Albspirit

Media/News/Publishing

Përdhosja e imazhit të një reforme të dështuar

Përdhosja e imazhit të një reforme të dështuar

Ju jeni komunistë(!)

Kur italiani Xhani Rodari botoi kryeveprën e tij Aventurat e Çipolinos ai përdori një stilistikë të ngakuar personifikimesh, por lehtësisht të kuptueshme: Çipolino dhe mikja e tij Rrepka ishin vegjëlia e shtypur, ndërsa Kavaljer Domatja apo Baron Portokalli ishin klasa shfrytëzuese.

Në këtë histori të mrekullueshme për fëmijë personazhet ishin në funksion të një metafore dhe linja e konfliktit në vepër përfaqësonte përplasjen e drejtpërdrejtë klasore në shoqëri.

Në fund, si me magji, siç ndodh në përralla, e ardhmja u takonte masave të shtypura, të cilat, përmes revolucionit, do të ngadhënjenin mbi kapitalizmin.

Por libri u shkruajt në kulmin e Luftës se Ftohtë dhe në Perëndim komunizmi ishte një herezi, ndaj autori e përdori këtë simbolikë për të kamufluar idetë e tij reale, kundrejt përfshirjes së një numri më të madh lexuesish.

Kur studentja Mirela Ruko, një përfaqësuese e Organizatës Politike në Shqipëri, e vetme, derdhi mbi kokën e Ministres së Arsimit, Zonjës Lindita Nikolla, një sasi salce ushqimore, në një ceremoni dhe në prani të disa dhjetëra të rinjve socialistë, në shenjë diskreditimi dhe proteste ndaj akteve ligjore të ndërmarra për universitetin nga kjo ministri, herezia komuniste, paragjykimi ndaj kësaj fantazme të së shkuarës u kthye.

Në Shqipërinë e sotme, drama e regjimit të shkuar peshon ende në memorjen kombëtare. Por Organizata Politike, një grupim të rinjsh aktivistë, duket se nuk ka asnjë problem me identifikimin e tyre si revolucionarë, ashtu siç ky grupim i majtë po konsiderohet.

Ndaj dhe ata kanë dalë hapur kundër padrejtësive shoqërore, kundër thellimit të ndarjes klasore dhe në mbështetje të punëtorëve dhe të rinjve, por duke u ndarë qartë me burokracinë dhe trashëgiminë e dështuar të administratës së shkuar të cilën e dënojnë.

Ata kanë udhëhequr me sukses disa protesta e lëvizje. Ndonëse radikalë, ata janë frymëzues. Ata janë një model që funksionon. Një bashkësi të rinjsh që po rritet nga dita në ditë.

Ju jeni vandalë(!)

Megjithëse vetëm spërkatje më salcë, akti i Mirelës ndaj flokëve të krehur dhe kostumit luksoz të Linditës, u konsiderua nga një pjesë e opinionit i dhunshëm.

Përsëri mbi Organizatën rëndoi një paragjykim i ri: vandalë! Pra, edhe komunistë edhe vandalë.

Një numër qytetarësh, të pamësuar me aktin, në pamundësi për të kritikuar dhe për të reaguar ndaj politikave të qeverisë dhe paaftësisë në administratë që shkaktuan një pështjellim në sistemin e Maturës Shtetërore, në pamundësi për të parë e dëgjuar të rinjtë që mbushën rrugët disa ditë me rradhë për të denoncuar aktet administrative të ndërmarra kundër tyre, veprimin e Mirelës ndaj “zonjushës Vishnje”, e quajtën një akt dhune.

Mesa duket kjo taktikë guerrilase dhe ky akt jo i zakonshëm i kapi një pjesë të publikut në befasi. Pa dyshim që edhe propaganda qeveritare ka rolin e saj në këtë baltosje: një grupim vandalësh dhe për më tepër komunistë radikalë! E mjaftueshme për të shmangur problemin në arsim!

Por nëse derdhja e një tubeti salce mbi kokën e një ministri, nën akuzë se ka zbrazur auditoret e Universitetit Publik për të mbushur ato private, se ka shkatërruar sistemin meritë-preferencë, për të cilin këta të rinj aspiruan katër vjet me radhë dhe se përmes fondeve publike që po financon institucionet jopublike po e bën arsimin publik më të kushtueshëm dhe privatin më të pasur, nëse kjo pra, konsiderohet dhunë, atëherë, a janë vrasjet e katër qytetarëve në bulevard, përpara kryeministrisë, në 21 janar të pamjaftueshme? Sepse sipas kësaj logjike, edhe 100 po të ishin nuk do të justifikonin “dhunën” që sipas qeverisë së atëhershme, protestuesit ushtruan.

Ky është konkluzioni nëse përshkojmë të njëjtën rrugë arsyetimi të qeverisë së sotme. Por mos harrojmë se qeveria e sotme ishte opozita e djeshme. Pikërisht pra , të njëjtët që organizuan dhe drejtuan 21 janarin e vitit 2011.

Natyrisht edhe atëherë u fol për institucione, për ligje dhe dhunë.

Si konkluzion, kur një ligj është jo i drejtë, ai mund të ndryshohet. Propaganda dhe baltosja nuk është argument.

Duhet të keni frikë!

“Detyra do të jetë imja, pushteti do të i juaji”, u shpreh Edi Rama, menjëherë pas fitores. Kanë kaluar më shumë se tre vjet dhe në fakt ka ndodhur e kundërta! Kryeministri ka përqëndruar më shumë pushtet duke shpërfillur shumë prej detyrave të tij!

Por më shumë se “dhuna” këta qeveritarë i shqetëson reagimi, modeli.

Akti i Mirelës u shkakton frikë dhe makth. Shembulli i saj, se mos ndiqet nga të tjerë dhe për të tjerë qeveritarë të korruptuar, i tremb për vdekje. Në fillim ishin vezët dhe tani salca! Çfarë pritet tjetër?

Turpërimi në publik është më i rëndë se një protestë e dhunshme. Nga ndjenja e turpit nuk i zë gjumi natën. Një veprim, në dukje i vogël dhe jo agresiv, në të vërtetë i godet ata në zemër.

Sepse, gjithnjë e më shumë, dinjiteti i pushtetarëve tanë nuk ka thellësi. Ai po shndërrohet thjesht në një imash në sipërfaqe që ushqehet nëpër sallonet e modës, përmes veshjeve të shtrenjta, shpenzimeve të larta për trajtim flokësh nëpër institucione bukurie, ku shpenzojnë orë të tëra dhe para, në shkëmbim të detyrës me rehatinë personale.

Falë kësaj infrastrukture për kurimin e imazhit, ministrja ia doli që brenda një ore të pastrohej përsëri nga salca dhe u rishfaq në një tjetër sallë, në një tjetër ceremoni festive. Natyrisht që ajo nuk mund ta humbiste mundësinë për një tjetër propagandë! Për një tjetër shpërfillje!

Por, siç u shpreh deputetja Mimoza Hafizi, – “ Znj. Nikolla nuk mund të shuajë jehonën e urrejtjes së qindra maturantëve që së bashku me kryeministrin u vranë ligësisht ëndrrën!”

Pra, kur kjo rehati u prishet ata reagojnë me të gjitha mjetet dhe forcat. Përdorin pushtetin, policinë, median e kapur. Sytë u errësohen dhe ngjyra e kuqe e salcës i verbon!

Të verbër, nuk shohin korrupsionin galopant, klientelizmin dhe zbrazjen e shtetit nga shërbimet që po i jepen privatit.

Nuk shohin zbrazjen e vendit nga shqiptarët e dëshpëruar e të pashpresë.

Nuk shohin përfitimin e një pakice dhe zemërimin në rritje të shumicës. Ata shohin vetëm fasadën që për tre vjet e ndërtuan si një mur për të fshehur këtë realitet të zymtë.

Ndaj dhe kur Mirela foli për Arditin, ata nuk e dëgjuan. Kur ajo zbriti në rrugë, me megafon në dorë askush nuk e pa. Kur ajo protestoi së bashku me të rinjtë e tjerë për Universitetin dhe u përplas me autoritetet, e shpërfillën.

Dhe vetëm atë mbrëmje feste, ku me një çantë të vogël mbi shpinë e me hapa të sigurtë, mes një grupi të rinjsh servilë e rojesh të shumtë, Mirela u shfaq përpara “zonjushës Vishnje” e i derdhi mbi kokë një tubet salce të kuqe, vetëm atëherë ata e panë! Vetëm atëherë e dëgjuan, e i mësuan emrin, i panë ngjyrën e flokëve dhe vendosmërinë në sy!

Dhe ndoshta, për herë të parë, të korruptuarit, hajdutët dhe rrugaçët në Kuvend, hodhën sytë nga vetja dhe ndjenë frikë!

Dhe prandaj, për të tëra këto arsye, salca mbi kokat e krehura duhet të vazhdojë të derdhet!

Në jetën reale gjërat nuk ndodhin si në përrallën e Rodarit dhe ndoshta magjia është imagjinatë, por kur padrejtësia dhe shpërfillja e pushtetit bëhet normë, “dhuna” popullore është detyrë!

Please follow and like us: