Saimir Kadiu: Kardinali shqiptar që doli nga ferri i diktaturës
DOM MIKEL KOLIQI
Kardinali që doli nga ferri i diktaturës për t’u gjunjëzuar para Zotit dhe për të bekuar Shqipërinë
Jeta e Dom Mikel Koliqit është një prej atyre historive të rralla ku dhimbja njerëzore shndërrohet në madhështi shpirtërore dhe qëndresa bëhet një formë e epërme e atdhedashurisë.
32 vjet me pare, më 26 NENTOR 1994, në Vatikan, ndodhi një ngjarje që do të mbetej e paharruar në historinë e Kishës Katolike dhe në kujtesën kombëtare shqiptare.
Papa Gjon Pali II shpalli kardinal Dom Mikel Koliqin, në moshën 92-vjeçare. Ishte kardinali i parë shqiptar. Por madhështia e asaj dite nuk qëndronte vetëm te titulli i lartë kishtar që iu dha një prifti të ardhur nga një vend i vogël ballkanik. Ajo që tronditi dhe emocionoi të pranishmit ishte gjesti i Papës.
Kur erdhi çasti që kardinalët e rinj t’i përuleshin Atit të Shenjtë, mosha dhe gjendja shëndetësore nuk e lejuan Dom Mikelin të ngrihej nga karrigia. Atëherë ndodhi një skenë e jashtëzakonshme: Papa Gjon Pali II u gjunjëzua para plakut shqiptar dhe e bekoi.
Ishte një gjest që fliste më shumë se mijëra fjalë. Përpara Papës nuk ishte thjesht një kardinal i moshuar. Ishte një njeri që kishte mbijetuar 92 vite histori, që kishte kaluar nëpër burgjet dhe kampet e internimit të një regjimi mizor, por që nuk kishte lejuar kurrë që vuajtja t’ia helmonte shpirtin.
Ishte një përkulje e autoritetit përpara martirizimit, e madhështisë përpara përulësisë, e institucionit përpara njeriut që kishte mbetur besnik ndaj ndërgjegjes së vet.
Por, për ta kuptuar vërtet atë çast në Vatikan, duhet të kthehemi shumë vite pas, në Shqipërinë e errët të diktaturës.
Dom Mikel Koliqi nuk ishte vetëm një prift. Ai ishte një intelektual i formuar, një kompozitor i talentuar, një figurë e kulturës dhe e jetës shpirtërore shkodrane. I lidhur me traditën e pasur kulturore të qytetit të tij, ai përfaqësonte atë brez shqiptarësh për të cilët besimi, kultura, arsimi dhe atdheu ishin pjesë të pandara të një identiteti të vetëm.
Ishte edhe vëllai i madh i Ernest Koliqit, shkrimtarit, studiuesit dhe njërit prej emrave më të rëndësishëm të letërsisë shqiptare. Në një Shqipëri normale, një familje e tillë do të ishte pasuri e çmuar e kombit. Por Shqipëria e vitit 1945 kishte zgjedhur një tjetër rrugë: të shkatërronte gjithçka që nuk mund të kontrollonte.
Për Dom Mikelin nisi një kalvar i gjatë vuajtjesh. Katër dekada burgjesh, internimesh, poshtërimesh dhe privimesh. Një jetë e tërë e marrë peng nga një pushtet që pretendonte të ndërtonte njeriun e ri, duke shkatërruar njeriun që ekzistonte.
Regjimi komunist nuk i kërkonte vetëm bindjen. I kërkonte të hiqte dorë nga Zoti, nga ndërgjegjja dhe nga e drejta për të besuar. Por Dom Mikeli nuk pranoi.
Ai nuk e ndërroi besimin me sigurinë personale, as ndërgjegjen me lirinë e kushtëzuar që i ofronte pushteti. Në qelitë e burgjeve, në vitet e gjata të izolimit, ai ruajti atë që regjimi nuk mund t’ia merrte: lirinë e brendshme.
Dhe këtu qëndron paradoksi i madh i historisë sonë: një njeri të cilit diktatura i mori pothuajse gjithçka, arriti të dilte prej saj me dinjitetin e paprekur. Ndërsa një pushtet që pretendonte se do të zgjaste përgjithmonë, u shemb nën peshën e krimeve dhe të gënjeshtrave të veta.
Në marsin e vitit 1991, kur Shqipëria sapo kishte filluar të dilte nga dimri i saj i gjatë, Dom Mikeli u shfaq sërish në Katedralen e Shkodrës.
Kujtimi i Imzot Klaudio Maria Çelit për atë takim është ndër dëshmitë më prekëse të asaj kohe. Dom Mikeli hyri në kishë i mbajtur për krahësh nga dy të rinj. Trupi i tij ishte rrënuar nga vitet e persekutimit, por shpirti kishte mbetur i gjallë dhe i fuqishëm.
Ai i tha përfaqësuesit të Selisë së Shenjtë se nuk dilte më nga shtëpia, por, kur kishte marrë vesh se përfaqësuesi i Papës ndodhej aty, e kishte ndier si detyrë të ishte i pranishëm.
Çfarë mund të ishte më domethënëse se kjo skenë?
Një plak i rrënuar fizikisht, që mezi qëndronte në këmbë, vinte në shtëpinë e Zotit për të dëshmuar se besimi nuk ishte vrarë. Se Kisha shqiptare nuk ishte zhdukur. Se pas dekadash heshtjeje, frike dhe dhune, ende kishte njerëz që mund të dëshmonin të vërtetën.
Dhe atë ditë, më 21 mars 1991, Imzot Çeli nisi homelinë me fjalët që do të mbeteshin simbol i një epoke të re:
“Dimri po shkon! Sot fillon pranvera!”
Sa shumë histori, sa shumë dhimbje dhe sa shumë shpresë fshihen brenda këtyre pak fjalëve!
Pranvera që po vinte nuk ishte vetëm ajo e natyrës. Ishte pranvera e lirisë së besimit, e rikthimit të dinjitetit njerëzor, e së drejtës për të menduar dhe për të besuar pa frikë. Ishte pranvera e atyre që kishin pritur dekada të tëra për të parë përsëri dyert e kishave të hapura.
Në vitin 1994, kur u bë kardinal, Dom Mikeli nuk e humbi as modestinë, as ndjenjën e përkatësisë ndaj popullit të vet. Kur e pyetën për këtë nderim, ai u përgjigj me një thjeshtësi që e karakterizonte gjithë jetën:
“Papa më ka zgjedhur mua kardinal se isha më i moshuari.”
Dhe pastaj tha fjalinë që ndoshta përmbledh më bukur gjithë madhështinë e tij:
“Titullin e kardinalit e ka marrë gjithë Shqipëria.”
Jo vetëm ai. E gjithë Shqipëria!
Në këtë fjali gjendet një patriotizëm i rrallë, pa zhurmë, pa krenari të sforcuar dhe pa asnjë grimcë hakmarrjeje. Një njeri që kishte vuajtur për dekada për shkak të bindjeve të tij, nuk kërkonte të nderohej vetëm për veten. Ai e ndante nderimin me vendin e tij, me popullin e tij, me të gjithë ata që kishin vuajtur në heshtje.
Ndoshta pikërisht këtu qëndron madhështia e Dom Mikelit: ai nuk e pa vuajtjen e vet si një privilegj personal dhe as nderimin si një triumf mbi të tjerët. E pa si një dinjitet që i përkiste të gjithë Shqipërisë.
Sot, kur kujtojmë këtë figurë, nuk duhet të shohim vetëm kardinalin e parë shqiptar. Duhet të shohim një kapitull të tërë të historisë sonë, një dëshmi të gjallë të asaj që ndodh kur pushteti përpiqet të sundojë jo vetëm trupin, por edhe shpirtin e njeriut.
Duhet të kujtojmë se Shqipëria nuk kishte vetëm viktima të diktaturës. Kishte edhe njerëz që, pavarësisht gjithçkaje, ruajtën dinjitetin, kulturën, besimin dhe dashurinë për atdheun. Njerëz që nuk u përgjigjën me urrejtje ndaj urrejtjes dhe që nuk e shndërruan vuajtjen në hakmarrje.
Dhe duhet të ndiejmë një keqardhje të thellë që për kaq shumë vite nuk ditëm t’i nderonim sa duhej këta njerëz. Sepse një komb nuk matet vetëm me monumentet që ngre, por edhe me kujtesën që ruan dhe me respektin që u kushton atyre që e mbajtën gjallë dinjitetin e tij në kohët më të errëta.
Në një botë ku titujt shpesh kërkohen, nderimet blihen dhe pushteti bëhet qëllim në vetvete, Dom Mikel Koliqi na kujton se madhështia e vërtetë nuk qëndron në atë që merr nga jeta, por në atë që arrin të mos humbasësh, edhe kur jeta të merr pothuajse gjithçka.
Ai doli nga burgjet pa humbur besimin. Doli nga diktatura pa humbur përulësinë. U bë kardinal pa harruar Shqipërinë.
Dhe atë ditë të nëntorit 1994, në Vatikan, kur Papa u gjunjëzua para tij, sikur u përkul jo vetëm përpara një njeriu 92-vjeçar, por përpara të gjithë atyre që kishin vuajtur për besimin, për lirinë dhe për dinjitetin njerëzor.
Dom Mikel Koliqi nuk u bë i madh ditën kur mori kapelën e kuqe të kardinalit. Ai kishte qenë i madh shumë kohë më parë: në qelitë e burgjeve, në heshtjen e internimit dhe në vitet kur të gjithë mund të kishin harruar emrin e tij, por ai nuk kishte harruar Zotin dhe Shqipërinë.