Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA, Trump takon përfaqësuesit e mediave amerikane

“Të korruptuar, gënjeshtarë dhe të pandershëm”
“Të korruptuar, gënjeshtarë dhe të pandershëm”. Kështu u është drejtuar Donald Trump përfaqësuesve të mediave më të rëndësishme amerikane që i kishte thirrur vetë në një takim në “Trump Tower”. Presidenti i zgjedhur amerikan i ka vazhduar sulmet ndaj mediave edhe në Twitter.
Donald Trump rikthehet me sulmet ndaj mediave. Në një takim me dyer të mbyllura me përfaqësuesit e rrjeteve kryesore televizive, presidenti i zgjedhur është shprehur: “Në këtë sallë ka gënjeshtarë dhe të pandershëm”. Më pas në Twitter ka vënë në shënjestër edhe mediat që e kanë akuzuar për konflikt interesi. “Përpara zgjedhjeve isha shumë i njohur që kisha interesa ndaj të gjithë botës. Vetëm mediat e korruptuara e bëjnë një lajm të madh”, shkruan ai.
Ajo që duhej të ishte një rast për të bërë paqe, apo të paktën për të normalizuar marrëdhëniet me rrjetet televizive pas një fushate të ashpër elektorale, është transformuar në një bisedë të manjatit kundër shtypit. Sipas të dhënave të dala pas takimit që ka zgjatur më shumë se një orë, Trump ka fyer përfaqësuesit e CNN, CBS, ABC, FOX dhe NBC dhe i ka thënë se kanë penguar me çdo kusht rrugën e tij drejt Shtëpisë së Bardhë.
“Dukej sikur të ftuarit gjendeshin përpara një skuadre pushkatimi”, tregon një dëshmitar në takimin me dyer të mbyllura. Trump i ka qortuar liderët e informacionit televiziv amerikan rreth mbulimit të fushatës elektorale, duke i akuzuar të gjithë, një për një.
“E urrej kanalin tuaj, jeni të gjithë gënjeshtarë dhe duhet t’ju vijë turp”, i është drejtuar presidenti i zgjedhur përfaqësuesve të CNN. Më pas kanë vazhduar ofendimet edhe për të tjerët. “Jemi në një sallë të mbushur plot me gënjeshtarë”, është shprehur Trump. Fjalë të ashpra ka thënë edhe ndaj gazetares Marta Radatz, e cila është sulmuar pasi ka qarë për disfatën e Hillary Clinton. Në fund përfaqësuesit e mediave kanë folur për një takim të tmerrshëm dhe surprizues. Të gjithë mendonin se presidenti i zgjedhur do të fliste për mbulimin e këtij momenti delikat të tranzicionit dhe për marrëdhëniet në të ardhmen. Por siç duket Trump ia ka dalë edhe njëherë që të surprizojë mediat.
Gjithnjë duke qëndruar tek mediat, Washington Post shkruan se presidenti i zgjedhur ka përdorur paratë e fondacionit të tij për qëllime personale duke shkelur ligjin. Në veçanti, thekson e përditshmja amerikane, Fondacioni Trump ka shkelur normën që ndalon drejtuesit për të përdorur paratë që duhet të shkojnë për bamirësi. Të tilla shkelje mund të dënohen me rritje taksash dhe deri në detyrim për të rikthyer paratë që ka përdorur Trump për qëllime personale.
Please follow and like us: