Albspirit

Media/News/Publishing

 Shaban Murati: Kundërevolucioni i heshtur rus në Ballkan

Aksioma marksiste se revolucioni është lehtë të kryhet, por është vështirë të mbahet, po e kalon provën e re historike në Europën Juglindore, ku shihet se si në disa vende ish-komuniste po lëkunden rezultatet e revolucioneve demokratike, që përmbysën para 25-26 vjetësh regjimet komuniste dhe perandorinë komuniste të drejtuar nga Moska. Fitorja e presidentëve me orientim të hapur prorus në Bullgari dhe Moldavi në zgjedhjet presidenciale të datës 13 nëntor është një zhvillim i ri interesant, që tregon se një rrymë negative, e kundërt me integrimin europian, po lëviz në vorbullën politike dhe gjeopolitike të rajonit. Për shkak të kuadrit të njëkohshëm gjeopolitik, po e përfshij në analizë Moldavinë së bashku me Bullgarinë, jo se Moldavia është shtet ballkanik, por se të dy shtetet kanë qenë pjesë e influencës ruse në kohën e perandorisë komuniste sovjetike dhe pjesë e Traktatit ushtarak të Varshavës, të drejtuar nga Moska. Nga ana tjetër, Moldavia është anëtare e së vetmes organizatë rajonale, SEECP, (Procesi i bashkëpunimit të vendeve të Europës Juglindore), ku është pranuar pa pasur asnjë lidhje dhe asnjë karakteristikë të përbashkët me vendet ballkanike.

Moldavisë në vitin 2006 iu dha një pasaportë dhe shtetësi rajonale nga kombinacionet e diplomacisë ruse dhe rumune, dhe për fat të keq, edhe me mendjelehtësinë e diplomacisë shqiptare, që i dha votën një shteti jashtëballkanik dhe armiqësor ndaj çështjes së Kosovës. Ndërhyrja dhe ndikimi rus, i realizuar në heshtje, me metoda të sofistikuara dhe me fokus të përqendruar ballkanik gjatë dhjetë viteve të fundit, po jep frytet e veta në ndryshimet graduale proruse të udhëheqjeve të vendeve të rajonit. Duhet theksuar se zgjedhja në Bullgari dhe në Moldavi e kryetarëve të shtetit me orientim strategjik drejt Rusisë nuk është e rastit. Së pari, tregon se kemi të bëjmë me një fenomen gjeopolitik rajonal dhe jo me një zhvillim aksidental në një shtet të vetëm. Së dyti, tregon se kemi të bëjmë me një fenomen të sponsorizuar nga jashtë. Është disi për t’u habitur që në analizën e këtij fenomeni të ri dominoi përfundimi se këto janë rezultat i zhvillimeve të brendshme, të pakënaqësisë apo të përplasjeve sociale e historike brenda shoqërive të vendeve përkatëse.

Neglizhohet faktori i rëndësishëm se rezultatet e zgjedhjeve në Bullgari dhe në Moldavi janë produkt i një sponsorizimi intensiv dhe të gjithanshëm të diplomacisë dhe të institucioneve të specializuara ruse, të cilat ndihmuan, organizuan dhe financuan jo vetëm Partinë Socialiste në Bullgari dhe Partinë Socialiste në Moldavi dhe kandidatët e tyre presidencialë prorusë, por edhe organizata, shoqata joqeveritare, kompani mediatike dhe rrjete sociale, që ta devijonin dhe ta drejtonin rezultatin e zgjedhjeve drejt fitores se kandidatëve prorusë. Këtë e pohon edhe zëvendëskryetari i komitetit të mbrojtjes dhe të sigurisë të Këshillit të Federatës Ruse, Franz Klintseviç, i cili duke komentuar zgjedhjet presidenciale në Bullgari dhe në Moldavi, në “Sputniknews” në 16 nëntor, deklaron: “Pozita e Rusisë në arenën botërore ka lozur një rol substancial në rezultatin e zgjedhjeve. Kjo tendencë do të forcojë pozitat e Rusisë dhe kjo tendencë do të vazhdojë në Europë”. Devijimi nga prirja proeuropiane në prirjen proruse të udhëheqësve të vendeve të rajonit, konkretisht të presidentëve të rij në Bullgari dhe në Moldavi, nuk mendoj se është vetëm shprehje e pakënaqësisë së masave të njerëzve ndaj krizës ekonomike dhe varfërisë dhe as vetëm nga zhgënjimi i madh i masave prej anëtarësimit në BE i Bullgarisë, apo nga marrëdhëniet e deritanishme me BE të Moldavisë.

Duhet theksuar me forcë se në Bullgari dhe në Moldavi nuk fituan partitë apo personalitetet euroskeptike, por fituan partitë dhe personalitetet proruse. Është një dallim, që duhet bërë dhe që ndihmon për të kuptuar kahun dhe prirjen e zhvillimeve të sotme dhe të ardhme në këto dy vende dhe në krejt rajonin. Dilema që u shtrua në zgjedhjet presidenciale në Bullgari dhe në Moldavi nuk ishte “brenda BE apo jashtë BE”, siç qe në Britaninë e Madortodokse he në rastin e referendumit për Brexit. Dilema në dy shtetet e mësipërme qe: “Me Europën apo me Rusinë” dhe përgjigja u dha me fitoren elektorale të presidentëve prorusë. Ka një vetëngushëllim në disa qarqe mediatike dhe diplomatike se presidentët në Bullgari dhe në Moldavi nuk kanë pushtetin vendimtar dhe se ato nuk janë republika presidenciale. Por duket një autosugjestion, që synon të qetësojë veten përballë zhvillimeve dhe fenomeneve negative gjeopolitike, që po ndodhin në rajonin tonë në drejtim të orientimit strategjik.

Presidentët vërtet nuk bëjnë dot ndryshime radikale të orientimin gjeopolitik, por ndikojnë për këto ndryshime, me gjithë kufizimet e pushtetit të tyre. Kryetari i shtetit në rastin e Bullgarisë merr pjesë në samitet e BE dhe të NATO-s dhe nëse ka ndonjë lloj implikimi prania e kryetarëve të shtetit, të cilët e kanë mendjen dhe zemrën tek Rusia, është lehtë të merret me mend. Prirja proruse ka dhe do të ketë pasojat e veta, sepse nëse presidenti i sapozgjedhur i Bullgarisë është shprehur kundër sanksioneve të BE ndaj Rusisë, kjo do të thotë që Bullgaria po ndryshon kamp. Nëse presidenti i sapozgjedhur i Bullgarisë në mënyrë absurde është shprehur që Krimeja i takon Rusisë, duke miratuar aneksimin e Krimesë nëpërmjet agresionit rus, kjo nuk mund të mos ketë pasojat e veta në qëndrimet dhe në kohezionin e politikës së NATO-s dhe të BE në krizën ukrainase dhe në Detin e Zi. Rusia po këmbëngul, dhe në disa raste po ia arrin, të ndryshojë situatat gjeopolitike.

Duhet konsideruar sukses i saj, që arriti në Bullgari dhe në Moldavi të vinë në krye të shtetit personalitete proruse. Sot arriti me presidencat, nesër mund të arrijë me kryeministrat. Makina e nëndheshme e ndërhyrjes ruse vazhdon procesin e kundërrevolucionit të heshtur për përmbysjen e rendit gjeopolitik properëndimor në rajon. Moska po shfrytëzon disa rrethana dhe faktorë, të cilët për fat të keq janë neglizhuar nga diplomacia europiane në politikën e saj rajonale. Kundërrevolucioni antiperëndimor i Moskës po zhvillohet në vendet ish-komuniste, të cilat kanë qenë dikur pjesë e sferës së influencës ruse. Kjo do të thotë që Moska po shfrytëzon lidhjet dhe nostalgjitë dhe sidomos rrjetet, që mbetën të paprekura në vendet e ish-perandorisë komuniste sovjetike edhe pas shembjes së komunizmit. E përditshmja bullgare “Novinite” në 13 nëntor publikonte analizën e presidentit aktual të Bullgarisë, Rosen Plevneliev, i cili lidhur me rolin e Rusisë në zgjedhjet presidenciale, thekson se “korrupsioni, propaganda, varësia energjetike dhe kanalet e influencës së kohës komuniste mund të ndihmojnë Rusinë. Është e vërtetë se shërbimet komuniste u mbyllën, por rrjetet dhe agjentët e tyre vazhduan të ekzistojnë”.

Kundërrevolucioni i Moskës po gjen hapësira në vendet e varfra të rajonit. Bullgaria është shteti më i varfër i BE dhe Moldavia është shteti më i varfër i Europës. Mentaliteti primitiv i zgjidhjes brenda ditës së varfërisë vazhdon të jetë dominues në këto vende, por në të njëjtën kohë është instrument i favorshëm psikologjik dhe propagandistik për veprimin rus, që shërbehet me dogmat e vjetra komuniste. Ringjallja e lidhjeve “vëllazërore” me Rusinë po paraqitet si receta e lulëzimit ekonomik të vendit nga presidentët e sapozgjedhur të Bullgarisë dhe të Moldavisë. Me sa duket, brezat e vjetër dhe të rij në Bullgari kanë harruar se edhe në kohën kur Bullgaria ishte sateliti më i bindur i Moskës, saqë quhej republika e 16-të sovjetike, Bullgaria ishte vendi më i varfër i gjithë kampit komunist. Rrethanë tjetër është shfrytëzimi, që Rusia po i bën përkatësisë ortodokse të vendeve të rajonit në peshkimin e saj gjeopolitik. Ortodoksizmi është bërë një nga instrumentet kryesore të politikës së jashtme ruse nën presidentin Vladimir Putin. Kisha Madortodokse ruse është aleatja më e madhe e shtetit dhe e diplomacisë ruse në rajonin tonë, me një aktivizim të jashtëzakonshëm të misioneve fetaro-agjenturore.

Kishat ortodokse në Bullgari, Moldavi apo vendet e tjera kanë qenë tepër aktive në nxitjen e prirjeve dhe të forcave proruse në elektorat, në politikë, në mediat dhe në të gjitha shtresat sociale. Jo rastësisht revista e mirënjohur britanike “The economist”, në 14 nëntor, duke analizuar zgjedhjet presidenciale në dy shtetet e mësipërme, theksonte “situatën e njëjtë bizantine në Bullgari dhe në Moldavi”. Duhet mbajtur parasysh se me ardhjen e presidentëve prorusë në Bullgari dhe në Moldavi, kemi një zgjerim të hartës së ndikimit rus në nivelet më të larta të shteteve të rajonit dhe do të shohim se në mozaikun prorus kemi kryeministrin grek, presidentin qipriot, presidentin serb, presidentin e të ashtuquajturës serpska republika, presidentin e Sllovenisë, pa shkuar deri tek presidenti i Çekisë dhe i Sllovakisë apo kryeministrin e Hungarisë.

Nëse në rajonin e Europës Juglindore, i cili është i tëri pa përjashtim i përfshirë në procesin e integrimit europian, shfaqet papritur fenomeni i zgjedhjes së udhëheqësve, që e kanë mendjen dhe zemrën tek Rusia, ky është rezultat i kundërevolucionit të heshtur rus. Kundërrevolucioni i heshtur rus, që synon të ndryshojë rezultatet e përfundimit të luftës së ftohtë dhe të korrigjojë “katastrofën gjeopolitike kombëtare të Rusisë”, siç e quan Vladimir Putini prishjen e Bashkimit Sovjetik, ka dhe do të ketë efektet të tjera në rajonin tonë. Kjo kërkon një zgjim të ri profesional dhe kombëtar të diplomacisë dhe të institucioneve të specializuara të shtetit shqiptar. Erërat e ftohta të stepave të Lindjes ruse mund të prekin edhe Shqipërinë. Rritja e numrit të shteteve rreth e qark nesh, me udhëheqës prorusë, mund të shkaktojë efekte negative në hartën e qëndrimeve strategjike të rajonit. Në raport me Shqipërinë, duhet të mbahet parasysh se kundërrevolucioni i heshtur gjeopolitik rus mund të ndikojë negativisht në dy drejtime. Së pari, në drejtim të çështjes sonë kombëtare, ku në rend të ditës mbetet njohja ndërkombëtare e shtetit të pavarur të Kosovës.

Ardhja në pushtet e presidentëve apo e forcave proruse, automatikisht do të sjellë edhe një shkallëzim qëndrimi negativ ndaj të drejtës dhe pjesëmarrjes së Kosovës si anëtare me të drejta të plota në organizatat rajonale, kontinentale dhe botërore. Së dyti, në drejtim të Shqipërisë. Kuptohet se presidentët dhe udhëheqësit me prirje dhe lidhje proruse do të ashpërsojnë qëndrimet e tyre ndaj vendit tonë, në përputhje të hapur ose të fshehtë me vizionin rus të politikës së jashtme. Duhet pritur që Rusia, e inkurajuar nga rezultatet e veprimtarisë së saj të nëndheshme në vendet e rajonit, ku po rigjallërohen dhe po fitojnë terren forcat proruse, të intensifikojë edhe më shumë ndërhyrjen e saj në Shqipëri në rastin e zgjedhjeve parlamentare të vitit të ardhshëm. Kjo mund të bëhet duke sponsorizuar forca të majta dhe të djathta, grupe të vjetra dhe të reja politike, politikanë dhe oligarkë ambiciozë, shoqata joqeveritare fitimprurëse, qarqe kriminale dhe agjenturore, grupe mediatike dhe rrjete sociale, të cilat kanë demonstruar një mungesë të plotë imuniteti përballë infeksionit financiar rus.

Rusisë i intereson që në pushet në Shqipëri të vijnë forca jo vetëm proruse, por edhe forca të nënshtruara dhe servile ndaj dy aleatëve kryesorë të Rusisë në Ballkan, që janë Serbia dhe Greqia. Ndaj, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në Shqipëri pritet të shihet një rigjallërim i pazakontë dhe një koalicion i forcave proruse, proserbe dhe progreke, për ta larguar Shqipërinë nga orientimi euroatlantik dhe për ta mbajtur atë si një shtet raja dhe të kontrolluar nga aleanca e shteteve ortodokse, të drejtuara nga Rusia. Përplasja gjeopolitike midis Perëndimit dhe Rusisë po vazhdon dhe ajo pritet të thellohet në vitet e ardhshme. Revolucionet demokratike, që përmbysën komunizmin ndodhen përballë rrezikut të erozionit nga kundërrevolucioni i heshtur i Rusisë. Shqipëria nuk është e imunizuar nga ai rrezik.

Please follow and like us: