Albspirit

Media/News/Publishing

Turqia kërkon ndëshkimin e gazetarit në Kosovë për shkak të komenteve në facebook


Ambasada turke në Prishtinë i ka kërkuar qeverisë së Kosovës të ndëshkojë gazetarin Berat Buzhala për shkak të komenteve në rrjetin social, Facebook, në kohën e përpjekjes për grusht shteti në Turqi.

Në një letër që u publikua të martën nga agjencia e lajmeve Reuters, ambasada turke i shkruante ministrisë së Jashtme të Kosovës për ta informuar se “pronari dhe drejtori i përgjithshëm i portalit Gazeta Express, Berat Buzhala, më 15 korrik derisa vinin lajme për përpjekjet për grusht shtet në Turqi, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që ndodhen në Turqi, të vihen në anën e grupit që bëri përpjekje për grusht shteti”.

Ambasada i referohet një statusi ironik të zotit Buzhala në facebook në të cilin thuhej se “i ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës që janë me pushime në Turqi të rreshtohen me ushtrinë”.

Ambasada turke ka nënvizuar ligjin për parandalimin e përfshirjes së qytetarëve të Kosovës në luftërat e huaja të miratuar në mars të vitit 2015, si rrugën e ndëshkimit të zotit Buzhala.

Gazetari Buzhala tha se nuk është informuar për kërkesën, por “është e papërfytyrueshme që një qeveri e huaj bën një kërkesë të tillë për shkak të disa komenteve satirike.”

Kjo tha ai, dëshmon “arrogancën e qeverisë turke ndaj vendeve të vogla si Kosova, duke dashur që pas nënshtrimit ekonomik, ta nënshtroj edhe politikisht”.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës e cilësoi “shkelje të rëndë kërkesën e ambasadës turke.

“Rikujtojmë ambasadën turke se gazetarët në Kosovë e kanë të drejtën e lirisë së fjalës e cila nuk guxon të rrezikohet nga askush pasi është e drejt e garantuar me ligjet dhe Kushtetutën e vendit”, thuhet në reagim në të cilin i kërkohet ambasadës “që në afat sa më të shpejt të kërkojë falje për këtë veprim skandaloz, ndërkohë që po ashtu kërkojmë largimin nga Kosova të Ambasadores së Turqisë Kivilcim Kiliç. Një ambasadore që bën thirrje për arrestimin dhe dënimin e gazetarëve është e papranueshme për komunitetin tonë”, thuhet në reagim.

Përpjekja për grusht shteti më 15 korrik në Turqi, bëri që autoritetet turke të ndërmarrin një fushatë arrestimesh në shkallë të gjerë dhe të shtojnë trysninë edhe jashtë Turqisë duke kërkuar dorëzimin e rivalit politik të presidentit Recep Tayyip Erdogan, Fethullah Gulen, i cili akuzohet për nxitje të grusht shtetit.

Autoritetet në Kosovë mohuan të kenë marrë ndonjë kërkesë për mbylljen e shkollave private të udhëhequra nga Fethullah Guleni, ndërsa në kohën e trazirave ishin vënë në mbështetje të “rendit kushtetues të Turqisë”.

Ministri e Jashtme e Kosovës nuk ka komentuar letrën e ambasadës turke.

Please follow and like us: