Albspirit

Media/News/Publishing

Motrat e mbretit Zog në Muzeun e Vjenës për Skënderbeun

Fotoja e rrallë publikohet nga studiuesi dhe gazetari Armand Plaka

motra-zog1Studiuesi dhe gazetari Armand Plaka ka publikuar një tjetër foto të rrallë në profilin e tij në Facebook. Këtë herë në qendër të vëmendjes të studiuesit Plaka janë motrat e mbretit Ahmet Zogu të cilat në vitin 1937 patën ndërmarrë një udhëtim të gjatë njohës në Europë e SHBA, për të cilat shtypi shqiptar tashmë pas demokracisë ka raportuar në detaje. Gjatë turit të tyre, Princeshat vëzhguan nga afër edhe përkrenaren dhe shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu në Muzeun e Vjenës, ku ai vijon të qëndrojë edhe sot e kësaj dite.

“Nuk dua të futem në diskutime, por besoj se foto në fjalë shpreh më së miri përmbushjen e një axhende të mirëprogramuar dhe me objektiva kombëtariste dhe jo të një axhende të hartuar “sipas dëshirave e pasioneve të ditës të disa zonjushave të llastuara”, sikurse do të shpreheshin disa kritikë”, shkruan Plaka duke komentuar këtë foto.

Postimi i plotë i studiuesit Armand Plaka në Facebook:

“Tashmë ka hyrë në histori dhe veç Konicës e Zoi Xoxës, të cilët patën rastin t’i shoqërojnë fizikisht e të shkruajnë kujtime në lidhje me to, ishin dhe vetë gazetat e kohës, të cilat i bënë një jehonë të jashtëzakonshme turneut transatlantik të motrave të Mbretit të Shqiptarëve. Kërshëria e shtypit perëndimor shpesh u shoqërua edhe me kritika, por në përgjithësi raportimi ishte pozitiv, dashamirës dhe realist. Ishte viti 1937 dhe duket se Mbretëria Shqiptare po investonte edhe në imazh për të përjetuar tashmë një fazë tjetër pas 9 vjetësh themelim. Megjithëse është raportuar në hollësi mbi vizitën e tyre, duke gërmuar në arkivat e gazetave perëndimore të kohës, më la shumë mbresa një foto e rrallë nga një revistë e mirënjohur vjeneze, e cila shfaq motrat (princeshat) e Mbretit Zog ndërsa kundronin nën interpretimin plot pasion të drejtorit të Muzeut të Vjenës, Dr. Gross, përkrenaren dhe shpatën e Heroit tonë Kombëtar, Gjergj Kastrioti Skënderbeu.

Ky set i dy objekteve më të çmuara ndër shqiptarët, do të mund ta shihte dritën e ekspozimit shumë dekada më vonë, për një periudhë të limituar edhe në Muzeun tonë Kombëtar, në 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë. Nuk dua të futem në diskutime, por besoj se foto në fjalë shpreh më së miri përmbushjen e një axhende të mirëprogramuar dhe me objektiva kombëtariste dhe jo të një axhende të hartuar “sipas dëshirave e pasioneve të ditës të disa zonjushave të llastuara”, sikurse do të shpreheshin disa kritikë. Foto më rezulton e pabotuar më parë dhe i përket majit të vitit të largët 1937”.

Please follow and like us: