Portali Telegrafi.com, platforma në Maqedoni, është shpallur si portali më transparent në këtë vend. Kështu thuhet në analizën e ”Shërbimit për verifikimin e fakteve në media”, që është pjesë e projektit të USAID-it për forcimin e mediumeve në Maqedoni.

“Analiza është bazuar në hulumtim të të dhënave që janë publikisht të botuara në 15 portale nga vendi. Qëllimi i analizës është të identifikohet se sa mundësojnë portalet përgjegjësi konkrete për veprat që i publikojnë, si dhe të vlerësohet transparenca dhe besueshmëria e tyre në bazë të informatave të publikuara për redaksitë dhe autorët ne ueb faqet e tyre. Analiza nuk përfshin të dhëna institucionale, e as matje të detajuara kuantitative”, thuhet në analizën e publikuar nga gazetari Adrian Kerimi.

Telegrafi.com vlerësohet si më transparent në pjesën ku lajmet publikohen me autorë, me emër dhe mbiemër të gazetarit, i cili e punon lajmin.