stalini, duke e modifikuar edhe me atë të diktatorit kinez, Mao Ce Dun, e kopjoi edhe diktatori shqiptar Enver Hoxha.

Jo vetëm Byronë Politike dhe Partinë e Punës, por edhe Ushtrinë shqiptare e spastronte çdo pesë vjet, duke burgosur dhe ekzekutuar dhjetëra gjeneralë, përfshirë këtu edhe ministrin e Mbrojtjes, gjeneralin fatkeq Beqir Balluku në vitin 1974, me pretekst të organizimit të një grupi puçist. Hoxha vuante nga paranoja, prandaj nisi t’i ndërtonte pararojat. Brenda dy dekadave në Shqipërinë komuniste u ngritën rreth 600 mijë bunkerë, vlera e të cilëve po të ndryshohej në mirëqenie të shqiptarëve, do të ishte rreth 250 mijë apartamente banimi.
Puçin e 15 korrikut të këtij viti në Turqi, pavarësisht se e organizuan ushtarakët me origjinë shqiptare, të cilët u përdorën si “kokë turku”, apo vet presidenti Erdogan, do të sjellë pasoja të pariparueshme për popullin turk dhe Turqinë. Vala e arrestimit të ushtarakëve dhe shefave të Policisë, pastaj i prokurorëve e gjykatësve, profesorëve universitarë e kundërshtarëve politikë dhe krejt në fund edhe arrestimet e gazetarëve, janë shenja të këqija për presidentin Erdogan dhe Turqinë.

Veprimet e tij, çdo ditë prodhojnë miliona kundërshtarë politikë, të cilët në një të ardhme të afërt zor se do t’i bëj zap. Përdorimi i aparatit të dhunës për të futur frikë te kundërshtarët politikë, veçse do të nxisë dhunë e terror. Kundërefekti mund të jep efekt fatal për Perandorinë e dikurshme që tundonte popuj e shkelte kontinente. Erdogan për të mbetur në pushtet, pretendon të riorganizojë ushtri, polici, gjyqësi e media njëpartiake. Erdogan më saktë pretendon të ndërtojë piramidën e një diktature të disejnuar me elemente të Perandorisë Osmane.

Veprimet e presidentit turk mund t’i prodhojnë dy situata të reja në Turqi. Një puç të vërtetë ushtarak, kësaj radhe me ushtarakë turq, ose të provokojë trazira drejtë një lufte qytetare.

Republika e Turqisë ka kapërcyer situata të rënda politike nga fillimi i viteve gjashtëdhjetë e deri sot. Askush më mirë se shkrimtari dhe nobelisti turk, Orhan Pamuk, nuk e përshkruan këtë epokë të zymtë në librat e tij. Kundërshtimet politike në Turqinë e kësaj kohe ishin aq të ashpra, sa prodhuan konflikte edhe brenda familjeve midis kampit politik të Demirelit djathtist dhe Exhevitit majtist. Brenda familjeve jo rrallë shpërthenin shkëmbime grushtash e fluturime tavllash, derisa për gjeneralin Kenan Evren i vendosur për të mbrojtur rendin e Kushtetutën, nisi të qarkullonte një barsoletë. “Për t’u mos u hidhëruar asnjëra palë, kur e varja një majtist, e varja edhe një djathtist nga kampi tjetër”! Në puçin ushtarak të vitit 1980 janë vrarë shumë qytetarë të pafajshëm.

Edhe ‘armiqt e jashtëm”, të presidentit Erdogan nuk do të qëndrojnë duarkryq. Shpifjet kundër tyre mund të shndërrohen në realitet kundër tij. Po, derisa Turqia ka pozitë të rëndësishme gjeostrategjike që ndan Evropën me Azinë.