Albspirit

Media/News/Publishing

Majlinda Kola: Piramidat e pëmbysura

received_1839015053012427

 

Shqiptarët janë të fiksuar me format piramidale  edhe pse ato i dalin gjithmonë të përmbysura.

Fotografiimi i realitetit të sotëm tregon qartë se:

  • qytetari shqiptar mesatar qëndron më lart sesa një deputet;
  • një antar partie më lart se drejtuesit e saj mediokër;
  • një nënpunës më lart se shefi i tij militant e injorant
  • një docent i thjeshtë qëndron më lart sesa drejtori apo dekani
  • një gjykatës i shkallës së parë më lart sesa gjykatësi i apelit
  • një avokat mesatar shumë më lart se kryetari i përjetshëm i dhomës së avokatisë
  • një mjek i ri qëndron më lart se shefat e tij të formuar në shekullin e kaluar dhe aspak të azhornuar
  • një gazetar i thjeshtë qëndron më lart sesa redaktori i tij apo supergazetarët e paguar miq të pushtetit
  • një oficer shumë më lart sesa eprorët e tij që gradohen edhe pa shkollë e trajnime, etj, etj.

Po si erdhëm në këtë pikë?

Populli me eksperiencën e tij të përvuajtur pranon se “peshku qelbet nga koka”.

Nëse ti krijon forma piramidale sigurisht rreziku është gjithmonë akut.

Por piramida është forma më e thjeshtë për shoqëritë e prapambetura. Ajo kërkon që populli të mbetet minoren e ti delegojë “njëshit” drejtimin e jetës. Bashkuar kjo me dembelizmin dhe injorancën, kokteili bëhet vrastar.

Vijimi i kësaj tradite edhe tek të rinjtë që vrapojnë të magjepsur pas projekteve, forumeve, seminare mbi lidershipin, dëshmon se piramidat do vijojnë ende gjatë.

Vizioni elitist, ku vendimarrja buron nga lart është sot idea dominante që qarku politik, mediatik, akademik pompon sistematikisht mbi të rinjtë shqiptarë. Ky mendim unik, krijon iluzionin se gjërat ndryshojnë vetëm nëse ti bëhesh një lider “i mirë” në vend të zgjidhjeve bashkëkomunitare ku diskutimi për emrat trasformohet në diskutim për gjërat.

Por tashmë, sistemi e ka bërë efektin.

Askush nuk dëshiron të dalë jashtë dogmës, secili lufton veçse për tu bërë lider.

Konkurrenca zëvendëson bashkëpunimin, individualiteti eklipson komunitetin, banaliteti mbyt realitetin.

Sa qesharake kur sheh sesi psistët, pdistët, lsistët antikomunistët, ishkomunistët etj vazhdojnë betejat donkishoteske pa kuptuar se vuajnë të njëjtin vizion elitist, ku secili sheh shpëtimin tek lideri i tij preferuar.

Të ndodhur brenda këtij kurthi psikologjik të gjithë shtrojnë të njëjtën  pyetje idjote: kush do na shëtojë?

Por kjo është pyetje retorike! Kjo pyetje është kurth sepse nuk pranon përgjigje!

Dëshpërimi është i pashmangshëm sepse kuptohet që nuk jetojmë më në kohëra heronjsh. Askush nuk beson tashmë, se mund të vijë një drejtues, kryeministër, President apo drejtor i ndershëm.

Dhe shumë mirë që nuk besojnë!

Problemi është se e shohin zgjidhjen përsëri tek ndryshimi i liderit dhe jo tek përmbysja e piramidës. Tek lufta e fytyrave dhe jo strukturave që krijojnë dhe riciklojnë këto fytyra!

Dalja e popullit nga gjendja e minoritetit, ishte misioni i Iluminizmit ku vendimet nuk delegohen por merren bashkarisht. Iluminizmi vuri në qendër të drejtat dhe demokracinë, raporte të baraslarguara në formën e rrethit ku çdo kush kontribuonte për të mirën publike.

Institucionet nuk quhen publike vetëm sepse mbrojnë të mirën publike, por në radhë të parë ato formohen e kontrollohen nga vetë publiku.

Demokraci do të thotë fundi i piramidës dhe jo zëvendësimi i saj. Piramidën enveriste e ndërruam me atë “pluraliste”, po prapë mbetëm spektatorë të diktatorëve me rotacion.

Rrëzimi i piramidës nuk krijon vakum, por zëvendësimin me forma demokratike ku vendimet nuk merren më nga njëshat gjysmakë por nga sa më shumë bashkëkomunitarë.

Meritokracia është e lidhur ngushtë me demokracinë si e vetmja formë që qarkullon dhe vlerëson energjitë dhe talentet.

Nëse shoqëria jonë do vijojë të mbetet hermetike e mbërthyer nga një klasë parazitare që emërojnë dhe riciklojnë njëri tjetrin dekompozimi është i pashmangshëm.

Komunizmi ra pikërisht prej mediokritetit ekstrem dhe kënetës mbushur me bufa,  zvarranikë e brejtës të pangopur.

Çdo sistem i tillë i ngritur mbi piramida herët a vonë bie. Ky system po bie.

E rëndësishme që ne të rinjtë e painfektuar të këtij vendi, të mos gabojmë si prindërit tanë që zëvendësuan piramidat dhe ricikluan maskat e penduara të kastës.

Rrugëtimi i vetëm për Normalizimin e vendit është ai iluminist që bën pjesëmarrës çdo qytetar shqiptar në fatet e vendit dhe politikat publike.

Fillojmë aty ku e lam: Liri-Demokraci!

 

Aktiviste shqipON

Please follow and like us: