Albspirit

Media/News/Publishing

Ndahet nga jeta prof. Alfred Uçi

Image result for alfred uci
Sot, më 26 tetor 2016, pas një sëmundjeje, u nda nga jeta në moshën 86-vjeçare Prof. Dr. Alfred Uçi, anëtar i Akademisë së Shkencave, profesor, studiues i filozofisë, estetikës, folklorit, letërsisë dhe kulturës kombëtare, veprimtar publik dhe drejtues e funksionar në institucione të larta shkencore dhe zyrtare.
Akademik Alfred Uçi lindi më 15.12.1930 në qytetin e Korçës, në një familje të njohur me tradita atdhetare, kulturore dhe arsimdashëse. Në moshë të re, ai, ashtu si dhe familja e tij, u rreshtuan në krahun antifashist, rrjedhën më të përparuar të asaj periudhe. U formua si studiues në Universitetin Lomonosov në Moskë, Rusi. Me themelimin e Universitetit të Tiranës ai u emërua profesor i filozofisë dhe kontribuoi si hartues i teksteve të para universitare të kësaj lënde. Akad. Alfred Uçi është themelues i lëndës së estetikës në historinë e arsimit universitar në Shqipëri. Ai iu kushtua për dekada me radhë kësaj disipline, duke u bërë faktor primar për tejkalimin e traditës fragmentare të deriatëhershme. Me studimet e tij si estet akad. Alfred Uçi e vendosi këtë disiplinë teorike në raporte të kushtëzuara me letërsinë, traditën folklorike, kulturën dhe artin shqiptar.
Si studiues akad. Alfred Uçi la një trashëgimi të pasur studimore në historinë e mendimit filozofik e estetik që nga Rilindja Kombëtare e në vijim, në leximin estetik të veprës letrare të shkrimtarëve më të shquar shqiptarë (Migjeni, Kadare). Autor i rreth 20 veprave monografike në disa fusha të dijeve albanologjike, ai zhvilloi mendimin shkencor shqiptar në fushë të filozofisë (me veprat kushtuar Jani Vretos dhe Teodor Kavaliotit); në studimet teorike-letrare për kategoritë estetike (duke përfshirë ciklin e studimeve për groteskun në traditën letrare shqiptare. 
Në karrierën si veprimtar publik në jetën e ak. Alfred Uçit shenjohen veçmas:
Në vitet 1979-1986 ishte drejtor i Institutit të Kulturës Popullore dhe kryeredaktor i revistës shkencore Kultura popullore. Në këtë detyrë ai ndryshoi në kahje pozitive funksionet e këtij institute dhe raportet e tij me botën. Ai është një vargu botimesh shkencore e dokumentare të atij instituti. Në vitet 1987-1990 kryetar i Komitetit të Kulturës e Arteve dhe ministër i Kulturës. Pas kësaj iu kushtua tërësisht punës shkencore duke botuar një varg studimesh nga fusha e estetikës dhe duke marrë në vështrim jo vetëm autorë shqiptarë, po edhe autorë nga më të njohurit e letërsisë botërore. Ndër veprat kryesore të tij janë: Estetika, jeta, arti (1970), Probleme të estetikës (1976), Mitologjia, folklori, letërsia (1982), Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës (1986), Estetika (në tri vëllime, 1986-1988), Shekspiri në botën shqiptare (1996), Dostojevski në kohën tonë (1997), Ferr-Parajsa danteske (1998), Prometeu dhe Hamleti (bot. greqisht, Athinë 1998), Grotesku kadarean (1999), Estetika e groteskut (vëll. I-IV, 2000), Estetika në letërsinë shqipe (2001), Pesë të mëdhenjtë e letërsisë shqipe në optikën e një rileximi: N. Frashëri, Gj. Fishta, F. Konica, M. Kuteli, Migjeni (Shkup 2003), Filozofia e Teodor Anastas Kavaliotit (2004), Estetika e folklorit (2007), Universi estetik (vëll. I-III, 2004-2007). “Estetika metateorike mbi artin: klasika apo nonklasika?” Vëllimi I, 464 f. (2008), “Filozofia e DonKishotizmit” (2010), “Petro Nini Luarasi, mendimtari martir i Rilindjes Kombëtare: 1865-1911: jetëshkrimi, studime, vepra” (2011), “Estetika Migjeniane: fryma moderne në letërsinë shqipe” (2013), “Jani Vreto dhe Rilindja Kombëtare” (2015), “Ese dhe etyde filozofiko-estetike” (2015)
Akad. Alfred Uçi është fitues i tri Çmimit të Republikës të Shkallës I dhe i disa mirënjohjeve dhe nderimeve të tjera.
Largimi fizik nga jeta i akad. Alfred Uçit është një ngjarje e dhimbshme jo vetëm për familjen e tij, por edhe për bashkësinë e studiuesve shqiptarë dhe për breza të tërë studentësh që formoi.
Akademia e Shkencave e Shqipërisë humbi një anëtar, koleg e mik me veprimtari të gjatë shkencore, të shtrirë në dy periudha, me koherencë kërkimi dhe me kërkesa cilësore.
I paharruar kujtimi dhe vepra e Tij e rëndësishme.
 
Akademia e Shkencave e Shqipërisë
Please follow and like us: