Albspirit

Media/News/Publishing

Albana Mançja: Gjyshi im, Lato Pogaçi!

I riu nga Plesati i Gjirokastrës, i miri që u kthye në shenjtor.

Një histori për rrënjët, mirënjohjen dhe dashurinë që nuk vdes.

Ka njerëz që nuk na lidh gjaku me ta, por na lidh shpirti. Ka njerëz që hyjnë në jetën tonë jo për të na dhënë jetën, por për të na mësuar si të jetojmë. Një prej tyre ishte gjyshi im, Lato Pogaçi.

Historia e tij nis shumë larg, në një kohë kur varfëria i kishte hyrë shqiptarit deri në palcë. Në një kohë kur ai sapo kishte krijuar familjen e tij me një femijë te vogel, me një djalē që do mbante emrin e familjes. Në vitet e Fan Nolit, si shumë të rinj të asaj kohe, ai mori rrugën e mërgimit drejt Australisë. Atje kaloi plot tridhjetë e pesë vjet të jetës së tij, larg atdheut, larg rrënjëve, larg gjithçkaje që kishte njohur.

Pas tridhjetë e pesë vjetësh u kthye në Shqipëri. U kthye për të qëndruar përgjithmonë, duke dorëzuar edhe pasaportën e tij, ashtu siç e kërkonin rregullat e shtetit shqiptar të asaj kohe.

Fati e solli të rikrijinte familjen pranë një gruaje që jeta e kishte goditur rëndë. Ajo ishte gjyshja ime, një grua me dy fëmijë jetimë, bashkëshorti i së cilës kishte humbur jetën në burgjet politike të Shqipërisë.

Njëri prej atyre fëmijëve ishte nëna ime, Sabria.

Gjyshi Lato nuk u bë thjesht bashkëshorti i gjyshes sime. Ai u bë babai i dy fëmijëve që nuk ishin të gjakut të tij. U dha atyre çfarë mundi, në një kohë kur jeta ishte e vështirë dhe buka fitohej me mund.

Por mbi të gjitha, u dha një të ardhme.

Kur nëna ime përfundoi një etapë të shkollimit, gjyshja dëshironte që ajo të fillonte punë. Ishte e kuptueshme. Varfëria dhe nevojat e familjes nuk prisnin.

Por gjyshi Lato mendonte ndryshe.

Ai donte që Sabria të vazhdonte shkollën. Donte që ajo të mësonte, të bëhej e zonja e vetes, të kishte një profesion dhe një jetë më të mirë.

Dhe ashtu u bë.

Falë këmbënguljes së atij burri, nëna ime u shkollua dhe iu përkushtua mjekësisë. Në duart e saj erdhën në jetë mijëra fëmijë. Mijëra gra gjetën përkujdesjen, ndihmën dhe profesionalizmin e saj në çastet më të rëndësishme të jetës.

Dhe sa herë mendoj për ato jetë që erdhën në këtë botë, mendoj se diku, pas gjithë asaj historie, qëndronte edhe gjyshi im Lato.

Një burrë që dikur kishte vendosur se një vajzë duhej të shkollohej.

Pastaj linda unë.

U rrita pranë gjyshes dhe gjyshit tim. Nuk njihja histori gjaku, nuk njihja dallime mes gjyshit biologjik dhe atij që të rrit me dashuri.

Për mua kishte vetëm një gjysh.

Gjyshi Lato.

Ai ishte pjesë e fëmijërisë sime, e kujtimeve të mia, e asaj bote të vogël ku njeriu mëson për herë të parë çfarë është familja.

Gjyshi jetoi gjatë, deri rreth moshës tetëdhjetë e tre vjeç. Me gjyshen pati edhe dy fëmijë të tjerë, të zgjuar e të ditur, të cilët më vonë morën rrugën e emigrimit drejt Greqisë, ashtu si shumë shqiptarë pas hapjes së kufijve.

Edhe unë isha pjesë e atij brezi që mori rrugët e botës.

Fatkeqësisht, dy fëmijët e tij u larguan nga kjo jetë në moshë të re.

Vitet kaluan. Njerëzit ikën. Shtëpitë ndryshuan. Jeta na shpërndau nëpër botë.

Por kujtimet mbetën.

Një ditë, pas shumë vitesh, shkova te varri i gjyshit tim.

Dhe aty më priti një dhimbje që nuk e kisha menduar.

Varri i tij ishte rrëzuar.

Qëndrova përballë atij vendi dhe ndjeva një trishtim të thellë. Nuk ishte thjesht një gur i rrëzuar. Ishte sikur koha po përpiqej të fshinte një pjesë të historisë sonë.

M’u kujtua ajo shprehja e rëndë që shqiptarët e përdorin si mallkim:

“Të humbtë varri”!

Sa e dhimbshme është kjo shprehje! Sepse të humbasë varri do të thotë që një ditë të mos mbetet më as vendi ku mund të shkosh të përulesh, të kujtosh, të vendosësh një lule.

Atë ditë vendosa se varri i gjyshit tim nuk do të humbiste.

Fillova të kujdesesha për restaurimin e varreve të njerëzve të mi të dashur. Sepse e ndjeva si një detyrim të shpirtit, si një borxh mirënjohjeje ndaj atyre që kishin jetuar përpara nesh.

Dhe mendova se kjo nuk duhet të jetë vetëm përgjegjësia ime.

Duhet të jetë edhe e fëmijëve, e nipërve, e mbesave, e të gjithë atyre që sot jetojnë falë sakrificave të brezave që ikën.

Sepse ne nuk fillojmë aty ku lindim.

Ne fillojmë shumë më herët.

Fillojmë te duart e atyre që rritën prindërit tanë. Te sakrificat e tyre. Te buka që ndanë. Te shkollat ku na dërguan. Te dashuria që dhanë pa kërkuar asgjë në këmbim.

Unë jam një nga ato mbesa që nuk dëshiron t’i harrojë rrënjët.

Për hir të gjyshit që më rriti.

Për hir të nënës sime, Sabries, që falë tij u shkollua dhe u bë një grua e devotshme në shërbim të jetës.

Për hir të fëmijërisë sime.

Për hir të dashurisë që nuk matet me gjak.

Unë ia ringrita varrin gjyshit tim.

Jo për t’i kthyer jetën, sepse atë nuk mund ta bëjë askush.

Por për t’i kthyer dinjitetin kujtimit të tij.

Për të pasur një vend ku të shkoj, të vendos dorën mbi gur dhe t’i them se nuk e kam harruar.

Dhe që, për sa kohë të jem gjallë, historia e tij do të jetojë brenda meje.

Sepse një njeri nuk vdes përfundimisht kur mbyll sytë.

Ai vdes kur harrohet.

Dhe unë nuk do të të harroj kurrë, gjyshi im Lato.

Ti nuk më dhe gjakun tënd, por më dhe një pjesë të shpirtit tënd. Më dhe fëmijërinë, më dhe kujtimet dhe, mbi të gjitha, i dhe nënës sime mundësinë të bëhej gruaja që u bë.

Prandaj sot, përpara varrit tënd të ringritur, nuk ndiej vetëm dhimbje.

Ndiej krenari.

Ndiej mirënjohje.

Dhe ndiej atë dashuri të heshtur që vetëm vitet dinë ta bëjnë kaq të thellë.

Të dua deri në amshim, gjyshi im Lato.

Lato Pogaçi.

Me dashuri dhe mirënjohje të përjetshme,

Mbesa jote, Albana Mançja.