Albspirit

Media/News/Publishing

SI PO I FAVORIZON RILINDJA KOMPANITË E BIXHOZIT: FITIMET NUK PREKEN, INFORMALITETI ARRIN MAJAT

Kompanitë e lojërave të fatit rezultojnë të kenë ruajtur nivelet e fitimit gjatë vitit 2016, me gjithë premtimet e Kryeministrit Rama se do të luftonte kumarin.

Ndonëse 2015-a ka qenë një vit pa kampionate të rëndësishme botërore, apo europiane, kompanitë e lojërave të fatit kanë arritur të mbajnë nivele të larta të ardhurash. Në total, qarkullimi i pesë operatorëve kryesorë në këtë sektor, Top Bast, Apex-Al, Astra Albania sh.a., Adriatic Game, Top Start ishte rreth 72 milionë euro, pothuajse i njëjti nivel si në 2014-n, duke zënë rreth 60% të tregut zyrtar të lojërave të fatit”, shkruan revista Monitor.

Xhiroja zyrtare e 16 kompanive kryesore gjatë vitit 2015 arrin në 120 milionë euro, sipas të dhënave të deklaruara në bilancet e tyre.

Ky është vetëm deklarimi zyrtar, ndërsa informaliteti në këtë sektor mbetet shumë i lartë dhe vlerësohet të arrijë në 70%”, shkruan Monitor.

Niveli i lartë i informalitetit zbulohet nga vetë subjektet që deklarojnë se kanë paguar në buxhetin e shtetit gjatë vitit të kaluar rreth 125 milionë dollarë, ndërkohë që zyrtarisht kanë qarkulluar vetëm 120 milionë euro.

Pra, kanë paguar taksa dhe kontribute afërsisht aq sa kanë deklaruar xhiro.

Me çfarë parash kanë mbuluar shpenzimet e tjera, humbjet që janë pjesë e njohur e sistemit të bixhozit dhe si është realizuar fitimi i deklaruar prej afro 20 milionë eurosh?

Është e qartë se pjesa tjetër e parave kanë qarkulluar në mënyrë informale.

Dhe nuk bëhet fjalë për kastraveca e domate që nuk lejohet të shiten pa kupon tatimor, por për qindra milionë euro.

Tre vjet më parë Kryeministri Rama deklaronte:

Ne jemi jo vetëm të vendosur dhe shumë të qartë për shtrirjen e këtij aktivitet që ka pasur shtrirje me politikën për mbështetjen që ky aktivitet ka gjetur deri në të shkuarën më të afërt dhe për mbulimin që e ka siguruar falë korruptimit të politikës dhe falë gjithë zinxhirit të krimit deri në Policinë e Shtetit”.

Kryeministri Rama premtoi solemnisht:

Dua të nënvizoj se askush dhe për asnjë aryse nuk do të mundet do të ndalë këtë nismë që nuk është aksion apo sezon, por është një nismë që do të quhet e kryer kur shqiptarët  dhe Shqipëria nuk do të lërë më asnjë lekë në kumar”.

Por aksioni kundër informalitetit duket se nuk po cenon sektorin e bixhozit. Përkundrazi, deputetët e mazhorancës kërkojnë edhe një shtyrje dyvjeçare të ligjit që parashikonj masa shtrënguese.

Arsyen e zbulojnë vetë deputetët:

Duke marrë shkas nga kërkesat e subjekteve që ushtrojnë aktivitetin në fushën e lojërave të fatit, propozohet të shtyhet me dy vjet afati i përmbushjes së kërkesave të ligjit 155/2015 deri më datën 31 dhjetor 2018”, shkruhet në projektligjin e propozuar.

Pra, mazhoranca po i plotëson dëshirat pronarëve të industrisë së kumarit. Të njëjtës industri që Kryeministri premtoi se do ta zhbënte. /Hashtag.al

Please follow and like us: