Albspirit

Media/News/Publishing

DEFTERI OSMAN QË FSHEH RININË E SKËNDERBEUT

Defteri1
Kur preku për herë të parë dokumentin e arkivës osmane “Defteri i Sanxhakut Shqiptar” që datonte në vitet 1431-1432, Ferit Duka nuk ishte fort i sigurt se kishte nisur një udhëtim që s’ka mbaruar ende në “errësirën” e shekujve osmanë, pak të njohur dhe ndonjëherë edhe të keqkuptuar. Në atë defter janë gjurmët e një tjetër defteri mbi familjen e Kastriotëve, për të cilin profesori vazhdon të jetë në kërkim, pasi siç thotë ai, do të ishte një dokument që do të zbardhte rininë e hershme të Skënderbeut.

Megjithëse fati i tij si osmanolog ishte vendosur shumë kohë më parë, që kur ai ishte student i vitit të parë i Historisë dhe e caktuan në grupin e mësimit të turqishtes, ky moment do të nxiste historianin që t’ia kushtonte jetën në vazhdim deshifrimit të defterëve, si një hetues që futet në “Pallatin e Ëndrrave”.

“Defteri Osman i Sanxhakut Shqiptar është dokumenti më i vjetër për periudhën osmane të historisë shqiptare i zbuluar deri më tani në arkivat e perandorisë osmane. Këtë dokument me vlera të pallogaritshme e kishte publikuar shumë kohë më parë osmanisti turk me famë botërore Halil Inalcik dhe unë isha njohur me të që në Shqipëri, por për mua është i paharrueshëm momenti kur shkela për herë të parë në Arkivin Osman të Stambollit dhe i shtyrë nga kureshtja e madhe për të kontaktuar vetë me defterin në fjalë, nisa menjëherë kërkimet për të. Mirëpo me të njëjtët tregues arkivorë në katalogun përkatës më rezultonte të ishte “Defteri i Vlorës”. Ndala frymën dhe thashë me vete: e bëra një zbulim të ri në moshë akoma të re, gjeta një defter po kaq të hershëm për Vlorën! Mirëpo entuziazmi nuk zgjati shumë. Kur më erdhi porosia pashë se nën atë emërtim të gabuar që kishte vënë arkivisti, ishte Defteri i Sanxhakut Shqiptar dhe jo ai i Vlorës”, tregon Duka.

Ky dokument vazhdon të jetë një burim nxitjeje për të shkuar më tej, në gjurmët e panjohura të rinisë së Gjergj Kastriotit, Skënderbeut, heroit tonë kombëtar.

“Në këtë defter ka një referim te një tjetër dokument i hershëm i quajtur “defteri i tokave të Gjonit” (është fjala për Gjon Kastriotin, babanë e Skënderbeut), i cili duhet të jetë një “çelës magjik” për të zbardhur enigmat që ende vijojnë të mbulojnë rininë e heroit tonë kombëtar. Kërkimet tona të deritashme për të mjerisht nuk kanë patur sukses, por jemi të bindur që nëse një ditë zbulohet, do të ketë përgjigje të sakta e të plota për pyetjet: a shkoi apo jo Skënderbeu në Edrene, në se shkoi, kur? etj.” -thekson ai.

Defteri2Për profesorin e historisë shekujt e sundimit osman në vendin tonë nuk janë një kohë ku ka vetëm errësirë e moszhvillim, por përkundrazi, janë shekuj gjatë të cilëve, siç tregojnë dokumentet e pafundme në arkivat osmane, ka pasur një dinamikë interesante të zhvillimeve ekonomike e sociale të trevave shqiptare dhe atyre ballkanike.

“Mjafton të përmendim një rast, atë të Beratit, që ka qenë një nga qytetet më të rëndësishme shqiptare të periudhës osmane, për të kuptuar çfarë ndodhte. Ndërsa në vitet 1431-2 Berati kishte vetëm 175 shtëpi, në vitin 1520 numëronte rreth 1000 syresh, kurse më 1583 rreth 1300 shtëpi. Tregtia që zhvillohej në Berat në atë kohë ishte e jashtëzakonshme, kishte zeje dhe mjeshtëri pa fund. Mund të gjeje 7-8 lloje mjalti të prodhuar nga zonat përreth”.

Ferit Duka është profesor në Universitetin Europian të Tiranës, Dekan i Fakultetit të Shkencave Sociale dhe Edukimit dhe vazhdon studimet e tij për periudhën osmane duke bërë gati një tjetër botim në këtë lëmë, këtë herë mbi Gjirokastrën. Ai ishte ndër të parët akademikë që i besoi projektit të ndërtimit të UET, një nga universitetet e para private, duke e drejtuar si rektor në vitin e parë të tij.

Historiani, tashmë i thinjur, e ka zbuluar herët dëshirën e tij për të lexuar dhe kureshtjen për të zbuluar historinë…

Unë i përkas një familjeje të varfër në kohën e komunizmit, por e vendosur për të bërë sakrifica të mëdha për shkollimin tim. Një rol themelor në cilësinë e përgatitjes sime ka Normalja e Elbasanit, ku unë kam e kam mbaruar arsimin e mesëm – një institucion me kërkesa jashtëzakonisht të larta e që farkëtonte nxënës të aftë për të ecur përpara me guxim. Biblioteka e shkollës më ndihmoi të lexoja pa fund, madje edhe literaturë të ndaluar në atë kohë”.

Me zgjedhjen e degës së studimit për Histori ai i çuditi jo pak të tjerët, pasi ishte koha kur nxënësit më të mirë shkonin drejt Fizikës e Matematikës.

I apasionuar me leximin e punimeve të historianëve shqiptarë si Aleks Buda dhe të tjerë, universitetin e nisi me punë autodidakte për të mësuar si fillim, frëngjishten e për të lexuar historianët perëndimorë, pa e ditur se fati i tij si historian do të drejtohej për në Lindje.

“E papritura tek unë erdhi tre muaj pasi kisha filluar shkollën. Na thërret dekani i fakultetit prof. Kristaq Prifti, mua dhe tre studentë të tjerë e na thotë që me porosi të kryetarit të Akademisë së Shkencave, prof. Aleks Buda, grupi ynë do të bënte turqisht në mënyrë intensive në mënyrë që të përgatiteshim si osmanologë, sepse ka nevojë shumë për studimin e historisë së Shqipërisë. Dija që duhej mësuar frëngjishtja, anglishtja, gjermanishtja apo italishtja, por që duhet të mësoja turqisht, kjo nuk më kishte shkuar ndonjëherë në mendje. Më vonë kjo përcaktoi edhe fatet e mia në karrierë”, thotë profesor Duka.

Kështu nisi studimin e osmanishtes, një gjuhë e vdekur tashmë, për ta përdorur më vonë si mashë që të nxirrte në gjallje historinë e palexuar të Shqipërisë nën sundimin osman.

12 orë në javë turqisht, më pas 3 vite për specializim në universitetet e Ankarasë dhe të Stambollit për turkologji dhe osmanologji, i dhanë atëherë djaloshit që synonte të bëhej historian, një përgatitje solide për studimet osmane që do të kryente më vonë. Studimet osmane në vendin tonë ishin dhe janë një nga sektorët më të rëndësishëm të studimit të historisë dhe të kulturës kombëtare sepse janë 5 shekuj histori.

“Studimi i periudhës osmane ndihmon edhe në kuptimin e periudhës para-osmane që është më e varfër në dokumentacion. Studimi i periudhës osmane ndihmon që të kuptohen më mirë edhe dekadat e periudhës pasosmane. Fjala vjen, struktura fetare e popullsisë shqiptare, vjen nga koha osmane. Lëvizja jonë Kombëtare, themelimi i shtetit shqiptar, doli nga periudha osmane. Roli që luajti kultura osmane në gërshetimin e kulturës shqiptare me atë të huaj, etj..”, thekson ai.

Shterimi i periudhës osmane, një mision i pamundur

Pas disa dekadash punë kërkimore Ferit Duka e gjen veten si një fëmijë kurioz në kërkim të zbulimit të botës.

“Asnjëherë nuk mund ta quajmë të shteruar, jemi vetëm në fillimet e studimeve të asaj periudhe. Studimet e mia kanë qenë të orientuara kryesisht në historinë fetare gjatë sundimin osman, në historinë e qytetit shqiptar me të gjitha tiparet e tij në periudhën osmane dhe një drejtim tjetër sigurisht ka qenë njohja e situatës demografike, ekonomike dhe sociale në tërësi në territoret shqiptare gjatë periudhës osmane”, thotë Duka.

Duken jashtëmendsh si të dala nga një botë tjetër dokumentet arkivore që ka në zyrën e tij të shkruara me dorë në gjuhën osmane. Ato janë dokumente që po e ndihmojnë historianin të zbardhë jetën e qytetit të Gjirokastrës në këtë periudhë.

“Do ketë një shikim të zonës në disa aspekte – demografik, ekonomik, fiskal dhe aspekti social. Ky studim do të bëhet duke u mbështetur në burime origjinale osmane të shekujve 15 dhe 16 të marra nga arkivat e Stambollit dhe Ankarasë. Këto të dhëna tashmë ruhen edhe në Arkivin e Shtetit dhe atë të Institutit të Historisë. Pas një marrëveshjeje me Drejtorinë e Përgjithshme të Arkivave të Turqisë, Arkivi ynë i Shtetit siguroi koleksionin e plotë të regjistrave osmanë të shekujve 15-16 për territoret shqiptare”.

Para se Duka të niste rrugëtimin e tij në studimet osmane, ka pasur një brez të vjetër orientalistësh të mësuar në shkolla prestigjioze, si Haki Sharofi, Jonuz Tafili, Myqerem Janina, Andrea Sahatçiu, Vasfi Samimi etj., të cilët kanë studiuar dhe përkthyer mjaft dokumente osmane e për të cilët profesori ka një nderim të veçantë.

Por mesa duket pasardhësit e Ferit Dukës mungojnë ose janë të paktë.

“Sigurisht në Fakultetin e Historisë apo në atë të Gjuhëve të Huaja të UT-së ka një degë Turkologjie, ku bëhet edhe osmanisht. Por sot është një shoqëri e tillë ku fuqia e tregut është e madhe dhe të rinjtë duan stimuj të veçantë nga shteti që të punojnë në këtë fushë. Këtu kërkohen sakrifica të mëdha dhe rezultatet vijnë vonë”, thotë ai.

Shqipëria e shekujve osmanë do të vazhdojë të jetë ende e panjohur sa dhe si duhet, duke pritur në arkivat e pafundme osmane për historianë si Ferit Duka që ta ndriçojnë atë më tej, për të bërë të mundur njohjen më të plotë të historisë së periudhës nga publiku i gjerë.

Zhvillimi i qytetit shqiptar nën sundimin osman

Gjatë punës tuaj të parë kërkimore në arkivat osmane, cilat kanë qenë dokumentet befasuese që vazhdoni t’i keni dhe sot si referime të punës suaj si historian?

Një nga dokumentet më të rëndësishme që kam hasur në atë kohë ka qenë Defteri Osman i regjistrimit të Sanxhakut Shqiptar i vitit 1431-1432. Në arkivin osman të Stambollit ishte i regjistruar gabim, pasi numerikisht ishte i pari, por figuronte me emrin Defteri i Vlorës. U entuziazmova që për Vlorën gjeta një dokument shumë të hershëm, pasi dokumentet për Vlorën fillojnë nga gjysma e dytë e shekullit XV. Kur e mora defterin nga arkivi, konstatova se nuk bëhej fjalë për defter të Vlorës, ashtu siç ishte përshkruar në arkivë, por për defterin e sanxhakut shqiptar, që kishte botuar osmanologu Ali Inalçik. Për këtë u tërhoqa vëmendjen arkivit dhe kjo gjë u ndryshua me vështirësi dhe me pak vonesa.

Më pas, në këtë arkiv kam gjetur dokumente të panjohura më parë, dokumente sidomos të lidhura me aspektet financiare, ekonomike, demografike dhe juridike të shekujve të parë të sundimit osman. Më kanë tërhequr vëmendjen defterë të taksës së xhizjes për rajone të ndryshme të hapësirës shqiptare – defterët e xhizjes së Gjirokastrës, Krujës. Xhizja ishte taksa që shteti osman i vendoste popullsisë jomyslimane në këmbim të mbrojtjes shtetërore. Ajo që më ka bërë entuziast në kërkimet e para është se kam gjetur dokumente të rëndësishme që i përkasin Vlorës së fillimeve të shekullit të XVI. Defterë shumë të rëndësishëm që japin një pasqyrë të gjendjes ekonomike, demografike, administrative të sanxhakut të Vlorës në fillimet e këtij shekulli dhe të dhëna për popullsinë. Kjo më ka ndihmuar të publikoj informacione shumë të rëndësishme për zonën e Dropullit të banuar nga minoriteti grek. Mbi këtë bazë kam formuluar tezën se ajo popullsi, që i banonte ato toka historikisht, ka qenë popullsi shqiptare. Sipas tezës sime, metamorfoza që ka ndodhur më vonë është fakti që kjo popullsi është kthyer në grekofone, në shekujt XVII-XVIII. Rrethanat si dhe pse i takojnë një studimi të ri.

Ku e bazon këtë përfundim?

Në fillimet e sundimit osman kjo popullsi ka qenë shqiptare. Ku duket kjo? Kjo duket p.sh. tek antroponimet (emrat e njerëzve). Atje gjenden në masë emrat karakteristikë shqiptarë si: Gjin, Dedë, Gjon, Progon etj. Por edhe emrat ortodoksë janë të natyrës shqiptare. Këto konkluzione unë i kam prezantuar nëpër konferenca ndërkombëtare, ku kanë ngjallur edhe debate.

Sigurisht që studimet tuaja nuk mund t’i përmbledhim me një paragraf, por a mund të themi se kjo periudhë është në fakt thjesht një periudhë e pastudiuar? A ka pasur jetë qyteti shqiptar gjatë perandorisë osmane?

Ka një tendencë që vërehet në qarqe të caktuara intelektuale, sikur periudha osmane ka qenë një periudhë e errët, ku nuk gjendet asnjë element zhvillimor. Këto çështje ne i kemi verifikuar në mënyrë shkencore dhe unë kam konkluzione të tjera. Kjo është një periudhë shumë e gjatë në historinë e popullit shqiptar. Është një periudhë e mbushur me zhvillime, ngjarje, dukuri dhe procese interesante. Po të nisemi nga aspekti zhvillimor, unë kam konstatuar që në shekullin e dytë të sundimit osman në tokat shqiptare – kjo është vërtetuar me defterë të cilët janë shumë të saktë në pikëpamje të dokumentimit – kemi gjetur që ka një rritje të madhe të qyteteve. Qyteti është indikatori kryesor i zhvillimit të një shoqërie. Fjala vjen nëse Berati, një qytet i rëndësishëm, në vitin 1432, na rezulton me 175 shtëpi, pra gjendje e një fshati të madh, në vitin 1520 në defter të hollësishëm të sanxhakut të Vlorës, Berati na rezulton me rreth 1000 shtëpi. Në vitin 1583, na rezulton me mbi 1200 shtëpi. Kjo dinamikë është interesante. Berati ka qenë qytet tipik përfaqësues. Ku duket tjetër? Te situata ekonomike. Është i pafund numri i zejeve dhe mjeshtërive që funksiononin në qytetin e Beratit. Ka një nomenklaturë të jashtëzakonshme të mallrave që qarkullojnë në tregun e Beratit. Më vonë ne i kemi konstatuar këto, duhet të dini një gjë që në tregun e qytetit të Beratit shiteshin rreth 8 kategori mjalti nga zona të ndryshme. Në atë treg shiteshin rreth 5-6 lloje gjalpi – i tretur, i patretur, nga krahina të ndryshme. Unë këto i kam zbuluar në kohën e komunizmit. Mendoni tani një treg në kohën e komunizmit, sidomos në pjesën e vonë të tij, kur fjala “s’ka” ishte në rend të ditës, unë duhet t’u tregoja kolegëve të mi ato që zbuloja në arkiva. Sistemi kooperativist e rrënoi blegtorinë në komunizëm kurse tufat e blegtorisë që merreshin shqiptarët në kohën osmane ishin të pamata. Ku dukej kjo qartësisht? Në taksën e leshit dhe të deleve që mblidhte administrata osmane. Nëpërmjet këtyre treguesve e llogaritjeve, rrëzohen pikëpamjet që periudha osmane asgjësoi gjithçka dhe Shqipëria u fut në moszhvillim kronik. Si shpjegohet kjo? Kjo shpjegohet me terma të thjeshtë, ne kemi parasysh një gjë që vendoja e administratës osmane, garnizoneve ushtarake osmane nëpër qytete, i dha një dinamikë të fortë zhvillimit sepse rriti shumë kërkesën për mallra. Përballë një kërkese gjithnjë e më të shtuar, u rrit edhe oferta nëpërmjet prodhimit. Shtimi i garnizoneve dhe administratës kërkonte ushqime, artikuj, veshmbathje dhe shumë gjëra të tjera.

Po shkolla dhe shkrimi i gjuhës pse nuk u zhvilluan në këtë kohë?

Për fat të keq osmanët na gjetën ne me disa elementë që mund t’i konsiderojmë si disavantazhe. E para na gjetën pa një kishë kombëtare – më një krishtërim të përçarë sa iu përket qendrave administrative nga vareshin komunitetet e krishtera. Për fat të keq na gjeti pa shtet shqiptar të unifikuar– ju e dini sa rol ka shteti në jetën e një komuniteti. Na gjeti gjithashtu pa gjuhën tonë të shkruar. Natyrisht, gjuha shqipe flitej dhe mbeti gjuhë e folur nga një popull i tërë. Ndalimi i shkrimit të kësaj gjuhe ishte një gabim i rëndë që bënë osmanët ndaj popullit shqiptar, ndaj dhe lufta për gjuhën shqipe në arsim e në kulturë u bë pjesë e rëndësishme e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare të shek. XIX dhe fillimeve të shek. XX.

Rilindasit nuk ishin shkolluar vetëm në Stamboll, por edhe në institucione të tjera në perandori si në gjimnazin e njohur “Zosimea” në Janinë. Shkollimi kryesor u bë në gjuhën turke. Por pastaj, lindja e ndjenjave të atdhedashurisë, njohja me kulturën dhe civilizimin perëndimor, me iluminizmin dhe idetë e Revolucionit Francez, lëvizjeve kombëtare në Evropë në shekullin XIX patën rrezatim të gjerë edhe në hapësirën shqiptare. Kush e thithi këtë nektar që vinte nga këto lëvizje? Pa dyshim shtresa intelektuale shqiptare. Forcimi i ndërgjegjes patriotike bëri që të zhvillohej lufta për shkollën e parë shqipe, për alfabetin shqip, për elementë të tjerë të mëvetësisë dhe vetëdijes shqiptare. Këto elemente jo se nuk ekzistonin në një formë të fjetur dhe embrionale –por këtë embrion, rilindasit e zhvilluan.

Po jeniçerët çfarë kanë qenë?

Jeniçerët kanë qenë pjesë e ushtrisë së organizuar të Perandorisë Osmane – ushtria e kazermës e ndarë në reparte të specializuara. Kjo pjesë e ushtrisë kishte një lloj të jetuari specifik. Jeniçerët kanë qenë të frymëzuar nga doktrina jo sunite e islamit. Më tepër ka pasur strehë bektashizmi në korpusin e jeniçerëve dhe protektorët shpirtërorë të jeniçerëve kanë qenë nga shenjtorët bektashianë. Korpusi i jeniçerëve edhe pse ishte bërthama elitare e ushtrisë osmane, më vonë, filloi të kthehet në problematik për shtetin osman. Kishte një ndarje midis islamit suni që ishte zyrtar në Perandori dhe sekteve që qarkullonin në mesin e jeniçerëve. Kjo bëri që me kalimin e kohës, duke parë shqetësimet që shkaktonin, në vitin 1826, sulltani osman e likuidoi korpusin e jeniçerëve. Në vitin 1831 ndërmori edhe një stuhi të fuqishme kundër bektashianëve në Stamboll.

Gjatë studimeve tuaja çfarë keni gjetur mbi jetën e Skënderbeut?

Mendohet që Skënderbeu të ketë qenë në korpusin e Jeniçerëve. Deri tani është në fuqi teza e Marin Barletit. Unë jam në kërkim të një defteri, i cili mund të na deshifrojë shumë kode për rininë e Skënderbeut, e cila është periudha më e paqartë në studimet për të. Këtë defter kemi vite që e kërkojmë por ende nuk e kemi gjetur. Shpresoj që të jetë ekzistent. Ky përmendet pikërisht në një shënim të defterit te sipërpërmendur 1431. Përmendet si “Defteri i tokave të Gjonit” – pra i tokave të të atit të Gjergjit. Por ende nuk e kemi gjetur për ta studiuar çfarë përmban. Kush do ta gjejë do të shënojë një moment të ri në studimet skënderbegiane.

Please follow and like us: