Për të kundërshtuar zgjidhjen e Çështjes Çame, retorika e zyrtarëve grekë, është bazuar në akuzën e pavërtetë që popullsia çame bashkëpunoi me nazizmin gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Dokumente zyrtare të pakontestueshme vijnë si argument që e rrëzon tërësisht pretendimin grek se Çamëria bashkëpunoi me pushtuesit nazistë. Është pikërisht ky pretendim grek që mban të pazgjidhur Çështjen Çame. Dokumentet që publikon 27.al në këto ditë të përvjetorit të çlirimit të Shqipërisë, japin prova të aktivizimit të partizanëve nga trevat e Çamërisë, me partizanët grekë në luftë kundër nazizmit.

Letra

Komandanti i shtabit të zonës së parë operative Vlorë- Gjirokastër, Islam Radovicka i shkruan Enver Hoxhës mbi gjendjen  në Çamëri në fund të gushtit 1944.

Pas vizitës së tij atje, ai raporton për organizimin e forcave të reja në frontin e nacional-çlirimtarëve.

Në këtë letërkëmbim, shqiptarët e krahinës së Çamërisë, konsiderohen minoritet në shtetin fqinj Greqi. Këtë status shqiptarët e humbën me shpërnguljen masive nga trojet e tyre, duke u shndërruar në refugjatë.

leter shokut enver

Letra në fjalë rrëfen si janë ngritur grupet e rezistencës nacional-çlirimtare çame, të cilat kanë bashkëpunuar me ato greke në luftën kundër pushtuesit. Në këto grupe nuk ka patur vetëm çamë myslimanë, por edhe çamë ortodoksë. Çamët pranuan të përfshihen në këto formacione me kusht që të luftoheshin trupat terroriste të Napoleon Zervës.

Po kështu, në këtë letërkëmbim tregohet që robërit e partizanëve i nënshtroheshin torturës, madje vdisnin gjatë kësaj dhune.

VDEKJE FASHIZMIT

LIRI POPULLIT

Zonë e lirë me, 17/IX/1944

Shumë i dashur shoku Enver,

Me rastin e vizitës time në Krahinën e Çamërisë, po të paraqes raportin që vijon:

Për çështjen minoritare çame të tej kufirit, me datën 22/VIII/944, u bë një pjekje midis Komandantit dhe Komisarit të Regjimentit XV-ë, Komandantit dhe Komisarit të Brigatës së VIII-të dhe meje. Në këtë pjekje u biseduan këto:

Gjendja politike e minoritetit shqiptar në Greqi, për të cilën të sipërmit na thanë këto: “Organizata e EAM-it s’ka patur mundësi që të futesh dhe të punonte në minoritet, për shkak se Nuri Dinua me klikën e tij kishte mundur që t’i tërhiqte çamërit me anën e kryetarëve të krahinave të ndryshme tue i futur në luftë kundra popullatave greke; nga ana tjetër, tue qenë se Regjimenti nuk ka patur forca të mjaftueshme, nuk ka mundur që të hyjë me ushtri në ato krahina”.

Nga masakrimet e bëra kundra popullatave çame në Paramithi dhe nga përkrahja që gjetën nga ne familjet e shpërngulura dhe të ardhura në zonat e lira përkëtej kufirit, nga dy-tre konferenca të mbajtura si prej nesh, ashtu edhe prej dy përfaqësuesash të dërguar apostafat nga Regjimenti i XV-të, në të cilat u vu në dukje tradhëtija e Nuri Dinos, Haki Rushitit e klikës tyre, u arrit që çamërit vetë ta kuptojnë dhe t’i demaskojnë personat e sipërmë, të cilët i patën udhëhequr në tradhëti; këtu u pa një ndryshim i dukshëm dhe u arrit në këto rezultate:

a) Çamërit pranuan që të mobilizohen në radhët e ushtrisë N.ÇL.greke;

b) t’organizohen këshillat N.Ç.L. në krahinat përkëtej lumit Kalama;

d) të godasin armikun Nr.1 gjermanin okupator dhe zervisto-ballista bashkëpunëtorë të tij.

musa demi

Për krymjen e këtyre veprimeve u formua një komision prej 8 vetash Xhafer Karameto (Margëllëç), Jakup Harifi (Arpicë), Ymer Jakup (Margëllëç), Sali Bejazi (Mazrek), Ymer Sabri (Kockë), Sako Braho (Spatar), Xhafo Bilali (Picar), Muhamet Idiri (Kardhiq), së bashkut me këta janë dhe Jorgji Lira i Periferis të Komitetit të Çamërisë dhe oficeri Angjello Komandant i Qarkut të Çamërisë. Shokët e Regjimentit XV na kërkuan një element së këtejmi për zv.Komandant Qarku, por neve u thamë se nuk kemi elementa për t’ju dërguar, porse duhet ta nxjerin prej terrenit të minoritetit.

Elementat e sipërme janë më me influencë të asaj ane dhe ja filluan punës menjëherë duke dërguar njerz për t’u bërë thirje atyre që ishin rekrutuar në radhët e Ballit. Kjo pati efekt të dukshëm: dizertuan mjaft prej tyre dhe në sulmin që iu bë Konispolit nga ana t’onë, pjesa më e madhe prej tyre nuk luftuan kundra partizanëve; këtë qëndrim e mbajtën deri në ardhjen e forcave të reja naziste, të cilat u kishin shtirë frikën.

Nga të 600 vetat që ishin në fillim, kanë mbetur vetëm 100 me Haki Rushitin.

Brenda javës, në bataljonin Mikst që vepron në krahinën e Filatit, arritën të rekrutohen më tepër se 200 çamër. Këtij bataljoni iu dërguan dhe 100 veta nga Regjimenti. Kështu, të organizuar filluan aksionet kundra autokollonave gjermane gjatë rrugës Sajadhë-Smart-Filat.

Në Çamërinë e tejme, është formuar një komitet me një zyrë për të kryer të gjitha veprimet, prej këtyre personave:

Kasem Demi, Shefqet Mushi, Hasan Çeço dhe Gani Demi, të cilët janë në bashkëpunim të ngushtë me elementat e dërguar prej Organizatës së EAM-it.

GJENDJA E KRAHINVE TË KONISPOLIT. – Përgjithësisht shifet një përmirësim si në gjendjen politike, organizative ashtu edhe ushtarake, vetëm se në arrestimin e 12 vetave të akuzuar si zervista që nuk është vërtetuar hala, megjithëse shumëve prej tyre u janë bërë shtrëngime. Ky lloj veprimi ka pas shkakëtuar njëfarë tronditje dhe ftoftësi, jo vetëm në pjesën reaksionare, por edhe në ata të frontit, për arsye se njeri prej tyre vdiq në burg dhe reaksioni tue përfituar nga ky rast, pat’ lëshuar parulla se gjoja ka vdekur prej torturave.

Për të 11 të burgosurit që ndodhen atje, është dhënë urdhër, për atë pjesë që dyshohet se kanë lidhje me reaksionin zervist, të merren masa internimi tue na i dërguar këtu. Tash së fundi gjendja u përmirësua përsëri.

Filati i Çamerise, i braktisur

Zv.Komisari i Grupit të IV, shoku Misto Bllaci është një element mjaft aktiv, porse, në krahinat e Konispolit, tue qenë se ka qëndruar shumë kohë dhe në jetën borgjeze si nënpunës (tagrambledhës) tue ushtruar detyrën e tij si në kohën e Regjimit të Zogut, të Fashizmit Italjan, në kohën e okupacionit grek e përsëri nën Fashizmin Italjan; kështu që elementat reaksionare edhe ata të lëkundurit, nuk e shofin me sy të mirë; veç këtyre ka dhe këto të meta:

a) do të monopolizojë të gjithë punën;

b) është nervoz dhe kjo e shpije që të flasë ashpër si me shokë ashtu edhe me popull.

Prandaj mendimi tim personal është që të caktohet në një vend tjetër.

Të fala shoqënore të përzemërta

(n/Kolonel Islam Radovicka)

P.S. po ju dërgojmë dhe një letër të ardhur nga EAM-i.