Albspirit

Media/News/Publishing

Fitorja e Trumpit do të trimërojë rusët dhe serbët për të nxitur konflikte

Fitorja e Trumpit do të trimërojë rusët dhe serbët për të nxitur konflikteJANUSZ BUGAJSKI

Ekziston rreziku i vlerësimit të gabuar të Rusisë dhe dominimi në marrëdhëniet me Uashingtonin. Trumpi mund të provojë të tregohet si një person që reagon më fuqishëm në diçka që e vlerëson si fyerje të Moskës, apo palës tjetër që e shkel marrëveshjen. Paparashikueshmëria e tillë mund të rezultojë në konfrontim të papritur dhe shumë më të rrezikshëm ndërkombëtar.

Amerika e ka Presidentin e ri dhe hyn në një epokë të re të paparashikueshme dhe të ndryshueshme. Dilema kryesore me të cilën përballet presidenti i zgjedhur, Donald Trump, është fakti nëse do t’i ndjekë premtimet parazgjedhore dhe të shkaktojë konflikte serioze brenda dhe jashtë Shteteve të Bashkuara, ose t’i tërheqë kërcënimet dhe ta zemërojë gjysmën tjetër të elektoratit, të cilën e ka parë si një shpëtimtare populliste.

Donald Trump do të inaugurohet në mesin e janarit të ardhshëm. Ai do të përballet me sfida të jashtëzakonshme në fushën e politikës së brendshme dhe të jashtme pas zgjedhjeve të cilat e ndanë vendin dhe shqetësuan shumë aleatë të SHBA-ve. Në të vërtetë, të dy kandidatët e kanë ndarë vendin më shumë se çdo politikan tjetër në historinë më të re amerikane.

Në planin e brendshëm ka një nevojë urgjente për pajtimin e frustruar të opinionit. Pjesa më e madhe e sheh Qeverinë federale në Uashington si një elitë të korruptuar. Trumpi ka premtuar se do «ta thajë kënetën e kryeqytetit», por nuk është e qartë se çfarë do të thotë kjo në praktikë. Çfarëdo përpjekje për një spastrim dhe hetimin e politikanëve si Klintonët mund ta rrezikojë bashkëpunimin jashtë interesave partiake politike në Kongres.

Rrezik po aq të madh paraqet reagimi publik kundër Trumpit nëse ai fillon t’i zbatojë premtimet për dëbimin e miliona meksikanëve dhe emigrantëve tjerë hispanikë, ose nëse fillon ndalimin e hyrjes së myslimanëve në vend, përkatësisht nëse fillon me kontrolle ekstreme të terroristëve «të mundshëm». Nuk mund të përjashtohet mundësia që Amerika do të dëshmojë në shkallë masive dhunën e paparë që prej lëvizjes së të drejtave civile dhe fushatën kundër Luftës së Vietnamit, 60 vjet më parë. Programi ekonomik i Trumpit është plot premtime, por pa detaje. Ideja se Qeveria federale mund të sigurojë rritjen ekonomike dhe të krijojë miliona vende të reja pune është shumë e thjeshtë dhe mashtruese. Megjithatë, dështimi në realizimin e premtimeve të fushatës do të çojë në kundërshtim më të madh ndaj Trumpit dhe ai mund të dëshmohet si një «insajder» i Uashingtonit, apo edhe si një mashtrues i zakonshëm.

Për fat të mirë, mekanizmat që ekzistojnë në sistemin amerikan do t’i neutralizojnë disa nga instinktet autoritare të Trumpit, krahas heshtjes së medieve, ose mbylljes në burg të kundërshtarëve politikë. Megjithatë, duke pasur parasysh faktin se të dy Dhomat e Kongresit (Senati dhe Dhoma e Përfaqësuesve) janë në duart e republikanëve, Trumpi do ta ketë lehtë për t’i çuar përpara politikat që shkaktojnë ndarjen e mëtejshme të kombit.

Sidomos agjenda konservatore sociale krahas kufizimeve në abort dhe heqja e disa të drejtave liberale në emërimin e gjyqtarëve të Gjykatës Supreme ka shkaktuar rezistencë të madhe të grupeve të qytetarëve. E përsëris, janë të mundshme edhe protestat, edhe dhuna, nëse Trump përpiqet t’i shtyjë përpara premtimet konservatore të fushatës.

Në sipërfaqe do të dalë një seri e temave polarizuese, përfshirë kujdesin shëndetësor gjithëpërfshirës, pagat minimale dhe tatimin në të ardhura. Është vështirë që Trumpi t’i përmbushë pritjet e studentëve dhe të punëtorëve të varfër, meqë ka premtuar që t’i reduktojë kufizimet për bizneset dhe taksën për kompanitë e mëdha, por nuk e ka mbështetur rritjen e pagës minimale.

Në skenën ndërkombëtare trumpizmi është pjesë e lëvizjes së gjerë djathtiste e cila po forcohet në Evropë dhe e cila bazohet në ksenofobi, antiglobalizëm, nacionalizëm politik dhe proteksionizëm ekonomik.

Recetat ekonomike trumpiste do të sigurojnë që të vijë deri te një rishikim i të gjitha marrëveshjeve ekzistuese për tregti të lirë dhe që asnjë marrëveshje e re nuk do të nënshkruhet me Evropën apo me Azinë Lindore. Kjo paradoksalisht do ta dëmtojë krijimin e kompanive të reja, do të rriten çmimet e mallrave dhe, në fund të fundit, do ta dëmtojë punëtorin amerikan. Gjithashtu do të krijojë probleme me Kinën dhe me fuqitë tjera të rëndësishme, si dhe të krijojë tensione të reja në rajonet që ngecin, të tilla si Azia Lindore.

Premtimet e Trumpit se do ta shkatërrojë të ashtuquajturin Shtet Islamik dhe se do ta anulojë marrëveshjen bërthamore me Iranin mund të paralajmërojnë një garë të re armatimi në Lindjen e Afërt, ku është shfaqur dëshira e Arabisë Saudite për armë bërthamore. Trumpi, në fakt, e ka mbështetur përhapjen bërthamore në Lindjen e Afërt dhe të Largët gjatë fushatës së tij zgjedhore.

Shteti që më së shumti mund të përfitojë nga presidenti Trump është Rusia e Vladimir Putinit. Trumpi e ka lavdëruar Putinin si një udhëheqës të madh, e ka quajtur NATO-n të vjetruar, ndërkohë që disa prej aleatëve të tij të huaj veprojnë në Rusi, apo janë të lidhur privatisht me Kremlinin.

Asnjë aleat evropian nuk mund të jetë i sigurt se SHBA-të do të mbeten të përkushtuara për NATO-n dhe se do ta mbrojnë sigurinë e tyre nacionale. Në të vërtetë, komentet e Trumpit në lidhje me NATO-n si e tepërt kishin pasoja serioze në Frontin Lindor, nga Baltiku deri në Detin e Zi. Putini do të mund ta testonte reaksionin e Trumpit me një luftë të shkurtër me një vend, siç është Estonia, dhe të pretendojë se bëhet fjalë për një problem lokal që nuk ka të bëjë me Shtetet e Bashkuara.

Edhe më shumë ka të ngjarë që Kremlini do të përpiqet ta joshë Trumpin për në një ndarje të re të Europës, në këmbim të një koalicioni të madh antiterrorist, i cili do t’i konvenonte Moskës. Një qasje e tillë do t’i inkurajonte aleatët dhe partnerët e Rusisë, siç është Serbia, për ta marrë një rol më të madh në Ballkan, pa frikën e reagimit të rëndësishëm amerikane në kohën e kaosit në Evropë.

Ekziston rreziku i vlerësimit të gabuar të Rusisë dhe dominimi në marrëdhëniet me Uashingtonin. Trumpi mund të provojë të tregohet si një person që reagon më fuqishëm në diçka që e vlerëson si fyerje të Moskës, apo palës tjetër që e shkel marrëveshjen. Paparashikueshmëria e tillë mund të rezultojë në konfrontim të papritur dhe shumë më të rrezikshëm ndërkombëtar.

Please follow and like us: