Albspirit

Media/News/Publishing

Universitetet, datat e aplikimeve për raundin e parë dhe të dytë. Ja kushtet  

 

 

Ministria e Arsimit dhe Sportit ka miratuar udhëzimin për pranimet në ciklin e parë të studimeve për vitin e ri akademik 2016-2017. Agjencia Kombëtare e Provimeve ngarkohet që brenda datës 16 gusht t’u dërgojë universiteteve listat e aplikuesve për çdo program studimi, dhe më pas ato të bëjnë shpalljen e studentëve fitues në datën 5 shtator 2016. Pranimet në universitet edhe këtë vit do të jenë me dy raunde, duke u dhënë një shans të dytë edhe maturantëve të cilët do të kalojnë me sukses provimet në vjeshtë që të aplikojnë në universitet.

Pasi, raundi i dytë i aplikimeve do të bëhet në fund të muajit shtator, pikërisht në datat 23 shtator-1 tetor 2016. Në udhëzimin e MAS-it përcaktohen datat se kur do shpallen fituesit si dhe datat e regjistrimit, të cilat këtë vit për shkak të procedurave të reja do të zgjasin deri në mesin e muajit tetor. “Gazeta Shqiptare” zbardh të plotë udhëzimin e MAS-it, ku të interesuarit mund të gjejnë hapat dhe procedurat e aplikimit. Në këtë udhëzim përcaktohet edhe periudha se kur do zhvillohet konkursi i pranimit në ato universitete që i kanë si kusht, siç janë Universiteti i Arteve dhe ai i Sporteve. Konkurset do zhvillohen në periudhën 20-30 gusht.

RAUNDI I, APLIKIMI & KUSHTET

Të gjithë kandidatët, për ndjekjen e studimeve në universitetet publike dhe private, në ciklin e parë të studimeve Bachelor, duhet të kryejnë procesin e aplikimit online në portalin e Maturës Shtetërore. Të drejtën të aplikojnë e kanë kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm të lartë, janë pajisur me dokumentacionin ligjor të këtij niveli arsimor, nuk rezultojnë të regjistruar në asnjë program studimi, në universitetet publike apo private, plotësojnë kushtin e notës mesatare 6 të përcaktuar nga Këshilli i Ministrave, si dhe kriteret e vendosura nga universitetet publike dhe private për programet e studimit për të cilat aplikojnë.

Në udhëzimin e MAS-it, përcaktohet se maturantët përpara se të bëjnë aplikimin në portalin e maturës, duhet të kryejnë pagesën e tarifës së aplikimit në vlerën 2.000 lekë, në zyrat e postës apo në bankat e nivelit të dytë në llogari të AKP-së. Maturantët mandatin e pagesës së tarifës së aplikimit e dorëzojnë në shkollat ku kanë kryer plotësimin e Formularit A1/A1Z. Vetëm pas dorëzimit të këtij mandati pagese, sekretaritë e shkollave hedhin në sistem notën mesatare për pranimin e maturantëve në ciklin e parë të studimeve. Afati i fundit është data 10 gusht 2016. Kriteri i notës mesatare 6, nuk është kusht vetëm për ata kandidatë që do të aplikojnë në programet dyvjeçare me karakter profesional.

“Të gjithë kandidatët që duan të ndjekin studimet në institucionet e arsimit të lartë, përfshirë edhe kandidatët që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, pas pagesës së tarifës së aplikimit dhe hedhjes në sistem të notës mesatare, do të aplikojnë në Portalin e Maturës Shtetërore, nëpërmjet formularit të aplikimit, për çdo DAR/ZA sipas kalendarit të mëposhtëm, në datat 01-11 gusht 2016”, përcaktohet në udhëzim.

Aplikimi nëpërmjet formularit të aplikimit në Portalin e Maturës Shtetërore, kryhet në cilindo mjedis që ka akses interneti. Kandidatët hyjnë në portal me kredencialet e tyre: ID-ja e kandidatit; emri, atësia, mbiemri; karta e identitetit; e-maili i kandidatit etj., duke zgjedhur deri në 10 programe studimi nga lista e programeve të studimit që ofrohen nga 34 universitetet publike dhe jopublike, për vitin 2016-2017. Sistemi i Portalit të Maturës Shtetërore nuk do të pranojë aplikime nga kandidatë të cilët nuk plotësojnë kriterin e notës mesatare, të përcaktuar me vendim nga Këshilli i Ministrave, si dhe

kriteret specifike të përcaktuara nga universitetet. P.sh., nëse një kandidat e ka notën mesatare të gjimnazit më të vogël se 8.5, sistemi nuk i lejon atij aplikimin në programet e studimit si Mjekësi e Përgjithshme, Stomatologjia apo Farmaci në Universitetin e Mjekësisë. /GSH


aplikimet datat (1)
aplikimet datat (2)

SHPËRNDAJE NË:
Please follow and like us: