Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Bojaxhi: Ja kush është kundërshtari ynë në zgjedhjet e 2017

Gjergj Bojaxhi: Ja kush është kundërshtari ynë në zgjedhjet e 2017

 

Gjergj Bojaxhi, një nga themeluesit e partisë “Sfida për Shqipërinë” në një intervistë për emisionin “45 minuta” të gazetarit Denis Minga është shprehur se edhe politikanët duhet të jenë subjekt i vettingut ashtu siç janë tashmë me ligj gjyqtarët dhe prokurorët.

Bojaxhi u shpreh se sfida më e madhe për Shqipërinë nuk është ekzistenca e ligjit por zbatueshmëria dhe për aq kohë sa realiteti do jetë i ndarë nga ligjet vendi e ka të vështirë të ecë përpara.

I pyetur për mundësinë e koalicionit me partitë të tjera Bojaxhi tha se Sfida e ka vendosur në statut që nuk do të bëjë koalicion parazgjedhor me asnjë nga partitë parlamentare por aleanca e vetme është me qytetarët.

Sa i përket marrëdhënies së Shqipërisë me Amerikën pas zgjedhjes së Donlad Trup themeluesi i “Sfidës për Shqipërinë” u shpreh se asgjë nuk do të ndryshojë pasi ndërkombëtarëve u intereson që vendi të luftojë korrupsionin dhe të qëndrojë larg radikalizmit fetar.

Cila është platforma juaj, mendoni ta arrini me fjalë apo ka edhe aksion tjetër politik?
E para, politika fillon me fjalë jo me kazmë. Kjo klasë politike ka shpifur aq shumë sa e ka bërë çdo gjë të pabesueshme. Ne duhet të ndërtojmë një mekanizëm ku të besojmë te njëri-tjetri. Nëse ne nuk e bëjmë këtë gjë asnjë program nuk do të jetë i besueshëm. Duke ja lënë politikën disa individëve ky është një gabim që e bëjmë prej vitesh. Korrupsioni fillon që në gjenezë tek mënyra si partitë janë krijuar. Nëse ato funksionojnë me servilizëm ashtu ndërtohen. Ne duhet të ndërtojmë një parti që të rregullojë këtë defekt që në gjenezë.

Çfarë ka ndryshe partia juaj?
Disa nga prioritetet që ne duhet të trajtojmë është fakti që zëri i qytetarëve nuk dëgjohet. Ka ardhur koha që të përdoret referendumi për çështje specifike. Referendumi duhet sepse kjo klasë politike ka dështuar. Ne duam tu themi qytetarëve që të besojnë tek vetja e tyre. Këto ditë kemi parë si po trajtohet vettingu. Shqipëria nuk ka nevojë vetëm për të rregulluar drejtësinë. Korrupsioni ka lindur nga klasa politike.

Është krijuar perceptimi se duke pastruar gjyqësorin, do të jetë më pas gjyqësori që do të pastrojë edhe politikën, a nuk është kjo rruga?
E vlerësoj shumë mbështetjen e BE dhe SHBA për reformim, por mendoj se ndryshimi fillon nga ne. Nuk mendoj se do na ndryshojnë të huajt por do ta ndryshojmë vetë realitetin. Pavarësisht mbështetjes nga ndërkombëtarët, por kjo reformë nuk do t’i japë rezultatet nëse nuk ka vullnet. Ne kemi nevojë që të marrim në pronësi projektin. Ne nuk jemi thjesht për vetting të sistemit të drejtësisë, ne jemi për vetting të thellë. Në vetting duhet të kalojnë edhe ministrat e zëvendës ministrat e deri tek drejtorët e drejtorive. Vettingu në drejtësi është i nevojshëm por jo i mjaftueshëm. Problem kryesor nuk kemi si bëhen ligjet në parlament por edhe zbatimin. Kemi një stadium që po bëhet i ri dhe gjithë elita kalon aty shikon ndërtime pa leje dhe nuk e ka ngritur zërin. Deri para dy javësh stadiumi ishte ndërtim pa leje. Deri para 3 javësh kishte leje vetëm për sheshin ndërsa pa leje po ndërtohet parkingu nëntokësor. Kemi pushtetarë që bëjnë ndërtime pa leje me beton, kemi njerëz që mendojnë se institucionet janë mbi ligjin dhe qytetarët.

Si doni ta prishni këtë establishment politik?
Prishet me votë. Varfëria nuk është shkak por është pasojë. Nëse ne nuk gjejmë ku qëndron problemi jemi duke bërë vetëm zhurmë. Këtu kemi një klasë politike që ndryshon argumentin. Ne kemi një klasë që gjithë kohën ndryshon debatin dhe ndërton argumente për gjëra fiktive.

Me ardhjen e Trump a do të ketë të njëjtën linjë ambasadori Donald Lu në raport me presionin që ka bërë deri tani ndaj politikës shqiptare për reformën në drejtësi?
Politika e SHBA në Shqipëri në thelb nuk do ndryshojë. Amerikës i intereson që vende si Shqipëria të mos jenë vende të radikalizmit fetar dhe të luftojnë korrupsionin. Besoj se njëlloj do të jetë edhe për reformën. Në fund të fundit nuk ka rëndësi çfarë do Amerika po çfarë duam ne. Mbase ne dhe populli ynë duhet të fillojmë të dënojmë me votë klasën politike. Shqipëria nuk është bërë kështu nga askush por me votë. Ne duhet të reflektojmë, të dimë çfarë kemi bërë gabim. Duhet të fillojmë të shikojmë brenda vetes sonë dhe të mos varemi kaq shumë nga të huajt.

Në zgjedhjet e 2015 në Tiranë bëtë një test se ku është mbështetja ndaj partisë suaj, po në rrethe si është kjo mbështetje?
Mua nuk më kënaq numri i votave por që Shqipëria të jetë mirë. Ne do të luftojmë deri sa të arrijmë atë numër që duhet për të arritur qëllimet dhe për tu përfaqësuar në Kuvend .

Kundërshtari juaj më i madh në këto zgjedhje cili është?
E gjithë klasa politike. Sfida do dalë në fushatë kundër të gjitha partive. E kemi të shkruar në statut se nuk do të kemi koalicion parazgjedhor me asnjë parti parlamentare. Aleatët tanë janë qytetarët.

Identifikoni ndonjë parti që mund të jetë aleat i mundshëm?
Ne po dalim për të thënë që ky sistem sido që të jetë nëse qytetarët duan ndryshim do të ndodhë. Nuk kemi pse trembemi nëse ne nuk jemi dot në qeveri dhe nuk kemi shumicën. Ne duam të dalim në garë për të treguar që jemi këtu, kemi moral, punojmë.

Ku është spektri i partisë suaj, djathtas?
Ne kemi 25 vjet që hedhim baltë mbi njëri-tjetrin dhe sot jemi të gjithë të dyshuar dhe ky nivel mosbesimi është ajo që na mban në këtë statuskuo. Politika do të mendojë që në këtë vend nuk ka njerëz të aftë. Nëse ne do t’i lejojmë që të jemi të gjithë njëlloj atëherë nuk do kemi kurrë njerëz që të dalin të prezantojnë një plan e një projekt. Ne kemi nevojë të dalim nga gropa pasi të rinjtë tanë po i çojmë larg vendit. Investimin tonë më të madh financiar dhe shpirtëror që janë fëmijët po i përgatisim për një vend që nuk është Shqipëria.

Një nga problemet më të mëdha që ka vendi është varfëria, si zbutet varfëria, p.sh në fshat?
Ata nuk janë më të varfrit, punësohen në bujqësi. Problem janë qytetet dhe periferitë e tyre që vuajnë nga papunësia. Këtu lulëzojnë grupet e biznesit të lidhura me partitë që vijnë pushtet. Nëse ne nuk shkëputemi nga kjo do të ngelemi gjithmonë ekonomi e mbyllur. Jo gjithmonë është ndërtuar mirë. Nëse duam të rregullojmë të ardhmen tonë duhet të rregullojmë dhe të vitalizojmë kapacite dhe energjitë njerëzore brenda kuadrit ligjor.

Jeni për një shtet të vogël apo një shtet shumë social?
Kur Shqipëria të bëhet një vend që zbatohet ligji nuk do të jem më në klasën politike. Më ka motivuar padrejtësia që ne kemi para ligjit. Çdo reformë është në ajër nëse nuk zbatohet ligji. Ne sot defakto kemi Republikë kryeministrore sepse atje bëhet patronazhi.

Pavarësisht retorikës për qeveri me probleme sërish qytetarët në Dibër e Kolonjë u votuan PS?
Duhet vetting në të gjithë institucionet politike. Mendoj se kushdo duhet të kalojë test poligrafik para kamerave. Për mua këto që sapo thashë konfirmohen nga ky votim. Shqiptarët në Dibër dhe Kolonjë nuk kishin 2 alternativa por vetëm 2 parti të së njëjtës alternativë. Sot fenomeni i gjakmarrjes është zëvendësuar me punëmarrjen. Partitë nuk ofrojnë alternativa por thjesht pazare individuale. Qytetarët në Dibër dhe Kolonjë kanë pasur dy parti me të njëjtin model. Nuk ka rëndësi cila ndëshkohet qeverisja është e njëjtë. Shqipëria nuk ka nevojë për parti të re, por për alternativa të reja.

Keni kritere për mandatin e kryetarit të partisë suaj?
Drejtuesi i partisë me atë politik nuk do jetë i njëjti. Asnjë drejtues nuk mund të ketë më shumë se dy mandate dhe nuk ka më të drejtë garimi në një mandat tjetër pa kaluar një periudhë kohore. Kemi bërë një analizë të detajuar të gjithë pisllëqeve të partive për të qenë imun nga ato fenomene.

Sfida për Shqipërinë është si sfida për Everestin, ju e keni provuar, po të tjetër a do arrijnë tia dalin?
Sfida për Shqipërinë është më e vështirë se Everesti sepse kërkon më shumë bashkëpunim dhe besim që mund të jepet duke ardhur dhe duke ndërvepruar me njëri-tjetrin.

Nëse shqiptarët nuk iu votojnë për të qenë në parlament do të vazhdoni të ekzistoni si parti?
Për aq kohë sa nuk e ndiejmë vetën të përfaqësuar ne nuk do e ndërpresin betejën tonë. Beteja nuk është për pushtet dhe për 2017, ajo është për të fituar përfaqësim.

E keni frikë grabitjen e votës?
Në garën e Tiranës dola dhe thashë që votat u numëruan. Jemi të bindur që votat atëherë u numëruan të gjitha një nga një dhe kemi besimin e plotë që kjo do të ndodhë edhe në të ardhmen. Procesi ka shumë korrupsion, por nga momenti që vota u fut në kuti e mbikëqyrëm dhe jemi të sigurt që u numërua.shqiptarja.com

Please follow and like us: