Tre ligjvënëset Doda, Bregu, Vokshi kanë vendosur të propozojnë ndryshime ligjore që nuk i lejon abuzuesit ndaj grave dhe fëmijëve të punojnë në të ardhmen në institucionet publike, kur përfshihet, arsimi shëndetësia apo shërbimet sociale.

Deputetet në fjalë përfshijnë një sërë krimesh ndaj grave dhe fëmijëve, ndërsa propozojnë testin psiko-social për mësuesit.

Këtë iniciativë e ka njoftuar në faqen e saj deputetja Majlinda Bregu:

Para dy muajsh vendosëm së bashku me Albanën (Vokshi) dhe Mesilën (Doda) të bashkëpropozonim ndryshime në disa ligje që t’ju heqim mundësinë kujtdo që ka abuzuar me gruan e fëmijët të punojnë në të gjitha institucionet publike (arsim, shëndetësi, organet e rendit, institucione të shërbimit social e të tjerë)

E përditshmja jonë fatkeqësisht është plot me raste krimesh, dhune, lëndimi, fyerje ndaj grave dhe fëmijëve, por dhe po aq kriminale është papërgjegjshmëri institucionale dhe reagimi i mefshtë publik ndaj kësaj që ndodh.

Këto ndryshime që do të depozitohen këto ditë në Kuvend parashikojnë:

– ndryshimet në ligjin për dekriminalizimin; si subjekte të ligjit për mësuesit dhe profesionistët e kujdesit social që punojnë me fëmijët, PAK dhe moshën e tretë.

– ndryshimet në ligjin për arsimin parauniversitar për futjen e testit psiko-social për mësuesit e arsimit parashkollor, fillor dhe të mesëm.

– ndryshimi në Kodin Penal për përjashtimin nga shërbimi i provës.