Albspirit

Media/News/Publishing

Politika, media dhe biznesi po shkrihen bashkë

Politika, media dhe biznesi po shkrihen bashkë

Një nga dukuritë që po ndodh në heshtje në Shqipëri është shkrirja dhe përqendrimi i gjithë pushtetit politik, ekonomik dhe mediatik të vendit në duart e një grupi të vogël njerëzish.

Biznesi tashmë kërkon të kontrollojë direkt pushtetin politik, ndërkohë që është e njohur që politikanët në mënyrë direkte apo indirekte kontrollojnë biznese të rëndësishme në vend. Ndërsa shkrirja e biznesit me median dhe përdorimi i medias në favor të biznesit është tashmë një realitet i qëndrueshëm.

Gjatë qeverisjes Rama është rritur numri i përfshirjes së fëmijëve, bashkëshortëve dhe të afërmve të njerëzve të biznesit e të medias në institucione të rëndësishme shtetërore.

Dy ditët e fundit, mediat pro-qeveritare kanë botuar në mënyrë të koordinuar të njëjtin artikull-portret me lavde superiore për Gentiana Sulën, ish-zëvendës ministre e Mirëqenies Sociale dhe Rinisë, aktualisht e zgjedhur për kryetare të Autoritetit për Informimin për Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit në RPSSH.

Ky autoritet do të vlerësojë cilësitë etiko-morale dhe profesionale të zyrtarëve të lartë shtetërorë, në zbatim të ligjit Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, i miratuar në 2015.

Krahas shqyrtimit të dosjeve dhe verifikimit të figurës për zyrtarët e lartë, Autoriteti do të verifikojë edhe titullarët e autoriteteve kontraktuese që organizojnë procedurat e tenderimit për fondet publike—pra, drejtuesi i institucioni do të duhet të certifikojë titullarë, të cilët do të zbatojnë procedurat tenderëve.

Zonja Sula u zgjodh para disa ditësh nga Kuvendi anëtare e Autoritetit, bashkë me katër të tjerë, dhe  ajo është caktuar kryetare e tij.

Por Zonja Sula është bashkëshortja e pronarit të kompanisë AgiKons shpk, e cila merr pjesë rregullisht në tenderime publike. Vetëm pak ditë më parë bashkimi AgiKons dhe Edil Al-It fituan tenderin për rehabilitimin e Teatrit të Operas dhe Ansamblit Kombëtar me vlerë 10 miliardë lekë të vjetra.

Kjo tregon se zgjedhja e saj anëtare e komisionit dhe më pas drejtuese e institucionit përbën konflikt të hapur interesi. Vetë ligji që krijoi Autoritetin ndalon qartësisht emërimin në të të anëtarëve që kanë konflikt interesi.

Por edhe nëse nuk do të kishte konflikt interesi, ky rast është tjetër dëshmi se si po përqëndrohet pushteti në pak duar në heshtje dhe larg vëmendjes së publikut.

Please follow and like us: