Albspirit

Media/News/Publishing

Ylber Hysa: Shqiptarët e të tjerët

 

kulturePër shumë kohë një pjesë e etabluar e historiografisë së shekullit XIX dhe më tutje, sidomos ajo e fqinjësisë, i ka parë shqiptarët si një popull “të vjetër-të ri”, që ndonëse me rrënjë shumë të moqme në gadishullin që dikur quhej Ilirik, disi vonë dhe jo plotësisht kishte ardhur në histori në shek. XI me etnonim, së paku në ato që dihen e njihen si burime të shkruara historike. Shqiptarët kishin qenë një grup etnik që për një kohë të gjatë në histori kishte ndjenur anash pa dhënë shenja të jetës popullore e shtetërore- parafrazojmë një historian serb, që ndoshta më së miri e zbërthën këtë mendësi të vendosur historiografike.
Po kështu, një pjesë tjetër e historiografisë ballkanike, ajo bullgare (Selishqev), shqiptarët i sheh si një popull që relativisht vonë kanë ardhur në skenë historike, pas mesjetës, ose kanë pësuar shtrirje dhe ekspanzion në kohën e re, sikurse mendon një pjesë e historiografisë maqedonase (Trifunovski) deri në përpjekjet Enciklopedike.
Kjo, dhe ndoshta koncepti që më së miri e stereotipizon një qasje të ngurtësuar historiografike, shpaloset me thënjën – “to sto je za Grke more, za Slavene doline, to su za Albance planine”. Ishte parë kështu roli i shqiptarëve edhe mbështetur nga një pjesë e burimeve mesjetare serbe nga ‘katun Arbanasa i Vlaha’, si një kuptim i të qenurit kryesisht nomadë e blegtorë, të barinjëve shtegtarë luftarak me kod zakonor dhe të pazot për shtetbërje dhe shtetudhëheqje. Përkundër ndonjë burimi kontraverz, megjithatë do të ishte një simplifikim tejet bardh-e-zi për të parë shqiptarët të kufizuar diku në parapashpinën e zhvillimeve pas maleve të larta, të cimentuar në katërkëndëshin Shkodër-Prizren-Vlorë-Ohër, pranë por, prap anash arterieve komunikative imperiale si Via Egnatia, Naissus-Lissus, Via Zenta dhe sidomos pranë detit por, jo në bregdet, sidomos në pjesën e urbanizuar të tij, ku fuqitë politike e kulturore të kohës gjithnjë u munduan të mbajnë kalimin më të lehtë të natyrshëm të komunikimit Perëndim-Lindje në detin e ngushtë të Adriatikut.
Shpesh një pjesë e historiografisë ballkanike përfshirë ate serbe, që po e theksojmë, kishte mbajtur një qendrim horizontalist- që duke neglizhuar atë që ishte para ose mbrapa periudhës dhe temës së zgjedhur, kishte vequar ato pjesë të “arta” të historiografisë nacionale që iu kishin përgjegjur nevojave dhe përpjekjeve shtetkrijuese iluministëve e nacionalromantikëve të Rilindjeve nacionale, duke sjellë kështu në treg historiografik sekuencat e selektura të një naracioni historik kombëtar të kohërave mesjetare apo të ndodhive të mëpastajme, qofshin edhe epizodike, sidomos të periudhave të konsolidimit apo ekspanzionit, që jo rrallë kanë përfshirë edhe shqiptarët e të tjerët në hapësirat e pretenduara, që kështu vetvetiu ishin bërë pengesë e këtyre projekteve shtetformuese para dhe pas krijimit të tyre dhe mu aty ku shqiptarët u gjendën pa vullnetin e tyre dhe jorrallë u bënë pre tipike e stereotipizimive klasike (Gopceviq, Cvijiq, Haxhi-Vaslie Vaslieviq, Balkanikus, Milojeviq, Qubriloviq, Bogdanoviq, Qosiq, Jevtiq, Markoviq e deri tek eksponentët e SANU-s). Dhe kjo qasje selektive horizontaliste është potencuar nga historiografitë nacionale ballkanike duke u bërë historiografi zyrtare dhe pjesë qendrore e kurikulave duke mos parë zhvillimet historike si një rrjedhë në kohë dhe hapësirë, apo duke parë vetëm pjesët e parapëlqyera shpesh të shpërfilluara nga kontekstet tjera. Ndonëse kjo historiografi, qartazi e filluar më herët se sa tek shqiptarët, njohi edhe periudhat e avansuara kritike (Ruvarac, Tucoviq, Novakoviq, Olga Zirojeviq dhe Olga Milosavleviq) që erdhi në shprehje pikërisht duke rrëzuar mitet karshi Shqipërisë, shqiptarëve dhe fqinjëve.
Kjo thyerje në perceptime sterotipike u ndihmua mjaft nga historianët të një shkolle tjetër që me invencion i ka interpretuar burimet dhe ngjarjet në Ballkan (Jirecek, Shuflay dhe rishtazi Malcom, Mazover etj.).
Por, duke mos dashur që me këtë t’i jipet e drejtë absolute edhe një pjesë të historiografisë shqiptare që në gjithçka historike sheh një vertikalitet konstant të pacenuar vetëm të një prezence të patundur e metafizike iliro-shqiptare në dhe përtej hapësirave ku sot shqiptarët jetojnë në shumicë, ia vlen të nënvizohet se një pjesë e trendeve të etabluara historiografike në Ballkan ka qenë shumë thjeshtësuese ndaj faktorit shqiptar dhe ndikimeve të ndërsjella historike e kulturore. Dhe ky faktor, ka qenë aty dhe shumë më dinamik në marrjet dhe dhënjet socio-kulturore, linguistike, ushtarake e politike që mund të vërehët edhe në përpjekjën modeste ndër këta esejë historik që kemi përfshirë në këtë vepër. Ato me qëllim shtrihën në kohë dhe hapësirë me tematikë nga më të ndryshmet, që nga herezia, ndikimet e vjetra nga substrati paleoballkanik nganjëherë i anashkaluar, pirateria e skllavopronaria unikate dhe roli detit, ndikimet e kryqëzuara religjioze, rolin superb të individëve të rëndësishëm shqiptarë në fatet e perandorive të kohës dhe roli dhe të qenurit brenda këtyre strukturave megapolitike e civilizuese të kohës, e deri te kombëkrijimet e vonuara mbi shtratet e vjetruara perandorake që po shpërbëheshin gjithmonë me vonesa të gjata.
Në të gjitha këto domene shqiptarët kanë luajtur rol të shënueshëm, të dukshëm dhe megjithatë të ndërthurrur. Ky lloj ndikimi dhe të ndikuarit, bënë që shqiptarët të jenë një faktor shumë më dinamik se sa nganjëherë një pjesë e historiografisë i ka parë dhe paraqitur shqiptarët, ose edhe ata vetvetën.
Esetë që sillën në librin “Shqiptarët e të tjerët” ,janë një përpjekje për t’i parë këto ndikime e fenomene të ndërsjella pikërisht nga ky kënd, andaj edhe titulli shpresoj të shpjegojë një pjesë të kësaj game të gjërë nga historia e gadishullit të vjetër ballkanik, i cili i shtruar në këtë mënyre mëton një rishpalosje dhe një nxitje modeste për çmitizime të dyanshme eventuale.

Please follow and like us: