Albspirit

Media/News/Publishing

Çfarë e ushqen ekstremizmin dhe kush përfiton më së shumti prej tij?

 

Milazim KRASNIQI

Jehona e debateve
Islami nuk mund të shndërrohet në parti, rrjedhimisht as në politikë. Thjesht, kjo është e pamundur, sepse universaliteti i proklamuar në Shpallje nuk mund të përkthehet kurrsesi në ndonjë doktrinë politike lokale, me synimin e marrjes së pushtetit. Kudo ku ky manipulim ndodh, është manipulim me fenë për qëllime thjesht politike
Parandalimi i ekstremizmit të dhunshëm dhe radikalizmit e, më tutje, terrorizmit, do të duhej të kishte njëfarë ngjashmërie me metodologjinë, e cila ka të bëjë me imunizimin ndaj agjensëve të sëmundjeve infektive. Pra, imunizimi i popullsisë ndaj këtyre agjensëve agresivë duhet të planifikohet e të zbatohet nga institucionet, në bashkërendim me shoqërinë, duke përdorur mjete adekuate, nëse dëshirohet që të ketë sukses të plotë për çrrënjosjen e tyre. Për suksesin e këtij parandalimi, fillimisht duhet të aftësohen institucionet shtetërore, që ta bëjnë ndërgjegjësimin e popullsisë mbi rëndësinë e këtij projekti dhe pastaj ta realizojnë bashkërisht. Por, përgjegjësia parësore mbetet e institucioneve shtetërore. Mjete më efikase që mund të përdoren nga institucionet për ndërgjegjësimin e popullsisë për rrezikun që shkakton ekstremizmi i dhunshëm dhe radikalizmi, janë mediet, arsimi publik, vlerat kulturore, ideologjia kombëtare dhe familja, prandaj ato duhet të vihen në funksion të këtij ndërgjegjësimi të përgjithshëm të qytetarëve.
Çfarë duhet të bëjnë mediet?
Mediet në përgjithësi, po mediet publike në mënyrë të veçantë, nuk e kanë vetëm funksionin e informimit për ato ngjarje që ndodhin në vend e në botë e që janë të ndërlidhura me ekstremizmin e dhunshëm, por e kanë mision edhe ta edukojnë publikun, duke shënjuar qartë vijën ndarëse ndërmjet lirisë e keqpërdorimit të saj, ndërmjet dialogut si vlerë universale dhe dhunës si antivlerë e përhershme. Mediet duhet të botojnë e transmetojnë edhe storie lidhur me fate njerëzish e familjesh, që kanë qenë viktima të ekstremizmit të dhunshëm, për ta treguar anën e errët dhe çnjerëzore të terrorit. Por, mediet as kur raportojnë për këto tema nuk duhet ta përdorin gjuhën e urrejtjes në raportimet dhe narracionet e veta, sepse gjuha e urrejtjes mund të shkaktojë pasiguri, ankth, frikë e neveri te qytetarët e zakonshëm, me çfarë hapet rreziku i tjetërsimit të tyre nga shoqëria dhe nga kultura e vet, gjë që e shton rrezikun e rrëshqitjes së tyre drejt ideologjisë ekstremiste. Fatkeqësisht, jo pak medie që participojnë në tregun tonë medial deri sot nuk i janë përmbajtur kësaj linje. Përkundrazi, disa prej tyre i kanë përdorur si pretekst deklaratat ose ngjarjet e ndryshme me elemente ekstremizmi, për ta përthelluar gjuhën e urrejtjes ndaj të gjithë myslimanëve, me theks të veçantë ndaj bashkëkombësve shqiptarë. Disa nga këto medie edhe e kanë rritur reputacionin e vet, pikërisht duke e përshkallëzuar atë gjuhë, duke përhapur etiketime e sulme ndaj besimtarëve paqësorë dhe besimit të tyre. E sigurt është se kjo mënyrë e trajtimit të problemit është një rrugë e gabueshme, sepse ajo prodhon më shumë frustrim, më shumë tjetërsim dhe mund të nxisë edhe pasionin për hakmarrje. Nëse shpresohet se presioni medial islamofobik, duke u bërë presion të gjithë myslimanëve, mund të japë rezultate në Australi ose në Austri, ku ata janë pakicë dhe emigrantë, kjo nuk mund të jetë shpresë reale në Kosovë, ku myslimanët janë shumicë absolute dhe janë autoktonë. Pra, modelet e vendeve të tjera, ku mediet përdoren për presion, në vendin tonë më shumë mund të shkaktojnë dëm sesa dobi. Këtu te ne, pa bashkëpunimin e shumicës absolute shqiptare, që në censusin e vitit 2011 janë deklaruar si myslimanë, nuk mund të arrihet sukses në parandalimin e së keqes, me presione keqdashëse mediatike mbi atë shumicë. Bile, ka rrezik të ndodhë efekt i kundërt, që me kohë ajo shumicë të shkëputet nga këto medie dhe atëherë t’i ekspozohet edhe më shumë rrezikut të ideve ekstremiste, gjë që në botën e sotme të globalizuar dhe medialisht të rrjetëzuar në mënyrë kapilare, është lehtësisht e realizueshme. Në këtë kontekst, mediet tona duhet ta mësojnë në të ardhmen leksionin themelor: kur flitet për besimin fetar, nuk duhet të mendohet se po flitet për ndonjë kontratë sociale mes palësh. Mediet dhe gazetarët duhet ta respektojnë faktin që besimi fetar ka të bëjë me ndërgjegjen e njeriut, pra me një mënyrë specifike të të kuptuarit dhe të të organizuarit të jetës shpirtërore. Mediet nuk duhet t’i mashtrojë iluzioni se gjoja me presionet e tyre mund t’i detyrojnë njerëzit besimtarë që ta braktisin besimin e tyre. Kjo thjesht nuk është e mundshme. Edhe përvojat më brutale nga vendet tiranike e diktatoriale në botën e sotme arabe, si Egjipti, Siria, Iraku, Algjeria, Libia e të tjera, dëshmojnë se aty ku ka pasur më shumë presion e terror ndaj besimtarëve, ka lindur ekstremizmi i dhunshëm dhe ka eksploduar edhe terrorizmi. Pra, jo vetëm mediet neoliberale, të flashkëta e jokonsekuente si këto tonat, po as aparati më brutal i shteteve tiranike e diktatoriale, nuk mund ta çrrënjosë besimin fetar nga ndërgjegjja e besimtarit. Bile, sa më shumë që i bëhet presion, ka rrezik që ai rrëshqet drejt fanatizmit.
Fatmirësisht, shoqëria dhe kultura jonë kombëtare nuk kanë asnjë ngjashmëri me vendet e tilla arabe, prandaj edhe rreziku i shfaqjes së dukurive të tilla nuk duket në horizont, por gjithsesi duhet të mbahet shënim, në kontekstin e projekteve imunizuese e parandaluese të ekstremizmit të dhunshëm në shtetin, në shoqërinë e në kombin tonë.
Kriza e arsimit dhe identiteti nacional në krizë
Sa i përket arsimit publik, kjo është një ndërmarrje më e lehtë, pasi është në duart e shtetit. Pra, mjafton vullneti politik i objektivizuar në një kornizë adekuate ligjore, që arsimi publik të jetë në shërbim të promovimit të paqes, tolerancës, demokracisë, humanizmit, multikulturalizmit përkatësisht të parandalimit të ekstremizmit dhe radikalizmit. Fatkeqësisht, arsimi ynë publik i deritashëm, nuk i plotëson këto synime, për shkak të statusit inferior që ka shkolla në shoqërinë tonë të re, për shkak të mospërgatitjes së duhur të mësimdhënësve për realitetet e reja dhe për shkak të librave joadekuat. Në këtë kontekst, jam i bindur se një lëndë fakultative e edukimit fetar në shkollat tona publike, me programe të miratuara nga organet shtetërore dhe me mësimdhënës të rregullt të shkollave, do të kontribuonte për përmirësimin e kësaj gjendjeje. Fatkeqësisht, këtë ide e komprometuan në vitet e shkuara disa struktura islamokratike, të cilat synonin që përmes këtij projekti të fitonin autoritet dhe fuqi politike. Por, tash që ata kanë dështuar, shteti mund ta marrë iniciativën vetë dhe ta realizojë në mënyrë strikte brenda standardeve që vlejnë në shtetet anëtare të Bashkimit Evropian.
Njëra nga arsyet e nxitjes së individëve në drejtim të ekstremizmit, më shumë se sa pasioni fetar, është kriza e identitetit kulturor dhe kombëtar. Është pothuajse e pamundur që një individ ose një grup personash, që ka formim të duhur kombëtar e kulturor shqiptar, të shkojë në luftëra të huaja në Siri e kudo tjetër. Është krejt e kundërta: ata që kanë shkuar, krizën e identitetit kulturor e kombëtar kanë ëndërruar ta gjejnë në një kolektivitet tjetër, për të cilin kanë pasur iluzionin se mund t’u japë më shumë mundësi për vetafirmim. Natyrisht, kjo nuk e përjashton as prirjen e individit a të grupit për veprimtari destruktive a kriminale. Por, kriza e identitetit kulturor e kombëtar është prezent në të dyja rastet. Prandaj edhe nën presionin e këtyre rreziqeve, shteti ynë do të duhej të hartonte politika kulturore e arsimore, që e ngrenë ndërgjegjen kombëtare, që i mishërojnë shtetasit me vlerat e kombit dhe kulturës sonë.
Çmoralizimi komunist dhe vazhdimësia neokoloniale
Natyrisht, edhe për parandalimin e ekstremizmit dhe formave të tjera të devijimit socio-patologjik, një nga shtyllat e rëndësishme mbetet familja. Por, në krizën që po e përshkon sot familjen shqiptare, në vorbullin e tranzicionit kaotik dhe të konsumerizmit të shfrenuar, edhe familja do të duhej të ridimensionohej në realitetet e reja të këtij shteti e të kësaj shoqërie të re, që të riaftësohet për ta luajtur rolin e vet stabilizues në shoqëri.
Por, në këtë kontekst ne nuk duhet të harrojmë edhe faktin që periudha e gjatë e komunizmit ka sjellë një shkallë të çmoralizimit të familjes, si edhe të mbarë shoqërisë. Bile Zbigniev Brzhezhinski ka konstatuar se pasoja më e rëndë që ka lënë mbrapa vetes komunizmi, nuk është në sferën ekonomike e politike, por pikërisht në çmoralizimin drastik të familjes e të shoqërisë. Thjesht, shoqëritë komuniste, me ateizmin agresiv, me kolektivizmin e dhunshëm të pronës dhe me degradimin e qëllimshëm të familjes, kanë lënduar shtyllat e jetës morale të njerëzve. Shoqëria jonë ende nuk ka pasur rast të ballafaqohet me pasojat e komunizmit, sepse është duke u marrë me prioritet me pasojat që ka lënë okupimi, spastrimi etnik dhe gjenocidi serb në vitet 1998/1999. Por, pasojat e çmoralizimit komunist nuk janë zhdukur, përkundrazi ato janë të fshehura si pjesa kryesore e ajsbergut. Prandaj, shteti ynë do të duhej të fillonte të ballafaqohej edhe me këto probleme të rënda, që nga dënimi legal i krimeve të komunizmit, hapja e dosjeve të spiunëve, rehabilitimi i viktimave të terrorit komunist e deri te kthimi dhe kompensimi i pronave të marra me përdhunë. Të gjitha këto kanë lidhje edhe me besimin fetar. Pse? Sepse gjatë terrorit komunist është zbatuar një projekt i gjerë për defetarizim. Kjo ka sjellë si pasojë zbehjen e traditave tolerante të interpretimit të besimit fetar ndër muslimanët shqiptarë në vendin tonë dhe në mbarë trojet ku jetojnë shqiptarët. Diskontinuiteti me mësimet tradicionale, që në të kaluarën kanë pasur në themel tolerancën dhe bashkëjetesën paqësore, ka krijuar terren të përshtatshëm për futjen e interpretimeve dogmatike e radikale në vitet e pasçlirimit. Prandaj, duhet të fillojë rehabilitimi i familjes dhe shoqërisë edhe nga pasojat e çmoralizimit komunist, për t’i forcuar familjen dhe shoqërinë për parandalimin e ekstremizmit dhe radikalizmit në rrethanat e reja të familjes e të shoqërisë sonë. Paralelisht me këtë rehabilitim, duhet të fillojë edhe eliminimi i pasojave që ka lënë administrimi i UNMIK-ut në vitet 1999-2008 e bashkë me të edhe Plani i Ahtisarit, i cili ka synuar të krijojë një shtet pa kujtesë dhe një kulturë pa kujtesë (sintagmë e Antony Smithit. ) Synimi që të deshqiptarizohet përmbajta e shtetit tonë, duke e zëvendësuar me multietcitetin imagjinar dhe kozmopolitizmin artificial, ka krijuar një vakum në të cilin gjeneratat e reja të shqiptarëve të Kosovës, në mungesë të identifikimit me ide dhe vlera nacionale shqiptare, lehtësisht mund të përqafojnë idetë e radikalizmit fetar. Pra, forcimi i komponentit nacional shqiptar të shtetit tonë, mund të jetë njëra nga digat më të fuqishme ndaj infiltrimeve të ideve ekstremiste me burim fetar. Benedekt Andersoni jo rastësisht ka ardhur te përfundimi se kombi në njëfarë forme e ka zëvendësuar fenë. Nëse përfundimi tij është i saktë, atëherë rezulton se dobësimi i identifikimit me kombin, mund ta forcojë identifikimin me fenë. Fatkeqësisht, kjo ndodhë në versionin e radikalizmit, sepse kurdoherë që feja përdoret jashtë funksionit të saj, pra jashtë raportit të individit me Zotin, ajo keqpërdoret dhe mund të shfrytëzohet për qëllime tinëzare e madje edhe të errëta. Prandaj, jam kategorikisht kundër të ashtuquajturit islam partiak dhe politik, sepse Islami nuk mund të shndërrohet në parti, rrjedhimisht as në politikë. Thjesht, kjo është e pamundur, sepse universaliteti i proklamuar në Shpallje nuk mund të përkthehet kurrsesi në ndonjë doktrinë politike lokale, me synimin e marrjes së pushtetit. Kudo ku ky manipulim ndodhë, është manipulim me fenë për qëllime thjesht politike. Dështimi katastrofal i të ashtuquajturit Islamit politik në botën arabe në deceniet e fundit është poashtu tregues i këtij manipulimi dhe i pamundësisë që Islami të shndërrohet në doktrinë politike dhe në pushtet politik. Shpjegimin e këtyre fakteve do të duhej ta bënin me argumente fetare e shkencore njohësit e fesë islame dhe dijetarët e shkencave sociale e humanistike në mesin tonë. Natyrisht, kjo është fushë në të cilin kontributi i tyre do të duhej të ishte permanent, e jo vetëm si fushatë. Pse permanent?
Sepse në shoqërinë tonë, për shkak të moshës së re të popullsisë, ndryshimet e perceptimeve mund të jenë të shpejta, për ç’arsye duhet të punohet në mënyrë të vazhdueshme me gjeneratat e reja, që të mos ndodhë rrëshqitja e tyre drejt ekstremizmit dhe radikalizmit.
Kush përfiton më së shumti nga ekstremizmi
Kjo vëmendje duhet të mbetet prore aktive, ngase armiqtë e Kosovës dhe të shqiptarëve, janë jetësisht të interesuar që ta shfrytëzojnë çdo shfaqje ekstremizmi dhe radikalizmi, për t’i ushqyer apetitet e tyre revanshiste kundër Kosovës e kundër shqiptarëve. Në këtë kontekst, interesimin maksimal për ta shfrytëzuar çdo rast ekstremizmi të dhunshëm dhe radikalizmi të shqiptarëve, e kanë shprehur edhe Rusia e Serbia. Në doktrinën ruso-serbe për rikthimin e sundimit mbi Kosovën pas ndryshimeve gjeopolitike që ata ëndërrojnë se do të ndodhin me forcimin e Rusisë e me dobësimin e SHBA-ve dhe NATO-s, llogarisin që ta shfrytëzojnë pikërisht ekstremizmin dhe radikalizmin fetar të shqiptarëve. Në atë rast Serbia do të paraqitej si garant i pacifikimit të ekstremizmit, ndërsa Rusia do ta shfrytëzonte rikthimin e ndikimit serb, për ta rritur ndikimin rus në hapësirat ballkanike. Kjo strategji antishqiptare do të vazhdojë edhe në të ardhmen, ndoshta me intensitet edhe më të shtuar, prandaj kërkohet mobilizim edhe më i madh jo vetëm i segmenteve të sigurisë, po i shtetit dhe i mbarë shoqërisë, në parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm. Shteti duhet të fuqizojë mekanizmat e luftimit të veprimeve subversive dhe armiqësore dhe në të njëjtën kohë të sigurojë liritë dhe të drejtat fetare të besimtarëve, në mënyrë që ata të mos ndihen të cenuar nga masat që ndërmerren ndaj keqbërësve. Gjithsesi kjo punë duhet të jetë e koordinuar me aleatët tanë strategjikë, Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe me NATO-n, sepse jashtë ombrellës së tyre, Kosova nuk është e aftë të mbrohet nga infiltrimet e qarqeve të ndryshme ekstremiste nga Lindja e Mesme dhe aq më pak nga provokimet destabilizuese ruso-serbe. Pra, dilema nuk ka: e vetmja ombrellë shpëtimtare për Kosovën dhe për shqiptarët, edhe në këtë kontekst, është ombrella atlantike, si e vetmja forcë e cila e ka larguar influencën ruse nga Kosova dhe cila mund ta mbajë jashtë saj edhe në të ardhmen. Për këtë arsye shteti ynë duhet të ndërtojë institucione mirëfilli demokratike, në pajtim me standardet që vlejnë në botën euroatlantike e të cilat pastaj do të janë të afta që ta parandalojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe radikalizmin me mjete adekuate. Por, edhe ta luftojnë me vendosmëri dhe efikasitet terrorizmin, në çdo rast kur ai shfaqet.
(Tekst i prezantuar në Seminarin “Parandalimi i ekstremizmit dhe radikalizmit të dhunshëm që shpie në terrorizëm”, i organizuar nga OSBE-ja dhe Policia e Kosovës në Prishtinë më 27 qershor 2016)

 

Please follow and like us: