Albspirit

Media/News/Publishing

Një portret i paautorizuar i Ramiz Alisë/Nga Enveri, tek Saliu, dora e tij në dy epoka

Një portret i paautorizuar i Ramiz Alisë/Nga Enveri, tek Saliu, dora e tij në dy epoka

Nga Ilir Hashorva

I jam përkushtuar vetëm së vërtetës. Nuk i bindem askujt, përpos së vërtetës- Gandi

Nuk është e lehtë të flasësh me saktësi dhe paanësi për Ramiz Alinë. Të jesh komunist fanatik, do ta kritikosh me të drejtë si njeriun që tradhtoi komunizmin; të kesh vuajtur e të jesh persekutuar nga komunizmi, do ta kritikosh po me të drejtë si njeriun që qe pjesë e atij regjimi që e terrorizoi e ia nxiu jetën; të kesh guxim dhe të përpiqesh ta gjykosh me paanësi, shumë do të të kritikojnë për të mirat që mund t’i vësh në dukje.

Që ta thjeshtësojmë analizën e personalitetit të Ramizit, veprimtarinë e tij po e ndajmë në tri periudha: e para, nga viti 1945-1985, kur Ramizi ishte në udhëheqjen e lartë komuniste, e dyta, nga viti 1985 deri në vitin 1992, kur ai dominoi i vetëm politikën shqiptare dhe e treta, pas vitit 1992 deri në vitin 2011, kur u shkëput nga politika.

Për periudhën e parë, për të nuk mund të flitet ndryshe, përveçse me terma negative, si një njeri shumë i afërt me Enver Hoxhën, si njëri që, ndonëse nuk qe vetë me shpirt krimineli, bashkëpunoi dhe bashkëjetoi me kriminelë. Por, gjyqi demokratik as nuk e akuzoi dhe as e dënoi për krime dhe në atë mënyrë i hoqi atij çdo përgjegjësi zyrtare për veprimtari kriminale të kryer gjatë komunizmit. Nuk di nëse ai vetë i kuptoi ndonjëherë vërtet krimet që u kryen dhe kreu së bashku me shokët, sepse asnjëherë nuk shprehu botërisht pendesë për to. U mjaftua vetëm duke vënë në dukje disa ekzagjerime të kohës.

Në periudhën e dytë, Ramizi përgjithësisht konsiderohej si një njeri pozitiv që punoi për të zbutur sistemin komunist, për t’i dhënë atij një fytyrë më njerëzore si dhe vlerësohej për kontributin që dha për kalimin nga diktatura në demokraci në mënyrë shumë të butë, me traumat më të pakta të mundshme.

Disa vite më parë, ndodhesha në librarinë Barns and Noble në Nju Jork dhe më tërhoqi vëmendjen një libër me titull: “Chronology of 20-th-Century Eastern European History, Editor Gregory Ference,” pra “Kronologji e historisë së shekullit të njëzetë të Evropës Lindore”. E shfletova dhe pashë se kishte edhe një kapitull për Shqipërinë. I hodha një vështrim të shpejtë dhe m’u duk interesant. Aty për aty mora shënim ato që shkruheshin, të cilat po i rendis më poshtë, ashtu siç ishin në libër:

Prill 11 1985 – Vdes Enver Hoxha, vjeç 77

Prill 13 1985 – Ramiz Alia emërohet Sekretar i Parë i KQPSH

Prill 15 1985 – Ramiz Alia betohet të vazhdojë politikën e Enver Hoxhës. Në varrimin e Enver Hoxhës nuk u pranuan delegacione të huaja. Ngushëllimet sovjetike u kthyen mbrapsht

Gusht 1985 – Në një mbledhje në Korçë, Ramiz Alia kërkon më shumë tolerance për artistët. Fjala e tij hapi debat për liri shprehjeje

Shqipëria dhe Anglia bisedojnë për të rilidhur marrëdhëniet diplomatike.

Shtator 1985 – Adil Çarçani pret Zëvendës Ministrin e Jashtëm Francez i cili shoqërohej nga biznesmenë e tregtarë evropianë

Qershor 1986 – Ministri i Tregtisë së Jashtme të Gjermanisë Lindore pritet në Tiranë. Është i pari ministër i Lindjes që nga viti 1961 që shkon në Tiranë

Tetor 1986 – Vendosen marrëdhënie diplomatike me Spanjën

Nëntor 1986 – Në Kongresin e Nëntë të PPSH, flitet për zbutje të izolimit

Prill 1987 – Plenumi i Tretë i KQ. Pas tufëzimit të kryer nga Enver Hoxha, Alia pranon “arëzat,” domethënë parcela të vogla që fshatari të mund t’i përdorë për nevojat e tij, për të përmirësuar gjendjen ekonomike në fshat. Ai ndaloi kthimin e kooperativave bujqësore në ferma shtetërore dhe inkurajoi autonominë ekonomike të brigadave bujqësore

Korrik 1987 – Flitet për stimul ekonomik për të përmirësuar prodhimin, sidomos në minerale dhe naftë

Tetor 1987 – Shqipëria dhe Republika Federale Gjermane lidhin marrëdhënie diplomatike

Nëntor 1987 – Kryeministri i Bavarisë, Shtraus, së bashku me ekspertë ekonomikë dhe industrialistë, viziton Tiranën dhe jep një grant prej 6 milionë marka për të blerë mallra në Republikën Federale Gjermane

Ministri i Jashtëm Grek viziton Tiranën

Shkurt 1988 – Shqipëria merr pjesë në Konferencën e Ministrave të Jashtëm të Ballkanit në Beograd duke u shkëputur nga politika e Enver Hoxhës që ishte kundër marrëdhënieve multilaterale

Mars 1988 – Për herë të parë nuk kujtohet vdekja e Stalinit

Prill 1988 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Kanadanë

Qershor 1988 – Marrëveshje me Republikën Federale Gjermane për bashkëpunim ekonomik, industrial e teknik

Shtator 1988 – Marrëveshje me Republikën Federale Gjermane për shkëmbime të specialistëve në fusha të ndryshme të shkencës dhe kulturës

Tetor 1988 – Për të luftuar korrupsionin, zyrtarët e lartë me mbi 5 vjet stazh në një vend pune, do të lëviznin

Janar 1989 – Mbledhje në Tiranë e zëvendës Ministrave të Jashtëm të Ballkanit

Mars 1989 – Republika Federale Gjermane i jep Shqipërisë 20 milionë marka gjermane si grant për të investuar në naftë, në çelik dhe në blegtori

Nëntor 1989 – Amnisti për një numër të burgosurish politikë

Dhjetor 1989 – Demonstrata antikomuniste në Shkodër

Janar 1990 – protesta të tjera në Shkodër

Janar 22-23, 1990 – Sesion Plenar i KQPPSH. Vendoset për një program reformash ekonomike e politike të kufizuara. Reformat parashikonin decentralizimin brenda partisë, më shumë pavarësi për organizatat lokale, zgjedhjet me shumë kandidatë; decentralizim në drejtimin e ndërmarrjeve shtetërore; futja e nxitjeve financiare; lejimi i kooperativave bujqësore për të prodhuar për treg me çmime që caktoheshin prej tyre; e drejta për të apeluar vendimet e gjyqit apo dekretet e shtetit

Prill 1990 – 2000 punëtorë të Fabrikës së Tekstileve në Berat zhvillojnë një grevë.

Maj 1990 – Kuvendi popullor aprovon reforma në sistemin e drejtësisë para ardhjes në Tiranë të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB, Perez De Kuelar. U rivendos Ministria e Drejtësisë

Numri i krimeve të dënuara me vdekje ulet nga 34 në 11

Lejohet ndjekja e fesë

Shqiptarët do të kenë të drejtë të nxjerrin pasaporta për jashtë shtetit.

Dënimi për tentative arratisje ulet.

Hiqet pengesa kushtetuese për kredi dhe hua nga jashtë

Qershor 1990 – Shqipëria vendos të nënshkruaj Aktin Final të Helsinkit dhe të marrë pjesë në Konferencën e Sigurimit dhe Bashkëpunimit Evropian ku bënin pjesë 35 shtete të tjera

Një seri demonstratash në Tiranë për demokraci. Sulmi i 5000 vetave për të hyrë në ambasada të huaja

Korrik 1990 – Lejohen ata që u futën në ambasada të largohen për në vendet perëndimore përkatëse.

Hiqen nga Byroja Politike persona të vijës së ashpër

Lidhen marrëdhënie diplomatike me Bashkimin Sovjetik

Kuvendi Popullor heq kufizimet për investime të huaja dhe ndërmarrje të përbashkëta. Lejohen shqiptarët për demonstrime të lehta publike

Shtator 1990 – Alia shkon në Nju Jork, në OKB. Thotë se mirëpret marrëdhënie të ngushta me fqinjët evropiane

Nëntor 1990 – Alia kërkon në KQ që të ripërcaktohet roli udhëheqës i Partisë së Punës dhe propozon një sistem shumë partiak

Një komision special caktohet për të bërë ndryshime në kushtetutë

Dhjetor 1990 – Protesta ku kërkohet që në zgjedhjet e reja të marrin pjesë më shumë se një parti. Zgjedhjet qenë parashikuar për 10 shkurt të vitit 1991

Dhjetor 11 – Alia heq 5 persona të vijës së ashpër nga Byroja Politike dhe premton për krijimin e partive të tjera politike

Dhjetor 12 – Krijohet PD-ja

Dhjetor 19 – Njihet PD-ja

Dhjetor 20 – Nexhmie Hoxha jep dorëheqjen si Kryetare e Frontit Demokratik

Dhjetor 21 – Në ditëlindjen e Stalinit, qeveria urdhëron heqjen e të gjitha simboleve dhe statujave të Stalinit

Dhjetor 25 – Mesha e parë në Shkodër

Dhjetor 30 – 1000 hebrenj shqiptarë lejohen të emigrojnë

Janar 1991 – Alia sipas kërkesës së PD-së, shtyn zgjedhjet për 31 mars

Janar 18 – Hapet xhamia e Ethem Beut në Tiranë

Shkurt 1991 – Protesta në Universitetin e Tiranës

Shkurt 20, 1991 – Rrëzohet shtatorja e Enver Hoxhës në Tiranë. Hiqet emir i tij nga universiteti. Hiqet Adil Çarçani si kryeministër, zëvendësohet nga Fatos Nano

Shkurt 21, 1991 – Bastiset libraria Flora dhe digjen librat e saj

Mars 1991 – 24 000 shqiptarë kërkojnë strehim politik në Itali

Mars 15, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me SHBA

Mars 17, 1991 – Lirohen 433 të burgosur politikë

Mars 31, 1991 – U kryen zgjedhjet shumëpartiake. Morën pjesë 95% e popullsisë

Prill 2, 1991 – Rezultatet e votimeve: PPSH – 66%, 169 vende në parlamentin shqiptar prej 250 vendesh. PD – 75 vende; Omonia 5 vende; Fronti Komunist dhe Veteranët 1 vend

Prill 29, 1991 – Vendi këtej e tutje do të quhet Republika e Shqipërisë

Prill 30, 1991 – Alia zgjidhet President

Maj 4, 1991 – Alia lë postin në PPSH

Maj 9, 1991 – Kryeministri Nano shpall kabinetin me 25 veta. Të gjithë anëtarë të PPSH

Maj 15, 1991 – Grevë e drejtuar nga Sindikata e Pavarur. Kërkohet 50% ngritje page, rrëzimi i qeverisë etj.

Maj 22, 1991 – Alia emëron Ylli Bufin si kryeministër kujdestar me gjysmën e ministrave nga opozita. Ministrat e PD, PR, PSD dhe PA, përbënin ministrat e opozitës

Korrik 10, 1991 – Kongresi i 10 i PPSH. Partia përjashton 9 anëtarë të Byrosë Politike dhe ndërron emrin në Partia Socialiste Shqiptare. Fatos Nano zgjidhet drejtues partie

Korrik 13, 1991 – Ministri i jashtëm Italian viziton Tiranën dhe jep 50 milionë dollarë ndihmë ekonomike

Korrik 19, 1991 – Shqipëria pranohet anëtare e Konferencës së Sigurimit dhe Kooperimit Evropian

Korrik 22, 1991 – Ministri i jashtëm amerikan, Xheims Beiker, viziton Tiranën. Premton 6 milionë dollarë ndihmë

Korrik 23, 1991 – Komiteti Evropian çon 50 000 ton grurë në Shqipëri

Gusht 18, 1991 – Më shumë se 18 000 shqiptarë largohen për në Itali

Gusht 19, 1991 – Italia fillon transportin ajror të 70 milionë dollarë ushqime

Gusht 19, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Izraelin

Shtator 7, 1991 – Lidhen marrëdhënie diplomatike me Vatikanin

Dhjetor 4, 1991 – Bije qeveria Bufi nga protestat dhe largimi i ministrave të opozitës

Dhjetor 6, 1991 – Arrestohet Nexhmie Hoxha për të ndihmuar që të mos bjerë qeveria. Vilson Ahmeti zëvendëson Ylli Bufin si kryeministër

Mars 22, 1991 – Zgjedhje të parakohshme. PD fiton 62%, PS 25% dhe 13% partitë e tjera

Prill 3, 1991 – Ramiz Alia jep dorëheqjen si president

Prill 4, 1991 – Sali Berisha zgjidhet president me 96 vota pro dhe 35 kundra

Përveç këtyre që thuhen në atë libër, mund të shtojmë: Ramiz Alia urdhëron që mbledhjet e partisë të bëhen të hapëta, që anëtarët e Byrosë Politike të shkonin në bazë e të dëgjonin popullin që ankohej dhe kërkonte ndryshime, për herë të parë pranohet të vijë në Shqipëri Nënë Tereza, u hartua një ligj për mbrojtjen e monumenteve. Ata që do të prishnin monumentet, do të dënoheshin nga 1-5 vjet burg. Kështu, duke rrezikuar fare pak, i hapej rruga rrëzimit të monumentit të Enverit dhe ditën që populli i Tiranës u nis për të rrëzuar atë monument, policia dhe sigurimi që kishin dale për ta mbrojtur, nuk ishin pajisur me fishekë luftarakë por fishekë manovre (gazeta “Shqiptare,” 3, 29.6.2004).

Shihet prej kësaj kronologjie që ndryshimet, ndonëse fillimisht të lehta, Ramizi i filloi që pas vdekjes së Enverit. Natyrisht, nuk synonte rrëzimin e sistemit, por përmirësime të tij. Me një strategji të përcaktuar, ai u përqendrua: në hapjen me botën, në përpjekjet për përmirësime ekonomike, në largimin nga postet të një numri udhëheqësish të lartë komunistë të vijës së ashpër, në dobësimin e rolit udhëheqës të Partisë, në heqjen e frikës tek njerëzit. Të gjitha këto ishin parapërgatitje shumë të rëndësishme për ndryshime më radikale që do të pasonin. Atij që lexon këto punë të bëra nga viti 1985 deri në vitin 1991 dhe nuk ka haber se ç’ishte sistemi komunist, mund t’i duken si gjëra të vogla e të parëndësishme. Në të vërtetë, nuk ishin as gjëra të vogla dhe as të lehta.

Dy janë kulmet e veprimtarisë së drejtpërdrejtë të Ramizit për demokratizimin e Shqipërisë për të cilat nuk mund të ketë diskutime, sepse janë të faktuara. Së pari, është takimi që bëri me intelektualë komunistë në gusht të vitit 1990, me qëllim kryesor sigurimin e përkrahjes së tyre për ndryshimet e planifikuara. “Intelektualët” nuk e kuptuan Ramizin dhe nuk e përkrahën pluralizmin. Qëndrimi i tyre në atë mbledhje i përshtatet proverbit kinez: “Unë ju tregoj me gisht hënën, e ju në vend që të shihni hënën, shihni gishtin tim.” Në atë mbledhje, ndërmjet të tjerave, Saliu tha: “Populli ynë nuk është i përgatitur për pluralizëm partiak, sepse i mungon kultura dhe përvoja demokratike.” Në mënyrë të ngjashme u shprehën dhe të tjerë, duke i vënë vetes një njollë të pashlyeshme turpi. Ata ishin aq të mbrujtur me idealet e “Sh. Enver,” saqë me gjithë ndryshimet që po ndodhnin në botë, me gjithë ndryshimet që po ndodhnin në Shqipëri, me gjithë frikën që ua kishte hequr Ramizi, donin të vazhdonin të qëndronin në diktaturë. Së dyti, pasi nuk gjeti përkrahjen e intelektualëve, Ramizi vuri në lëvizje studentët. Pas protestave të tyre, në dhjetor të vitit 1990, studentët shkuan në një takim me të me qëllimin për të miratuar një organizatë të pavarur studentore si dhe për të siguruar disa kërkesa të tyre dhe u larguan nga takimi me lejen për të krijuar parti. Ai vazhdonte të ishte gjithnjë disa hapa para të gjithë të tjerëve për sjelljen e ndryshimeve.

Ramizi në atë kohë përmendej me veneracion nga populli që kërkonte ndryshime. Në fjalimin e parë që Sali Berisha mbajti ditën e themelimit të Partisë Demokratike, i entuziazmuar më shumë se po i hapej rruga drejt pushtetit dhe privilegjeve që lidheshin me të dhe jo ngase po niste demokratizimi i Shqipërisë, sepse, siç e marrim vesh më pas, ai nuk i përshtatet dot demokracisë, tha: “Në këtë mes mirënjohja jonë e madhe padyshim shkon së pari tek presidenti, shoku Ramiz Alia, i cili po me atë mençuri dhe guxim që udhëhoqi njësitë e mëdha të ushtrisë në betejat çlirimtare, udhëhoqi vendin tonë në betejat e reja të demokratizimit të Shqipërisë.”

Në periudhën e tretë, nga viti 1992 deri në vitin 2011, Ramizi doli në pension dhe u largua nga politika aktive. Sali Berisha, pasi mori pushtetin, pasi i forcoi pozitat, kur Ramizi nuk kishte më forcë, por as nuk i shkonte mbrapa si lakenjtë e tjerë, filloi një goditje të ashpër kundër tij dhe bashkë me të edhe shpura e tij. Kishim dëgjuar të thuhej metaforikisht në kohën e Enverit, kur ai godiste njerëzit e tij, se po hante macja këlyshët e saj, por tashti mund të thuhej se këlyshët po hanin macen! Por jo vetëm ai, sulm kundër Ramizit nisën edhe të tjerë, sidomos disa prej atyre që ishin të dalldisur pas lavdisë, lavdi të cilën vetë ia kishin mohuar vetes në mbledhjen e intelektualëve të gushtit të vitit 1990.

Që nga kjo kohë Ramizi vetëm u anatemua dhe nuk e mori më veten. Atij iu mohua çdo kontribut që kishte dhënë për sjelljen e demokracisë në Shqipëri, mesa duket, përveç të tjerave, edhe nga xhelozia, nga smira dhe nga një mentalitet enverist që i pari i donte të gjitha meritat për vete. Për Ramizin, ose nuk do të flitej më, duke u lënë në heshtje, ashtu siç kishte lënë më parë në heshtje Enveri Zogun, Mitat Frashërin, Mehmet Shehun e të tjerë, ose, kur flitej për të, flitej në terma shumë negative. Për të filloi të thuhej: nisi të bënte diçka nga frika, vetëm kur pushkatuan Çausheskun; nuk bëri asgjë për demokracinë, e pengoi dhe e vonoi atë; me fjalimet e tij mbrojti me fanatizëm sistemin komunist dhe kërcënoi kundërshtarët antikomunistë.

Ramizi ka fajet e tij për këtë periudhë, por jo ato që thotë Berisha e të tijtë. Ai ka faje se nuk na tregoi kurrë se si mundën e kush i lejoi disa intelektualë të zgjedhur që të mund të flisnin tek Zëri i Amerikës, të shkruanin në gazeta për ndryshime, të mbanin leksione në Institutin e Lartë të Arteve; ai nuk foli kurrë se si u nxitën studentë për

revoltë dhe në qoftë se studentë u nxitën vetë, pa miratimin e tij, përse nuk e shtypi protestën që ditën e parë, por e la të fermentohej e që në të të merrte pjesë i gjithë qyteti i Tiranës për më se një muaj? Nuk kishte forcë? Të gjithë ata që mendojnë se nuk kishte forcë, e kanë krejtësisht gabim. Forca e dhunës së shtetit komunist qe e jashtëzakonshme. Ai nuk foli kurrë se si u mbushën ambasadat, kur disa vjet më parë, kur një familje hyri në Ambasadën Italiane, ambasada u izolua krejtësisht për disa vjet. Ai nuk foli kurrë se kush i zgjodhi dhe kush i mblodhi me kokrra disa komunistë, njerëz të lidhur ngushtë familjarisht me komunizmin, apo agjentë të sigurimit të shtetit, pa lidhje me studentët, t’i vishte me pardesy të bardha dhe t’i vinte të formonin Partinë Demokratike, partinë që duhej të formonin studentët, si dhe parti të tjera të krijuara në atë periudhë. Ai nuk foli kurrë se si u organizua rrëzimi i monumentit të Enver Hoxhës. Për këto ai nuk foli, por shumë gjëra merren me mend. Protagonistët e asaj kohe, këto gjëra i dinë mirë, le të flasin ata, po patën një gram ndershmërie.

Gjatë kohës së shkurtër si president, qëndrimi i Ramizit ka qenë shembullor. Ai u dha të gjithë pasardhësve leksione të tilla demokracie të cilat ata nuk i arritën dot: u shkëput nga partia e tij kur u bë president; zhvilloi të parat dhe të vetmet zgjedhje të ndershme e të pakontestueshme edhe pse partia e tij humbi; ishte i pari dhe i vetmi që dha dorëheqjen nga një post shumë i lartë; nuk u kap kurrë pas pasurisë a pas posteve, jetoi thjeshtë me pension tek shtëpia e vajzës. Zbatoi me përpikëri ligjet e shtetit në çdo kohë e në çdo situatë. Gjatë kohës si president, ktheu mbrapsht një ligj që iu çua nga parlamenti me të cilin parlamentarët e rinj, kur popullin e kishin pa bukë, kërkonin të shtonin privilegjet dhe pasurinë e tyre. Me këtë rast, i indinjuar, deputeti demokrat, Ylli Veisiu, i tha “Vetëm zogu knon pa lekë.” Edhe këto veprime të Ramizit, që bien krejt ndesh me synimet e veprimet e mafiozëve të sotëm, e bëjnë atë, dashje pa dashje, armik të tyre.

Në përfundim mund të thuhet se, ndonëse Ramizi dukej se ishte dhe vdiq me bindje komuniste, komunizmi për të nuk ishte mbi gjithçka, madje Vito Kapoja e quan socialdemokrat dhe social demokrat në kodin komunist do të thotë tradhtar i komunizmit (Gazeta Standard, 13.10.11). Nga të gjithë udhëheqësit e lartë të komunizmit, dhe jo vetëm të komunizmit, ishte më njerëzori, më i kulturuari dhe më inteligjenti. Nuk ishte vizionar, por nuk ishte as dogmatik si ata që e rrethonin. Kuptoi shpirtin e kohës më mirë dhe më shpejt se të gjithë të tjerët, iu përshtat vetë atij dhe ia përshtati atij edhe vendin. Nuk u mburr kurrë për gjërat pozitive që bëri, por as nuk tregoi ndonjë pendesë për ato negativet. Duke folur në mënyrë pozitive për komunizmin dhe duke vepruar në mënyrë të kundërt, bëri kundërshtare të majtën e cila vlerësonte më shumë punët sesa fjalët. Për të mos bërë kundërshtare të majtën, duke mos kritikuar komunizmin dhe duke mos kërkuar ndjesë formale për bëmat e komunizmit, bëri kundërshtare edhe të djathtën e cila vlerësonte më shumë fjalët sesa punët. Largimi prej tij i të dy krahëve politike ka qenë disfata më e madhe e tij e cila e bëri një personazh tragjik të vetmuar. Në vdekjen e tij, kjo gjë u pa qartë. Ceremonia formale, e ftohtë, me njerëz që shkonin si me zor për të kryer një detyrë, me deklarata që vinin në dukje kryesisht kontributin e tij gjatë luftës, kontribut që s’ka asnjë rëndësi, pa thënë asnjë fjalë për periudhën 1985-1992, tregoi se ai nuk la ithtarë, siç lanë Fan Noli, Zogu, Enver Hoxha e siç mund të lejë edhe Sali Berisha.

Dhe në fund, para se të vdiste, nuk kërkoi as nderime, as ceremoni, as fjalime, kërkoi vetëm të varrosej pranë gruas së tij. Një veprim njerëzor!

Please follow and like us: