Albspirit

Media/News/Publishing

Duke luajtur “plehrash!

Nga Mero Baze

Vëmendja e aktivistëve të shoqërisë civile që luftojnë kundër ligjit të importit të mbetjeve në Shqipëri, është drejtuar tani mbi firmën e Presidentit.

Shpresa e tyre është se kthimi i ligjit në Kuvend, do të jetë një shans dhe një rikthim i Presidentit tek interesi publik.

Në të vërtetë, e gjitha çfarë po ndodh me ligjin dhe debatin për të, është politike, dhe shoqëria civile e angazhuar kundër tij, është në betejën e saj, por nuk ka asnjë mjet për ta fituar, apo për ta humbur këtë betejë. Gjithçka e ka në dorë politika.

E para, Bujar Nishani me shumë gjasa do ta kthejë ligjin mbrapsht, por këtë nuk do ta bëjë si njeri që është i interesuar kundër ligjit të importit të mbetjeve, pasi ai është një ish- ministër i Qeverisë “Berisha”, që e ka firmosur dhe mbrojtur këtë ligj shumë herë më të keq se kaq në Kuvend në vitin 2011.

Para se ta kthejë në Kuvend, dhe ai duhet të bëjë ritin e Berishës dhe Bashës që të kërkojë ndjesë. Por, nuk do ta bëjë as këtë. Thjesht do ta kthejë ligjin në Kuvend se ia kërkon Berisha dhe kaq. Për këtë nuk vlen as të duartrokitet dhe as të pështyhet, pasi nuk ka bërë asgjë pa leje në jetën e tij. Dhe si i tillë, nuk ka pse gjykohet.

E dyta, nëse në Kuvend ka vërtet një shumicë kundër ligjit, siç pretendohet, ajo mund të verifikohet. Ligji u miratua vërtet me 65 vota, por kuorumi i seancës u sigurua edhe nga Partia Demokratike, në kushtet e paqartësisë së një qëndrimi ende të padiktuar nga Berisha. Ai e dha komandën pasdite kur seanca kishte mbaruar.

Pra, PD mund të braktisë seancën pa filluar dhe në sallë të qëndrojë vetëm shumica, e cila ka shans të provojë më shumë nëse është apo jo bashkë në pushtet, se sa është apo jo kundër ligjit.

E treta, Edi Rama ka shans të përballet realisht me kritikët e ligjit duke i takuar ata. Por dhe këtu beteja nuk ka për të qenë për ligjin, por për prapaskenat politike të debatit. Kjo betejë është bërë pis, jo për faj të shoqërisë civile, por për shkak të Berishës, i cili e imponoi një herë këtë ligj si interes të vetin dhe tani po bën pis kundërshtimin e tij, po për interesin e vet, që nëse bie ligji, të jetë fitorja e tij, dhe nëse qëndron, të jetë betejë e tij.

Pra mos prisni surpriza nga debati i mëtejshëm i ligjit, se nuk po debatohet për to, por për një duel politik. Ku qeveria duket që nuk ka dëshirë të humbasë përballë Berishës, duke luajtur “plehrash”, por nuk do që të jetë në anën e atyre që u është ngjitur Berisha.

Please follow and like us: