Albspirit

Media/News/Publishing

Miho Gjini: Bisedë me Naum Priftin

M’u kujtua Naumi ditën e djeshme, tek mësova në një spital të Athinës, se edhe unë “paskam vdekur” 4 sekonda më 1 gusht! Sipas një “agjenti me bateri Vimatodhotis” që më vendosën, në afërsi të zemrës, dy vite më parë, po këtu! Dhe menjëherë, i pari që m’u kujtua ishte miku im i ngushtë Naun Prifti, që na iku përgjithmonë nga jeta në vitin 2003.
Kisha 15 vite shoqëri të pastër e të paharruar, punë të përbashkët në një dikaster kulture e miqësi familjare të pandërprerë. Si edhe me një takim mbresëlënës në kontinentin e largët, në New York në vitin. Pra, që më 1 gusht do isha ndarë nga jetë, për t’u “takuar” me të në PARAJSË qoftë edhe për 4 sekona!! Po s’qe e thënë dhe e bërë përgjithmonë, ta marrë e mira ta marrë…
E doja shumë këtë njeri. Se isha lidhur shpirtërisht me Naumin, qysh në jetën studentore, teksa Drita Agolli dhe unë, bashkëpedagogë në Akademinë e Arteve, na duhej një komedi gazmore për shfaqjen e diplomës (me studentët Birçe Hasko, Gëzim Kame, Timo Flloko, Minella Borova, Niko Kanxheri, Mevlan Shanaj, Saimir Kumbaro etj). Pasi dialogu, shtjellimi, koloriti i personazheve e atmosfera e letërsisë së këtij shkrimtari, i kishte pëlqyer edhe shefit tonë të Katedrës, padagogut Andrea Malo, që në inskenimin e tregimit të tij ”E fejuara”, në njerën nga provimet tona në “Mjeshtrinë e Aktrimit”, duke pikasur tek ky autor edhe stofin e dramaturgut me një dialog të shkëqyer…
Se ashtu e nisi kolonjari Naum Prifti, udhën e tij letrare, me ca rrëfime për fëmijë, mandej edhe për moshat më të mëdha, me atmosferën e rrallë të fshatit (si tek “Çezma e Floririt”, me rrëfime brilante si ato të Mitrush Kutelit). Po edhe me një humor elegantë të një frazeologjie të kulluar të gjuhës shqipe. Spikatur menjëhere nga revistat “Hosteni” e “Ylli”, që e punësuan vite me rradhë, ku edhe krijoi e botoi me qindra shkrime.
Po në ato 12 vite shrëngese ideologjike, që punuam së bashku në Ministrinë e Arsimit e të Kulturës, do të merreshim kryesisht me botimin e periodikëve për repertorin e 15 Teatrove dhe Estradave Profesioniste! Pra, edhe me dramaturgjinë e skenaret e filmave, si edhe me gjinitë e ashtuquajtura “të e vogëla” (komeditë me një akt, skeçet, monologjet e intemexot). Me vepra te tilla dramaturgjike të Teatrit e Filmit, si “Mulliri i Kostë Bardhit”, “Era e ngrohtë e thellësive”, “Kush vdes në Këmbë”, “Tre veta kalojnë malin” etj. Nga krijimet e tij, tregimi “Njeriu që ndiqte kuajt” e skenari “Kush vdes në këmbë” i xhiruan menjëhere si filma artistikë , me jehonë të gjatë.
Mirëpo, kjo “punë delikate” në dikaster dhe ndjekia e detyruar e jetës teatrore e filmike në vendin tonë, ishte njëherësh, si “ecja në një fushë të minuar”, e cila angazhohej vetiu edhe me anën studimore, me reçensa, kritikë, autokritikë, me relacione burokratike e studime analitike, që qëndronin “mbi tehun e thikës”, si të ishe gjithmonë mbi gijotinë, te cilat më vonë i zgjodhi dhe i përmblodhi ne dy vëllime studimore.
Natyra e gjërë krijuese e këtij autori, që arriti edhe shifrën 100, kishte të bënte me talentin e tij poliedrik, po edhe me natyrën njerëzore të tij, me etikën e njeriut babaxhan, te dashur e të thjeshtë, të qeshur e të afrueshëm me cilindo. Që do përfundonin me një treshe të pandarë midis Naumit, Gaqo Bushakës e meje. E që, sa herë që merrnim ndonjë honorar për botimet tona, na priste një qebaptore tymi e rrallë, në këndin e Pazarit të Vjetër, ku më pas u ngrit ndërtesa kubike e Pallatit të Madh të Kulturës, që mblidhte edhe Teatrin e Operës e Bibliotekën Kombëtare, por që, për çudi, e kishin lejuar, diku në katin e sipërm edhe një kafene “për të qenë”… Na pati lezet kjo shoqëri “harakatësh”, po ama, pa filluar akoma (nga lartë) pleniumet partiake e presionet për një “Art proletar” e “Heronj pozitivë”! O Perëndi, ku ishe ti?
Dhe, i pari qe do ta pësonte goditjen nga kjo gjëmë qe Naum Prifti, me dramën “Rrethimi i Bardhë” e i dyti unë, për dramën e Minush Jeros “Njollat e murrme”, të cilat vetë Enveri i quajti “Njolla të zeza revizioniste”. Për të përfunduar që të dy nëpër internime e burgje, si edhe më mbrapa: Naumi në Amerikë e unë në Greqi,
Duke na shtuar (vetiu!) edhe një ndëshkim tjetër: të na ndanin 10 vjet nga njëri-tjetri, Po edhe me një gënjeshtër të ligë “biografike” dhe ordinore: “Se t’i N.P, i thonin, e ke vëllain në Amerikë dhe mendjen po aty e ke”! Dhe e dërguan ca vite në Divjakë që “të njihej me jetën”! Ndërkohë Naumin e kishte thirrur edhe një hetues e i thoshte se, “ai miku yt, M.Gj, është një armik i betuar i partisë, që mbështeste kompllotistët, një liberal borgjez. Hahhahahah! Ndërsa mua, hetuesi im më thoshte (brenda hekurave), se atë, “mikun tënd N, e kemi brenda”! Pa e menduar se , disa vite më vonë, me rrëzimin e këtij sistemi të mallkuar, si lirohem nga syrgjynossa, do të qeshnim me njëri-tjetrin, duke shëtitur në rrugicat pas “Medresesë”, rreth shtëpisë se shokut tim të dashur, si të ishim “në ilegalitetin e dikurshëm”, ndonëse të pa angazhuar me asnjë parti politke!… Se e dinim që artisti e shkrimtari, ashtu si edhe gjykatësi, prokurori e polici, duhen të jenë të paanshëm, njerëz-krijues e të angazhuar nga “Bota Shpirtërore”, të reales, të së drejtës e të së vërtetës, të jetës, vëllazërise e dashurisë njerëzore.
Edhe kur vajta pashë Amerikën për herë të parë, gjëja më e parë që bëra, ishte vajtja e gjetja e shokut tim të vjetër N. P., për të pirë nga një gotë vere, si njerëz të lirë e miq të hershëm, bile i shoqëruar nga dy policë amarikanë me origjinë shqiptare. Për të mësuar edhe të vërtetën e madhe se vëllai i anetemuar si “armik amerikan” në Shqipëri, Piter Prifti, atje ishte njeri nga njerëzit më të afërt të Nolit, si edhe Profesor i nderuar në disa nga Universitetet më të shquara të Amerikës.
Ja që, po ky njeri i Priftajve të Rehovës, ishte me mua, në mëndje e në ëndërrimet e djeshme. Dhe gjithë natën e mbrëmshme “flisja” vetëm me të, me të vdekurin e gjallë, ndonëse edhe unë “paskisha vdekur” me 1 gusht vetëm 4 sekonda… Sa shumë mall e dashuri pata e kam për NAUM PRIFTIN! Njerëz të tillë të rrallë, të zhveshur fare nga egoizmi, zilia për atë e për këtë, si edhe nga ligësitë e tjera të panumërta njerëzore, që vijnë rrallë në këtë “BOTË”, ku jemi që të gjithë, pa e menduar fare se jemë ngahera “vizitorë të përkohshëm”!
Athinë, më 26. 11. 2026.