Në videon e mëposhtme shihet presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova, gjatë përballjes me Kasapin e Ballkanit, Slobodan Millosheviq në Tribunalin e Hagës. Aty Rugova ndër të tjera mbron luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Millosheviq: Ju thatë që UÇK-ja nuk ishte organizatë terroriste. Pyetja ime është kështu: në rast se UÇK-ja nuk ishte një organizatë terroriste, atëherë pse erdhët tek unë për të kërkuar që unë t’ju transferojë në një vend tjetër për ta shpëtuar familjen tuaj? Pse erdhët?

Rugova: Unë thash që nuk është terroriste. As një shtet, as State Departamenti nuk e ka shpallur organizatë të tillë. Ajo ka qenë një organizatë që është krijuar nga populli, nga njerëzit kur ka filluar sulmi ushtarak mbi Kosovën nga patriotët dhe kanë luftuar për lirinë e Kosovës. Ndërsa, që thoni se unë kam ardhur t’ju lus, nuk ju kam lutur. Kam kërkuar të dal jashtë Kosovës, sepse atëherë Kosova ishte e zbrazur, nuk kishte njerëz as bashkëpunëtorët e mi. Dëshiroja të dilja të mos vritem ndonjë ditë në ndonjë incident apo në kurdisjet që mund t’i ketë bërë regjimi.

Millosheviq: Aktet që kemi parë edhe shtypin perëndimor në atë kohë tregon se gjenocid u bë kundër serbëve, ashtu është apo jo?

Rugova: Ju lutem, ju lutem… mos i përzini. Ju flisni për vitet ‘80, pastaj kaloni në fund të ’90-ave. Prandaj, nuk ka pasur gjenocid ndaj serbëve. Është e kundërta, sidomos gjatë luftës ka pasur dhunë, të vrarë… Gjatë luftës ka pasur gjenocid ndaj shumicës shqiptare në Kosovë, ku janë bërë shkatërrime të mëdha, ku janë vrarë rreth 10 mijë njerëz (ende nuk i kemi shënimet komplete); janë zhdukur rreth katërmijë, janë shkatërruar mbi 120 mijë shtëpi private e mijëra objekte shoqërore e publike.

Millosheviq: Zotëri Rugova, ju erdhët tek unë dhe më kërkuat që t’ju shpëtoj juve nga një vrasje të mundur të shkaktuar nga UÇK-ja. Më shikoni në sy dhe më tregoni a është e vërtetë kjo?

Rugova: Nuk është e vërtetë, nuk është e vërtetë, nuk dëshirojë të përdorë fjalë të rënda, por kjo është një gënjeshtër. Ka qenë kërkesë ndërkombëtare që unë të dal jashtë Kosovës. /Zëri/
[youtube https://www.youtube.com/watch?v=O4ZPf1L4oog]