Albspirit

Media/News/Publishing

Një biznesmen shqiptaro-amerikan, ka filluar punën për një takim Rama-Trump?!

Një biznesmen shqiptaro-amerikan, ka filluar punën për një takim Rama-Trump?!

Kryeministri Edi Rama nuk është nga ata politikanë që rri me duar në xhepa kur është në hall. Për më tepër kur nuk i duhet t’i fusë ato as në xhepat e tij.

 

Ai ka nisur një fushatë të ethshme për t’u afruar me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, për të cilin i hëngri gjuha shumë më tepër se ç’duhej. I shqetësuar nga fakti se njerëz të stafit të Trump nuk i kanë marrë si barsaleta ato që kryeministri shqiptar ka deklaruar në CNN dhe New York Times, Rama po tenton me çdo mënyrë të rikuperojë pozitat e tij.

 

Kështu, një burim në New York, thotw se Edi Rama po aktivizon së fundmi një biznesmen të fuqishëm amerikan, me origjinë shqiptare, i cili ka lidhje të vjetra me republikanët dhe miqësi personale me Trump. Ky personazh, i cili është afruar dy vitet e fundit me Ramën, thuhet se mund të rregullojë edhe një takim me presidentit e sapozgjedhur të SHBA.

 

Kuptohet që lëvizje të tilla janë tepër të kushtueshme, por kjo nuk përbën problem përsa kohë që paratë nuk dalin nga buxheti personal i askujt. Bisnesmeni në fjalë do ta kishte patur suksesin plotësisht të siguruar, nëse nuk do të kishte bërë një gafë politike pak kohë më parë. Ai njihet familjarisht si një republikan i devotshëm, por në fund doli në mbështetje të Hillary Clinton dhe madje organizoi edhe një mbledhje fondesh për të nga shqiptarët.

 

Thuhet se në këtë ndryshim ai ishte ndikuar nga kryeministri shqiptar, i cili jo vetëm ishte i bindur në fitoren e Hillary, por kishte bërë plane për të ardhmen pas kësaj fitoreje. Thuhej që këto plane shkonin nga biznese në Shqipëri me familjarë të Clinton e deri tek përzgjedhja e ambasadorit të ri të SHBA në Tiranë, që do të pasonte ambasadorin Lu.

 

Disa burime në SHBA mund të publikojnë këto ditë edhe dokumenta për këto biznese si dhe lidhjet që e çuan Ramën në studiot e CNN për të lëshuar thirrjet anti Trump.

 

Gjithsesi, kryeministri shqiptar po kërkon t’i shkëpusë lidhjet në fjalë dhe të aktivizojë gjithë potencialin e mundshëm në afrimin me Donald Trump. Biznesmeni i lartëpërmendur, në bashkëpunim edhe me disa personazhe të njohur të diasporës shqiptare atje, thuhet se ka nisur tashmë punën për t’i hapur një shteg Edi Ramës në administratën e re amerikane të janarit 2017.

 

Nuk është çudi, që anti trump-isti i flaktë nga Ballkani, të arrijë një takim me të dhe deklaratat e së kaluarës t’i shpjegojë thjesht si barsaleta. Nuk është çështje qëndrimi, por çmimi. (lapsi.al)

Please follow and like us: