Albspirit

Media/News/Publishing

Moska të ketë kujdes, në skenë ka dalë një “Vladimir Putin” amerikan!

Moska të ketë kujdes, në skenë ka dalë një “Vladimir Putin” amerikan!

Në tërësi, Rsuia tashmë po e gjen veten në përballje me një president që nuk luan sipas rregullave, që shfaq paparashikueshmëri, që ka vullnetin të vendosë bast sesa të luajë lojë të sigurtë, dhe që është shumë protektiv për imazhin e tij si njeri veprimi dhe me autoritet. Putin, duket se do ta kalojë katërvjeçarin e ardhshëm duke “shijuar” vetë atë që ka ndjerë Perëndimit kur është përballur me të

Joshja e vazhdueshme, kur vjen puna tek Rusia, është të pohosh se ai tjetri është shumë më i zgjuar sesa ne. Nga kriza europiane e emigrantëve tek Brexit e fitorja surprizë e Donald Trumo këtë javë, ka nga ata që shohin dorën e Vladimir Putin dhe, si rezultat, dalin në përfundimin se ai gjithnjë ndodhet tre hapa përpara. E vërteta është se ai ka gjasa të ketë mbetur po aq i habitur sa gjithë të tjerët nga rezultatet e zgjedhjeve presidenciale amerikane. Dhe jo tërësisht për mirë.

Në të gjithë “peshkimin” e tij ndaj mjedisit politik amerikan gjatë gjithë vitit të kaluar, – jo më pak në mohimin “Kush, unë?” për përpjekjet e hakerimit të postës elektronike – Putin nuk po përpiqej të nxiste zgjedhjen e Trump. Në të vërtetë, një pjesë e arsyes së ndërhyrjes së Rusisë në zgjedhje ishte saktësisht për shkak se vëzhguesit e Amerikës në vend ishin të bindur se Hillary Clinton ishte një “bravë” dhe – duke pasur frikë se ajo do të ishte një antagoniste shumë më e ashpër sesa paraardhësi i saj, ata dëshironin që të përpiqeshin dhe ta bënin të sigurtë që ajo të hynte në Dhomën Ovale, tashmë të dobësuar dhe të shushatur.

Edhe pse parlamenti rus shpërtheu në duartrokitje për lajmin dhe politikani ultra-nacionalist Vladimir Zhirinovsky e festoi me shampanjë, Putin ishte shumë më tepër dyshues dhe thjesht deklaroi se ai shpresonte se “do të punonte së bashku” me presidentin e ri amerikan për të adresuar krizën në marrëdhënie. Ngjashëm, zv.ministri i Jashtëm, Sergei Ryabkov tha se rusët “nuk po përjetojnë eufori”, ndërsa një analist rus i politikës së jashtme theksoi se ende nuk dihet se cila do të jetë presidenca Trump.

Gjatë zhvillimit të fushatës, Trump sigurisht që ka thënë gjëra që Moskës i kanë pëlqyer t’i dëgjojë. Nga përsëritja e lavdërimeve për Putin tek deklaratat e tërthorta se do të njihte aneksimin e Krimesë në Ukrainë e deri tek premtimit për të reduktuar bashkëpunimin me NATO-n, rusët nuk do t’i kishin parashtruar edhe vetë më mirë këto pika bisedimesh. Ata gjithashtu, e kjo është e sigurtë, po e shijojnë efektin që deklaratat kanë tek aleatët e Amerikës dhe tek ata që e shohin Amerikën si një vend për t’u marrë shembull e nga i cili presin mbështetje.

Në Europë, për shembull, perspektiva e rinovimit të sanksioneve ndaj Rusisë për ndërhyrjen e saj në Ukrainë do të jetë pafundësisht më e dobët nëse shihet se nuk ka më mbështetje nga Uashingtoni.

Megjithatë, ka shqetësim serioz në Moskë. Para së gjithash, ashtu si edhe pjesa tjetër e botës, rusët kanë mësuar të mos i besojnë gjithçkaje që thotë një kandidat në fushatë. Ministri veteran i Punëve të Jashtme, Sergei Lavrov vuri në dukje: “Kjo është jeta, kjo është politika, kam dëgjuar shumë fjalë, por ne do të gjykojmë nga veprimet”. Përveç kësaj, ka ndërgjegjësim se asnjë president nuk bën atë saktësisht që dëshiron dhe se Kongresi, makineritë e  departamentit të Mbrojtjes dhe të Shtetit, sikundër edhe komponentë të tjerë të mjedisit politik amerikan do ta kufizojnë atë, të paktën në një farë shkalle.

Ekziston gjithashtu shqetësimi se retorika e Trump për “Amerikën të parën”, manierat e tij të madhështisë mund të merren lehtësisht peng nga interesa të tjera që nuk i përshtaten Moskës dhe aq mirë. Sigurisht ai është një adhurues i Putinit tani, por një skenar veçanërisht shqetësues është se Ukraina mund të gjejë mënyrën për kontakte personale me presidentin e ardhshëm (analistët rus e prekin këtë çështje duke thënë se ambasadori i ardhshëm në Uashington duhet të jetë një mbretëreshë bukurie). Politika e tij për Europën Lindore mund të lëkundet brenda natës.

Pikërisht kjo veçori nënvizon problemin kyç për Kremlinin me presidencën Trump: ai është i paparashikueshëm. Donald Trump është një njeri që nuk ka historik në politikën e jashtme,  nga i cili të mësohen besimet dhe interesat e tij dhe asnjë angazhim të qëndrueshëm në ndonjë ideologji. Ai drejtohet nga vaniteti i zhveshur prej të gjithave dhe nga një vetë-interes kombëtar po aq i zhveshur.

Me fjalë të tjera, Trump brendëson cilësitë më kryesore që ka edhe Putin. Mjeshtri i ashpër i Kremlinit që si fëmijë mbahet mend si një person i qetë dhe serioz dhe trajnimi në KGB dhe pasioni për artet marciale, nënvizojnë disiplinën dhe kontrollin, ka mësuar sesi të përvetësojë personalitetin e një macho-je,  të paparashikueshmi dhe që nuk ka drojë në ndërmarrjen e rrezikut. Ai ka krijuar varësi nga Perëndimi në rolin që ky i fundit duhet të luajë, atë të një të rrituri të përgjegjshëm, që do të bëjë të pamundurën për të shmangur konfrontimin dhe përballjen. Trump, sidoqoftë, duket se është më Putin sesa vetë Putini.

Kështu, së pari Rusia do të humbasë taktikën e saj të preferuar, atë të provokimit të perëndimit. Tani, Moska nuk do të mund të bazohet më në vetëpërmbajtjen e Amerikës dhe në angazhimin e saj për etikën dhe normat e diplomacisë.

Le të mos harrojmë se presidenti i zgjedhur amerikan ka thënë se avionët rusë që u afrohen atyre amerikanë, apo anijeve amerikane duhet, nëse është e nevojshme të rrëzohen.

Duke folur më në përgjithësi, çfarë ndodh nëse presidenti i zgjedhur Trump vendos se Putin është një rival apo që Rusia përbën një krëcënim?

Edhe pse ai e ka kritikuar presidentin Obama dhe rivalen Clinton për mbështetjen e tyre ndaj ndryshimeve të regjimeve në Lindjen e Mesme, ai i ka kritikuar ata se nuk ndërhynë për rrëzimin e qeverisë iraniane kur sanksionet ishin “duke e mbytur”. Propozimi i tij për liderine fortë të Libisë, Muammar al-Gaddafi ishte vrasja: “Një shkrepje kirurgjikale dhe e heqim qafe”.

Në fund të fundit, Trump nuk është një pëllumb. Kundërshtia e tij me luftërat në Irak dhe Afganistan nuk ishte aq shumë me luftimet sesa me delikatesën aktuale të taktikave amerikane (po zhvillojmë një luftë shumë politikisht të sjellshme). Në Irak dhe në Libi, ai sugjeroi se duheshin vendosur trupa amerikane për të marrë naftën.

Në tërësi, Rsuia tashmë po e gjen veten në përballje me një president që nuk luan sipas rregullave, që shfaq paparashikueshmëri, që ka vullnetin të vendosë bast sesa të luajë lojë të sigurtë, dhe që është shumë protektiv për imazhin e tij si njeri veprimi dhe me autoritet. Putin, duket se do ta kalojë katërvjeçarin e ardhshëm duke “shijuar” vetë atë që ka ndjerë Perëndimit kur është përballur me të./tesheshi

Please follow and like us: