Albspirit

Media/News/Publishing

Basketbollistja shqiptare që u dashurua dhe martua me nigerianin

baskettt-550x328Fatit kurrë nuk i dihet, apo siç thonë, dashuria nuk njeh kufij! Basketbollistja shqiptare, Fabiola Përmeti, tash tri vite është e martuar me një Nigerian, por që ka nënshtetësi kanadeze, dhe po kalojnë fort mirë. Ajo ka një vajzë simpatike, e cila quhet Hannah, kurse bashkëshorti, Innocent Emmanuel, është basketbollist dhe për një kohë luajti me Tiranën.

Fabiola luan si anësore dhe është anëtare e ekipit nga Durrësi, “Goga Basket”, si dhe e kombëtares së Shqipërisë. Ajo ka synime të mëdha për edicionin e ri në kampionatin shqiptar.

Fabiola është nga Tirana dhe flet për karrierën e saj sportive, për jetën me bashkëshortin nigerian, si u njohën me të, çfarë i pëlqen në shtetin nigerian, sa është vështirë të jesh nënë dhe sportiste njëherësh, etj.

Cilat janë synimet për edicionin e ri?

Normal që synojmë titullin kampion. Vjet, fatkeqësisht, dolëm në vend të dytë. Pasi dolëm në finale (2:2) dhe në ndeshjen e tretë, me pak pikë e pësuam, këtë vit do të mbledhim të gjitha forcat dhe jam shumë optimiste se do t’ia arrijmë qëllimit.

Fabiola, një kohë ishit edhe në Kosovë, si basketbolliste e Prishtinës, çfarë përshtypje ju ka mbetur?

Kosovën e dua shumë! Më kanë pritur shumë mirë atje, edhe pas gjithë këtyre viteve vazhdoj të kem shumë shoqëri me lojtaret e ekipit të Prishtinës, madje edhe takohemi sa herë ato vijnë në Tiranë, apo sa herë kam pasur unë mundësi të shkoj atje.

Cilat ekipet janë rivalet më të mëdha për titull në Shqipëri?

Ekipi i Tiranës dhe ai i Flamurtarit.

Jeni e martuar dhe nënë e një vajze. Sa është e vështirë të jesh edhe sportiste, edhe nënë?

Nuk është e lehtë, por falë ndihmës së mamasë time kam arritur t’i bëj të dyja në të njëjtën kohë, por përveç pjesës së vështirë nuk ka gjë më të bukur sesa kur sheh fëmijën tënd të bëjë tifo për ty, ndërkohë që luan dhe të motivon për të ecur përpara. Për bashkëshortin mund të them se është motivimi im dhe trajneri im i dytë, pasi është basketbollist, gjithashtu, pavarësisht faktit që ka pauzë të vogël për momentin, falë një dëmtimi.

Bashkëshorti…

Ai ka nënshtetësi nigeriane dhe kanadeze, në të njëjtën kohë. Pas çdo ndeshjeje është pranë meje duke analizuar dhe përgëzuar. Ndihem shumë me fat që e kam në krah, sepse është krahun im i djathtë. Ai ka luajtur për ekipin e Tiranës, përpara se të dëmtohej.

Si u njohët?

Bashkë jemi njohur në Qipro, kur ai luante për ekipin e Yakin Dogu. Në të njëjtin ekip, që luaja edhe unë.

Sa ju ndihmon bashkëshorti, a keni përkrahjen dhe mirëkuptimin e tij?

Ai është aty për mua në çdo aspekt, përkrahja e tij është 100 për qind, si me vajzën, ashtu edhe me basketbollin. Shpeshherë dalim në fundjavë dhe i kërkoj të më mësojë gjithmonë ato lëvizje, që unë ia admiroja si lojtar, para se ne të krijonim një lidhje bashkë.

Bashkëshorti është nga Nigeria, a jetoni së bashku në Tiranë apo edhe ndonjëherë në Nigeri?

Im shoq ka lindur dhe është rritur në Kanada, edhe pse prindërit i ka nigerianë. Ne për momentin po jetojmë në Tiranë. Por, sa jemi kthyer nga Nigeria, pasi kaluam tri javë atje, sepse edhe unë, edhe ai, e duam shumë atë vend.

Sa ishte e vështirë të jetohet në Nigeri, çfarë iu la përshtypje më shumë atje?

Vështirësi? Nuk besoj se do më pëlqente po të kishte vështirësi, vendi është shumë i bukur. Mua më pëlqen shumë qyteti i Abujas. Më kanë lënë përshtypje shumë të mirë njerëzit ashtu dhe vendi, ndaj kjo më bëri të rikthehesha përsëri atje.

Përveç me basketboll, punoni edhe diku tjetër. Po bashkëshorti, me çfarë merret?

Unë jo, pasi vajza ka nevojë akoma për përkujdesje. Im shoq, pasi për momentin nuk mund të luajë, është këshilltar financiar në një kompani kanadeze.

Please follow and like us: