Për ata që e kanë ndjekur rregullisht festivalin ndërkombëtar të muzikës operistike “Marie Kraja” mund ta kenë parë atë edhe në zgrip të jetës. Ka patur mote që nuk dihet përse autoritetet urrenin muzikën që sjell kjo ngjarje, sepse veshët u mësohen me tam-tamet e propagandës.

Pra, ky festival është i mbijetuar dhe këtë vit shkëlqeu më shumë se herë tjetër. E mirëkuptoi shteti apo i eci fati, për ata që kishin mbushur sallën ding ka pak rëndësi.

3

Tirana, falë kësaj ngjarje është kthyer për 16 vjet rresht një pikë rëndese për të rinjtë që ëndërrojnë teatrot e mëdha, si Bol’šoj apo La Scala. Ndonjë prej tyre këto kohë ka çarë të shkojë pikërisht atje në majë të suksesit dhe nuk është pak që tek kthen kokën pas dhe sheh ku e ka nisur, nga kryeqyteti i Shqipërisë.

15 ishin këngëtarët që kanë thurrur këtë ëndërr në kryeqendrën e shqiptarisë gjatë këtyre ditëve. U bënë pjesë e një ngjarje të madhe artistike, por edhe personazhe të një shfaqje të dinjitetshme.

2

Ata patën mundësi të paraqiteshin para një jurie të peshës së rëndë si fjala vjen David Pountney, drejtor Artistik i Operas Kombëtare të Wellsit, Eva Kleinitz, drejtore e Operas Stuttgart apo Olga Kapanina, drejtore e Kastingut në teatrin e Moskës, Bol’šoj.

Kanë qenë dy netë të triumfit të muzikës klasike, të arieve të operave më të njohura, të cilat erdhën me gjithë bukurinë e tyre prej Orkestrës së TKOB udhëhequr nga dirigjenti Leonadro Quadrini, i cili e njeh këtë festival po aq mirë sa Robert Radoja, udhëheqës artistik.

Këtë vit skena e Bashkim Zahaj qe një ndërthurrje e klasikes me teknologjinë më të fundit, kurse prezantimi ishte me të vërtetë një befasi e këndshme. Enkeleda Kamani e bërë e bukur pikë, falë edhe Enada At’Nikollës, ishte krejt e rrjedhshme dhe e zotëronte skenën dhe kamerat shkëlqyeshëm. Kjo soprano, e cila fitoi motin e shkuar festivalin bën mirë mos të përzihet më me punët e televizionit, se do lërë profesionistët pa punë.

Duhen thënë dy fjalë për Pali Kuken, i cili i jep hijeshi ngjarjes. Ai nuk xhiron një event, thjesht e pikturon.

Por, për hir të kronikës le të përmendim çmimet fituese.

Çmimin “Singer of the future” e mori Renisa Lacka, e cila këndoi “Margjelon” e mirënjohur

Çmimi “Nina Mula” shkoi për këngëtaren greke Maria Elenis Strimftompola4

Çmimi i tretë i Festivalit “Marie Kraja” i takoi Klodian Kaçanit, i cili ka ende shumë pa zbuluar nga mundësitë e mëdha vokale që i ka falur Zoti.

Çmimi i dytë shkoi për baritonin shumë premtues, Andreë Kymach.

Për këtë vit, Festivali ndërkombëtar i muzikës operistike “Marie Kraja” u fitua nga sopranoja gjeorgjiane Ilona Mataradze.

Drejtore e këtij festivali për këtë vit ishte Inva Mula, por nuk duhet ta ketë patur të vështirë, sepse udha tashmë është e shtruar nga Zana Çela.