Albspirit

Media/News/Publishing

Clinton fitoi debatin e dytë Presidencial me një diference të paparë pikësh

 

Në Seint Ljuis të Mizurit debati i dytë presidencial Clinton-Trump u zhvillua në një atmosferë akuzash dhe kundërakuzash të ashpra, por kësaj radhe fituesi është shpallur në mënyrë të dukshme dhe me një diferencë të madhe pikësh.

Hillary Clinton ka fituar debatin e dytë presidencial në bazë të sondazhit të parë të realizuar pas përplasjes së mbrëmshme.

Sondazhi i “CNN” tregon se 57 për qind e njerëzve mendojnë se Clinton ishte ajo që fitoi debatin, në krahasim me 34 për qind të votuesve të cilët mendojnë Donald Trump pati një paraqitje më të mirë.

Një sondazh i mëtejshëm nga” YouGov” tregon se 47 për qind e njerëzve të anketuar favorizonin zonjën Clinton, ndërsa 42 për qind mbështetnin zotin Trump.

Debati i nxehtë u zhvillua pas një nga fundjavat më dramatike dhe të hidhura në zgjedhjet presidenciale, kjo për shkak një “skandali me përmbajtje seksuale” të kandidatit republikan, i cili u bë publik nëpërmjet një videojë nga “The washington Post”.

E pyetur gjate debatit  lidhur me strategjinë për Sirinë, zonja Clinton tha se ajo nuk do të dërgonte trupa tokësore në Siri, por do të mbante atje forca speciale.

I pyetur se cila është strategjia e tij nëse qyteti Aleppo bie, zoti Trump tha se në thelb Aleppoja ka rënë. Ai kritikoi ashpër politikën e administratës Obama për Sirinë.

Të pyetur nëse do të jenë presidentë të të gjithë amerikanëve, kandidatët dhanë përgjigje të ndryshme:

“Shumë njerëz janë të shqetësuar nëse do të kenë një vend në Amerikën e Donald Trumpit,” tha zonja Clinton.

“Zonja Clinton ka një urrejtje të madhe në zemrën e saj”, u përgjigj kandidati Trump. “Ky vend nuk mund të durojë katër vjet të tjera të Barak Obamës dhe kjo do të ndodhë nëse ajo zgjidhet,” tha ai.

Në fund të debatit kandidatët u pyetën: Megjithë retorikën e tanishme, cila është ajo gjë që respektoni te njëri-tjetri?

Zonja Clinton tha se respektonte fëmijët e zotit Trump. Kandidati republikan u përgjigj se Hillary nuk dorëzohet dhe kjo është një veti e mirë.

Të dy thanë se nuk ishin dakord me të gjitha gjërat e tjera të njëri-tjetrit.

Kandidatët e përfunduan debatin e ashpër me një shtrëngim duarsh.

Please follow and like us: