Albspirit

Media/News/Publishing

Drogë, seks dhe tallava i gjeni të gjitha në Tiranën e natës

manjola

Manjola Bregasi

Drogë, seks & tallava. Slogani i dikurshëm i një bade rroku të viteve ’80 me fare pak ndryshime do t’i përshtatej shumë mirë një realiteti shqiptar, që po e prekin përditë, vecanërisht ata që jetojnë në kryeqytet.
Trend, nevojë, varësi? Ndoshta secila prej të gjithave, ndoshta të gjitha së bashku. Lokalet e natës dhe jeta tunduese që ata shpesh ofrojnë, duket se kohët e fundit nuk janë më thjesht dhe vetëm argëtimi i atyre që duan një fundjavë të zhurmshme me muzikë, por shumë më tepër se kaq.
Me kodin e duhur dhe portofolin e mbushur, në pubet dhe lokalet e Tiranës ti sot mund të gjesh edhe pak substancë që të të sjellë në humor edhe një “balerinë”, që të të cojë në qiellin e shtatë.
Të paktën 5 persona u ndaluan dhe jo më larg se mbrëmjen e djeshme nën akuzën e narkotrafikut në lokale dhe shfrytëzimin e prostitucionit.
Të porositësh një dozë teksa merr një birrë shoqëruar me një brune apo bjonde, në Tiranën e sotme nuk është më batutë dhe as histori tryezash.
700 lekë për një cigare hashash. 200 euro për një vajzë. Cmimi rritet bashkë me cilësinë për secilin nga rastet.
Eshtë ky realiteti, të cilin ata që frekuentojnë jetën e natës e dinë mjaft mirë. E dinë mjaft mirë edhe ato vajza, që shpesh minorene bëhen robina të parave që fitohen “lehtësisht”, teksa ulur në banak me një pamje provokuese nuk ngurrojnë t’i buzëqeshin cilitdo që do ishte i gatshëm të paguante për të shuar epshin e trupit.
Ky është realiteti të cilin e njohin mjaft mirë edhe shpërndarësit e drogës, edhe lokalet e pub-et që kanë vendosur t’i ofrojnë këto shërbime të paligjshme, pa patur frikën e ndëshkimit, por me bindjen dhe etjen për të fituar në cdo mënyrë.
Ky është realiteti, që prej kohësh mediat janë përpjekur ta vënë në dukje, direkt apo indirekt, teksa faqet e të zezës kronikë mbushen me lajme për trafikime vajzash apo tregti narkotikësh brenda në ambjentet e lokaleve.
A thua ky është realiteti që nuk dinë pronarët e këtyre lokaleve që xhirojnë miliona lekë dhe as policia që në fakt duhej të dinte ca gjëra më shumë se të tjerët në këtë qytet, që për fatin e keq ose të mirë të tij i ofron të gjitha, vecanërisht natën.

Please follow and like us: