Albspirit

Media/News/Publishing

Kryepeshkopi Anastas Janullatos mbush 87 vjeç

Kryepeshkopi Anastas Janullatos mbush 87 vjeç

Anastas Janullatos, Kryepeshkopi i Kishës Ortodokse Autoqefale Shqiptare ka mbushur 87 vjeç, dje, më 4 nëntor. Ai ka marrë mijëra urime, nga brenda dhe jashtë vendit, nga figura shtetërore, miq dhe besimtarë.

Dr. isidor Koti, në një shkrim kushtuar Kryepeshkopit shkruan se z.Janullatos meriton të paktën një “faleminderit” në këtë ditë të shënuar: “Mes shumë viteve që mban mbi supe, nëse reflekton një moment në këtë ditë të gjatë që Kisha i kushton primatit të saj, është e habitshme mbajtja mbi vete e 25 viteve tonelata me gurë që i kanë hedhur emra e zëra të shumtë, të cilët janë vetvenitur rrugës, – shkruan ai. – E kanë përbaltur kush e di sa herë figurën e tij, vetëm për shkak të origjinës greke dhe po kaq e habitshme është si nuk i kanë gjetur asnjë të mirë, edhe pse ato nuk numërohen dot për një kohë të gjatë, edhe pse janë realizuar në një kohë të shkurtër. Por njerëzit e ndershëm dhe mendjehapur e kuptojnë sot si dhe brezat që do vijnë nesër, se ky njeri i Perëndisë e meriton të paktën një faleminderit.

E meriton këtë falenderim nga ata që kanë vjellë vrer me fjalë fyese e emërtime të rëndomta, të cilët mbase akoma nuk e kanë kuptuar se gurët e tyre të zinj kanë qenë një motiv më shumë për të ndërtuar kisha, kopshte, shkolla, spitale, jetimore, azile, etj.  E meriton të paktën një falenderim nga ata që e kanë braktisur, nga ata që e kanë tradhtuar në misionin e tij kishtar, nga ata që kanë ikur me vetëdashje, sepse nuk kanë mbajtur dot barrën e vështirë të shërbimit. E meriton të paktën një falenderim nga indiferentët dhe moskokëçarësit, nga ekstremistët, nacionalistët, emblematikët. Nga kushdo që ka dëgjuar të paktën njëherë emrin e tij në këta 25 vjet qëndrimi në Shqipëri dhe që është e sigurt se në një mënyrë ose në një tjetër ka shijuar një prej të mirave që ka ofruar Perëndia përmes tij.

Ringjallja e Kishës Orthodhokse Autoqefale të Shqipërisë, në themel,  ka kontributin e jashtëzakonshëm  të ideatorit të saj, të atij që i dha vlera të reja besimit orthodhoks në  Shqipëri, Kryepiskopit Anastas. Është e sigurt që atij nuk i shërbejnë falenderimet dhe mirënjohjet, përderisa i ka dhuratë nga Shpirti i Shenjt dhe kontributet i ka ofruar për lavdi të Zotit. Megjithatë ai sot e meriton të paktën  një faleminderit. “

Please follow and like us: