Albspirit

Media/News/Publishing

HAROLD JAMES: Kufizimi i kontaminimit populist

Kufizimi i kontaminimit populist

Fitorja e Trump në zgjedhjet e Shteteve të Bashkuara dhe Brexit kanë përcjellë mesazhe të forta populizmi, por në shkallë globale vendet e mëdha mund të ndërhyjnë për ta kufizuar përhapjen e këtij fenomeni politik të rrezikshëm

Me populizmin që në dukje është përhapur jashtëzakonisht në ekonomitë e përparuara, establishmenti politik është në zmbrapsje. Të huajt po arrijnë fitore të rëndësishme politike duke bërë premtime dramatike për të tronditur ose rrëzuar sistemin. Armiqtë e populistëve janë anëtarë të “elitës globale”, që kanë tradhtuar vlerat kombëtare dhe megjithatë revolta e tyre kundër asaj që presidenti i zgjedhur Donald Trump quan “globalizim” gjithashtu aspiron të jetë një fenomen global dhe në fakt varet nga marka e tij e ndërkombëtarizmit.

Kontaminimi është një proces shumë i kuptuar në financë. Një tronditje në një vend shkakton lëkundje edhe gjetkë, edhe kur nuk ka lidhje financiare direkte, sepse pjesëmarrësit e tregut të cilët gjurmojnë modelet, perceptojnë forcat thelbësore që ndikojnë.

Revolta e sotme e populistëve po shfaq një dinamikë të ngjashme. Trump premtoi më parë se fitorja e tij do të ishte Brexit i një shkalle të lartë dhe në fakt, kur ai fitoi, forcat politike të ekstremit të djathtë në Holandë dhe Francë menjëherë e panë zgjedhjen e tij si paralajmërim të asaj që po vjen. Dhe po kështu ndodhi me fushatën “Jo” në referendumin kushtetues të ardhshëm të Italisë – te i cili kryeministri italian Matteo Renzi ka vënë bast të ardhmen e tij politike.

Një paralele e qartë historike me të sotmen është periudha ndërmjet luftërave e shekullit 20, kur Lenini prezantoi komunizmin sovjetik si një markë globale dhe themeloi Ndërkombëtaren Komuniste. Fashizmi italian i Musolinit – një përgjigje ndaj lëvizjes së Leninit – gjithashtu përshtati një qëndrim ndërkomëtarist: lëvizje të këmishave me ngjyra, duke imituar Këmishat e Zeza të Musolinit, u shfaqën në Europë, Amerikë Latine dhe Azi dhe ngritën autoritarizmin si një model alternativ të liberalizmit.

Ndërsa lëvizjet nacionaliste më intensive si fashistët e Musolinit dhe Nazistët e Adolf Hitlerit konkurruan me njëra-tjetrën mbi idenë se kush ishte më tepër fashist, ata së fundmi u bashkuan për t’i dalë kundër rendit liberal. Po ashtu, revolta e sotme politike mund të jetë duke ndjekur një logjikë të pandalshme, ku çdo vend duhet ta izolojë veten nga tregtia, migracioni dhe lëvizja e kapitalit apo të rrezikojë humbjen në një lojë ku fitimtari i merr të gjitha.

Kjo ngre një pyetje thelbësore: a mund të ngrihet një mur për të parandaluar një kontaminim të tillë politik?

Dy mjete përdoren zakonisht për të ndaluar krizat financiare dhe për të kufizuar kontaminimin financiar: paketat ndërkombëtare të shpëtimit dhe reformat financiare. Po kështu, ne mund të parashikojmë kundërlëvizjet politike ndaj ndërhyrjeve të tilla, ndoshta me reforma në institucionet globale të qeverisjes dhe kornizave ekzistuese demokratike. Mbi të gjitha, shumë probleme që tani prekin vende individuale në fakt janë transkombëtare dhe nuk mund të zgjidhen vetëm nga një vend. Shembulli më i qartë është ndryshimi klimatik, i cili prodhon thatësi dhe probleme të vazhdueshme me të korrat duke shkaktuar valë masive të migracionit.

Por populistët sot e kanë bërë të qartë refuzimin e mendimit kolektiv ose përfshirjen ndërkombëtare. Gjithçka që duket si një çështje transkombëtare përkufizohet menjëherë si e parëndësishme për shqetësimet kombëtare dhe çdo veprim i koordinuar ndërkombëtar vihet në lojë dhe kufizohet si dështim.

Ndoshta populizmi ngjitës i sotëm do të krijojë kushte për shkatërrimin e vet. Pasiguria thelbësore është se pasojat e tij mund të frenojnë investimin dhe të kufizojnë zhvillimin në ekonomitë tashmë të brishta. Por mendimi autokratik dhe populist mund të bëjë që të lulëzojë frika, që është arsyeja përse “demokratët joliberalë” premtojnë siguri dhe vazhdimësi dhe ofrojnë të bëjnë një pakt me disa pjesë të klasës së biznesit për ta garantuar atë.

Në këtë moment, Mbretëria e Bashkuar ofron një shembull të gjallë të ekonomisë post-populiste në vazhdimësi pune. Rezultati i referendumit Brexit të qershorit nuk shkaktoi katastrofën ekonomike që shumë prej kampit “të qëndrojmë” kishin parashikuar. Por pasojat e Brexit gjithsesi janë shënuar nga pasiguri e konsiderueshme dhe propozime krejtësisht të papajtueshme për të ardhmen e vendit, gjë që ka provokuar luftë politike në parlament dhe brenda qeverisë së kryeministres May.

Me ankthin ekonomik dhe tensionin politik, Brexit zor se është një model tërheqës për vendet e tjera të Europës. Dhe në fakt, sondazhet e opinionit kanë treguar mbështetje në rritje për Bashkimin Europian në përgjithësi, por jo në të gjitha, vendet anëtare që nga referendumi.

Presidenca Trump me gjasa do të krijojë probleme të ngjashme dhe premtimi i presidentit të zgjedhur për të mbetur “i paparashikueshëm” mund të dëmtojë edhe më shumë modelin populist, veçanërisht nëse ekziston frika për një luftë tregtare apo një luhatje të dollarit për shkak të politikës fiskale të papërcaktuar dhe politikës monetare më të ngushtë, që do të shkaktojnë pasiguri të mëtejshme ekonomike.

Por SHBA-ja mund të jetë elastike në mënyrë unike: sepse ka qenë historikisht parajsa e sigurt globale në kohë të pasigurisë ekonomike, mund të preket më pak se vendet e tjera nga paparashikueshmëria politike. Pas krizës financiare të vitit 2008 – një krizë që padyshim e pati origjinën në SHBA – efekti i parajsës së sigurt shkaktoi forcim të dollarit teksa u shtuan hyrjet e kapitalit. Kështu ndodhi edhe në javët që nga fitorja e Trump.

Ekonomia e populizmit amerikan jo domosdoshmërisht do të dështojë, të paktën jo menjëherë dhe kjo mund të çojë në rritje të tërheqjes së tij në sytë e liderëve autokratikë dhe nacionalistë të cilët e shohin Trump si një koleg dhe model për t’u ndjekur. Kryeministri japonez Shinzo Abe nuk humbi kohë të bashkohet me axhendën e Trump.

Një vend i madh si SHBA-ja mund të imponojë në përgjithësi kosto të paparashikueshmërisë së vet te vende të tjera dhe veçanërisht në tregjet në zhvillim. Por vende më të vogla si Mbretëria e Bashkuar priren të përballen me kosto më imediate duke qenë kështu më të prekshme nga politikat populiste të vendeve të mëdha.

Teksa vendet reflektojnë mbi këto leksione, ato mund të fillojë të formojnë blloqe rajonale mbrojtëse për të ruajtur veten nga kontaminimi populist. Për shembull, Kina mund të fillojë të flasë për të gjithë Azinë dhe BE-ja mundet që më në fund të gjejë mënyra për t’u bashkuar përkundrejt atyre që duan ta copëtojnë. Në rastin më të keq, ky rajonalizim i ri mund të nxisë armiqësi gjeopolitike dhe të kthejë tensionet e viteve 1930; në rastin më të mirë integrimi rajonal mund të hapë vend për reformat e nevojshme në qeverisje, duke shpëtuar kështu nga kurthi populist.

Please follow and like us: