Albspirit

Media/News/Publishing

Nexhmije Hoxha: E vërteta e anëtarësimit tim në Partinë Fashiste

EKSKLUZIVE / Flet Nexhmije Hoxha: E vërteta e anëtarësimit tim në Partinë Fashiste

E shoqja e Enver Hoxhës, Nexhmije Hoxha, u ndodh papritmas në epiqendër të një sulmi mediatik, lidhur me një fakt aspak të këndshëm për cilindo që mund të publikohej një fakt i tillë. Bëhet për një dokument ku thuhet se Nexhmije Hoxha para 75 vjetësh, pra në 10 nëntor 1941, ka qenë anëtare e rinisë fashiste.

Në pamje të parë një lajm i tillë duket tronditës, sidomos kur bëhet fjalë për Nexhmije Hoxhën.

Si është e mundur të jetë fshehur një “fakt” i tillë për një kohë kaq të gjatë për atë që më vonë do të bëhej bashkëshorte e Enver Hoxhës, njeriut më të pushtetshëm të Shqipërisë komuniste për gjysmë shekulli. Ka një sërë kontradiktash që hanë shumë diskutim në njoftimin e këtij lajmi.

Në valën e një debati publik për luftën antifashiste nacionalçlirimtare që vazhdon i zjarrtë edhe pas 70 vjetësh, një dokument i tillë që komprometon figurën politike të Nexhmije Hoxhës duket si i pikuar nga qielli. Por si qëndron e vërteta? Pas një leximi të vëmendshëm të dokumentit dhe të reagimeve rreth tij, por edhe të shpjegimeve që po bëhen, mendoj se kjo nuk e zbeh aspak portretin e Nexhmijes si një antifashiste në ato vite apo komuniste fanatike për më shumë se gjysmë shekulli.

92dcbe636ee9da759d0f302684c787f2_l

Studiuesi Artan Lame sjell argumentet e tij kundër këtij dokumenti, pa e mohuar atë.

Por Nexhmije Hoxha jeton dhe është në një kthjelltësi të admirueshme, pavarësisht se pas pak muajsh ajo mbush 96 vjeç.

Unë iu drejtova mbrëmë zonjës Hoxha dhe ajo pranoi të prononcohet ekskluzivisht për ‘DITA’ rreth këtij fakti. Ajo përgënjeshtron faktin të ketë qenë fashiste, duke argumentuar pikërisht të kundërtën, se ka qenë një luftëtare e vendosur komuniste që nga viti 1936.

Ja reagimi i plotë i Nexhmije Hoxhës për ‘DITA’:

“Në periudhën që bën fjalë dokumenti, unë kisha mbaruar provimet e maturës dhe më duhej të përgatisja dokumentet për emërimin si mësuese.

Për këtë arsye, mund të më jetë dashur ky vërtetim. Por unë nuk kam firmosur asnjë dokument anëtarësimi në Rininë Fashiste dhe aq më tepër në Partinë Fashiste.

Sa për kujtesë, unë që nga viti 1936 kam qenë e organizuar në grupin komunist me Qemal Stafën.

Në 4-7 prill të ’39-s kam marrë pjesë në demonstratat e rinisë së Tiranës kundër pushtimit nga Italia fashiste dhe në vazhdim, derisa u  kërcënova me arrestim dhe kalova në ilegalitet.

Sa isha studente në “Institutin e Vajzave” në Tiranë, instruktorja italiane fashiste për Gjimnastikën më dha notën 6, pavarësisht se në dëftesë të gjitha notat i kisha të larta, sepse nuk i shkoja në aksionet që organizonin fashistët për të bërë pako për ushtarët në front.

Unë të gjitha këto i kam të shkruara në librat e mia të kujtimeve”.

Please follow and like us: