Albspirit

Media/News/Publishing

Dasma mbretërore shqiptare – Përfaqësues të familjeve mbretërore në Tiranë

dasem Dasma mbretërore shqiptare e Princ Lekës me Elia Zaharian solli në Shqipëri vëmendjen ndërkombëtare, por edhe shkëlqimin e luksin e familjeve më të mëdha mbretërore nga gjithë bota.

78 vjet pas martesës së gjyshit të tij, Zogu i I, dasma e trashëgimtarit Princi Leka II ishte kryefjala e jetës mondane, duke tërhequr jo vetëm vëmendjen e mediave në vend, por edhe atyre ndërkombëtare. Martesa e tij me Elia Zaharian e shndërroi Pallatin e Brigadave, i njohur si Pallati Mbretëror, në vendin që priti një prej ngjarjeve më të rëndësishme të familjes monarkike.

Prania më e rëndësishme në këtë dasëm nga familjet e mëdha mbretërore ishte ajo e Mbretëreshës Sofi të Spanjës, ndërsa nderuan me pjesëmarrje edhe princër dhe princesha kurore dhe përfaqësues të tjerë të lartë të oborreve mbretërore të Europës dhe botës si: Arkiduka George dhe dukesha Eilika e Austrisë, princi dhe princesha Lea të Belgjikës, princi Ali të Egjiptit, princeshë Maria Pia e Savojës, princi Philip dhe princesha Elisabet nga Lihteshtejni, Dukesha Maria dhe duka George nga Rusia, Princi dhe princesha Michael të Kent nga Mbretëria e Bashkuar, Princi Alexander dhe Princesha Katherine nga Serbia etj.

Ceremonia zyrtare e martesës u zhvillua në orën 11.00 në Pallatin Mbretëror. Çifti mori bekimin e Myftiut të Komunitetit Musliman, të përfaqësuesit Ortodoks, Katolik, Bektashi, Protestant. “Në emër të Perëndisë, qofshi të bekuar”, thanë ata. Pas 30 minutave çifti mbretëror doli në përshëndetjen martesore nga ku treguan edhe rrathët e martesës nga shtëpia e stolive Bythanasa Geneve Jewellery.

Ceremonia vijoi me pritjen e çiftit me të ftuarit në rezidencën mbretërore. Këngët dhe vallet tradicionale shqiptare dhe një koktejl për të ftuarit krijuan një atmosferë elektrizuese, ndërsa në ceremoninë e dasmës që zgjati deri në orën 01:00 pas mesnate ishin rreth 300 të ftuar.

Pas koketjlit Princi Kent i Anglisë rrëfen se kjo është një dasmë e mrekullueshme. “Jam i emocionuar, dhe ndihem shumë i kënaqur me pjesëmarrjen time në këtë dasmë. Një kënaqësi e veçantë është që kam vizituar edhe Shqipërinë”, tha ai.

Ndërsa emocionet më të mëdha ndër të ftuarit i ka motra më e vogël e mbretëreshës Geraldinë, Silviana Museyen. E adhur nga Franca, ajo risjell në kujtesë lidhjen me familjen mbretërore. Ishte vetëm 12 vjeç kur u bë dasma mbretërore.

“Unë jam motra më e vogël e Geraldinës, mbretëreshës së shqiptarëve. Për shumë vite unë isha e lidhur vetëm me familjen e motrës sime dhe me mbretin Zog, kur ata ishin në emigracion, sepse Shqipëria ishte vendi i mbyllur. Geraldina dhe mbreti Zog e kanë vuajtur largimin nga vendi dhe këtë ma kanë treguar shpeshherë. Ajo i donte shqiptarët, dhe këtë dashuri e tregonte me të gjithë shqiptarët që ishin në emigracion. Kështu dhe unë krijova një dashuri të madhe për vendin tuaj, për këngët, për kulturën e këtij vendi. Tani jam e mrekulluar që jam këtu, dhe e gëzuar që familja e motrës time po përtërihet me martesën e princ Lekës me nusen e mrekullueshme Elia. Jam e gëzuar që tani ka një lidhje të fortë mes popullit francez dhe shqiptar. Tani Shqipëria nuk është më e mbyllur, kjo është e mrekullueshme. Jam e gëzuar gjithashtu që Shqipëria është zhvilluar, sepse shoh ëndrrën e motrës sime. Geraldina e donte shumë Shqipërinë”, është shprehur ajo për mediat.

Please follow and like us: