Albspirit

Media/News/Publishing

Dekorimi i drejtë i Presidentit dhe shoqata ‘Vullnetarët e Mehmetit’

Alfred LelaNga Alfred Lela

Një vendim i Presidentit Nishani për të dekoruar 67 anëtarë të Ballit Kombëtar, të vrarë nga partizanët e Mehmet Shehut në vitin 1941 në Lushnjë, ka hapur spiralen e një debati që thotë shumë gjëra, si për Luftën e dytë Botërore në Shqipëri, ashtu dhe për historiografinë apo përplasjet politike.

Duke ia filluar nga fundi, anatemuesit e majtë i kanë dhënë Presidentit Nishani një kredit në vend që t’ia heqin një të tillë. Kjo sepse një sulm në të kotë dhe në të padrejtë kundër kreut të shtetit, automatikisht të bën të mendosh se sulme të kota e të padrejta ka patur edhe më parë kundër tij. Të nisur krejtësisht nga premisa politike. A është sulmuar me të padrejtë Presidenti Nishani, i cili shpesh është bërë shënjestër e parapëlqyer e qeverisë dhe qarqeve të majta?

Nëse dekorimi i 63 shqiptarëve të pafajshëm, edhe pse anëtarë të një formacioni të anatemuar në komunizëm si Balli Kombëtar, ka zgjuar këtë stuhi ideologjie e politike kundër tij, atëherë edhe zhurmat e mëparshme mund të kenë qenë nën të njëjtat shtysa. Presidenti i Republikës, me dekorimin e ballistëve të pushkatuar si kriminelë, jo vetëm ka vendosur në vend drejtësinë, por edhe ka ripozicionuar publikun përballë një çështjeje që shpesh ne e shohim përmes lenteve të historiografisë komuniste.

Kjo e fundit i ka parë të gjitha zhvillimet në Shqipëri përgjatë Luftës së dytë Botërore nën siglën ‘Lufta Nacional Çlirimtare’, të cilën e bënë partizanët e Enver Hoxhës dhe Mehmet Shehut. Sigla tjetër është prodhuar për tradhtarët dhe kolaboracionistët ku futeshin, të gjithë bashkë, ballistët, legalistët dhe nacionalistët e tjerë të paangazhuar. Mbi këto premisa është ndërtuar një histori e Shqipërisë bazuar te dikotomia ‘ne’ dhe ‘ata’, duke bërë një spastrim të radhëve të ‘ne’ dhe duke i hedhur te ‘ata’ të gjitha tepricat. Në këtë logjikë janë shtuar dëshmorët e luftës partizane, duke rrumbullakosur një numër naiv dhe të gënjeshtërt prej 28 mijë të tillësh, për ta barabitur me kilometrat katrorë të Republikës Popullore, pastaj Socialiste. Pra, një dëshmor për kilometër katror. Prej ‘ne’ janë hequr të gjithë bashkëpunëtorët e luftës për çlirim duke futur këtu edhe aleatët e asokohe, britanikët dhe amerikanët, të cilët ndihmuan me logjistikë, veshmbathje, informacion e të tjera.

Paradoksalisht, të vrarët e Lushnjës të dekoruar prej Presidentit vërtetojnë pikërisht atë që e majta mundohet të mbajë të fshehur duke e klasifikuar me forcë si të pavërtetë: lufta e quajtur Nacional Çlirimtare ka qenë Luftë Civile. Ballistët e Lushnjës u vranë pak pas prishjes së Marrëveshjes së Mukjes në vitin 1943. Deri në prishjen e kësaj Marrëveshjeje nga komunistët e Hoxhës, pikërisht se ajo parashihte bashkim kombëtar pas çlirimit, partizanët dhe ballistët, pavarësisht skepticizmit kundrejt njëri-tjetrit, luftonin kundër të njëjtit armik. Nëse ballistët e Lushnjës nuk kanë qenë bashkëpunëtorë të italianëve, pse ndodhi vrasja e tyre atëherë? Për çfarë, nëse jo për tradhti? A nuk quhet çdo luftë mes dy palëve që nuk janë të kombësive të ndryshme ‘civile’?

Kjo është një pyetje për të revoltuarit nga dekorimi i Presidentit Nishani.

Por edhe për historianët dhe historiografinë në përgjithësi, që vazhdojnë ta interpretojnë çdo fakt të Luftës së dytë Botërore sipas dikotomisë komuniste ‘ne’ dhe ‘ata’. Veç tyre ngrenë krye edhe eksponentë politikë, të së tashmes dhe të shkuarës, të cilët nuk ngurojnë, sa herë që diskutohet emri i Mehmet Shehut, të shpallin madhështinë e tij dhe të përgatisin dekorata për të. Mund të mos e pranojnë, por gjenden në dy paradokse. Në të parin kundërshtojnë dekorimin e 67 shqiptarëve të vrarë pa gjyq e pa faj, ndërkohë që janë dakord me dekorimin e atyre që i vrau. E dyta, e shpallin Mehmet Shehun baba shpirtëror, ndërkohë që i biri, shkrimtari Bashkim Shehu në një akt kurajoz, ndoshta një prej akteve më kurajoze të bërë nga një shqiptar gjatë këtyre 25 viteve, publikisht është distancuar prej krimeve të të atit.

T’i besojmë birit të gjakut apo bijve ideologjikë?

Please follow and like us: