Albspirit

Media/News/Publishing

SHBA merr në dorë luftën ndaj drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, ja detajet e marrëveshjes

SHBA merr në dorë luftën ndaj drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit, ja detajet e marrëveshjes

Shtetet e Bashkuara të Amerikës do të shtojnë prezencën dhe rolin e tyre në Shqipëri, me ekspertë të të gjitha fushave, me trajnime, pajisje dhe monitorin, sa i takon luftës kundër drogës, korrupsionit dhe krimit të organizuar.

Kështu parashikon marrëveshja e fundit mes Shqipërisë dhe SHBA, e cila është dërguar për shqyrtim dhe miratim në Kuvendin e Shqipërisë. Marrëveshja ndryshon paktin Shqipëri-SHBA, për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, nënshkruar më 1 korrik 2015.

Ndryshimi vjen në kuadër të programit për zhvillimin e sektorit të drejtësisë penale dhe të shtimit të fondit prej 3 milionë dollarë, për të vijuar me zbatimin e reformave në sistemin gjyqësor.

SHBA do ta kushtëzojë fondin me progresin e reformave në gjyqësor. Marrëveshja e detajuar është parashikuar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, në emër të qeverisë shqiptare dhe nga ambasadori amerikan, Donald Lu, në emër të qeverisë së SHBA.

Projekti
Programi për zhvillimin e sektorit të sistemit gjyqësor penal do të sigurojë mbështetje për institucionet kryesore të drejtësisë penale, zyrtarëve të anti-korrupsionit dhe agjencive mbështetëse, për të forcuar aftësitë e Shqipërisë për të luftuar të gjitha format e krimit, në veçanti duke u fokusuar në përmirësimin e efektivitetit dhe cilësisë të procedimeve penale dhe forcimit institucional në këtë kuadër.

Projekti do të përfshijë trajnimin, dhurimin e pajisjeve, asistencën teknike dhe këshillimin nga ekspertë të fushave, duke përfshirë ekspertët e Shteteve të Bashkuara pjesëmarrës nëpërmjet Drejtorisë së Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat për Zgjerim të Komisionit Evropian.

Monitorim Vettingut
Marrëveshja me SHBA për kontrollin e lëndëve narkotike dhe zbatimin e ligjit, parashikon zbatimin e disa komponentëve, duke nisur që nga monitorimi nga ana e amerikanëve të zbatimit të reformave në gjyqësore, mbikëqyrjen e procesit të Vetingut dhe verifikimin e gjyqësorit në koordinim me Komisionin Evropian.

Po ashtu, parashikohet rritja e kapaciteteve të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale.

Parashikohet gjithashtu zhvillimi i një sistemi të drejtësisë penale nëpërmjet legjislacioneve të përmirësuara, ndihmë për gjyqësorin për të gjykuar rastet brenda afateve kohore, në mënyrë efikase, të paanshme dhe etike.
marreveshja
Qëllimi afatgjatë
Qëllimi afatgjatë i këtij projekti është të forcojë sektorin shqiptar të drejtësisë penale, institucionet e tij dhe zyrtarët, në mënyrë që të përgjigjet për të gjitha llojet e krimit, me fokus të veçantë në korrupsionin dhe krimin e organizuar, duke pasur për qëllim ta afrojë vendin më pranë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, në përputhje me qasjen strategjike të vendit.

Mbështetjen dhe financimin e projekteve për zhvillimin e sektorit të drejtësisë penale për të zbatuar komponentët e përshkruar në pjesën e modifikuar të Marrëveshjes.

Për këtë qëllim, qeveria e SHBA-ve dhe qeveria e Shqipërisë, do të ndërmarrin veprime dhe do t’i përdorin burimet në baza vjetore në përputhje me procedurat dhe legjislacionet përkatëse të të dyja vendeve, për të mbështetur këtë përpjekje.

Integrimi
Programi për zhvillimin e sistemit të drejtësisë penale, do të marrë plotësisht në konsideratë negociatat për anëtarësim midis Shqipërisë dhe Bashkimit Evropian, në mënyrë të veçantë planin e veprimit të qeverisë së Shqipërisë për sa i përket kapitullit 23 (Gjyqësori dhe të drejtat themelore) dhe kapitullit 24 (Liria, Drejtësia dhe Siguria) të Acquis Communitaire. Ndërkaq, raporti i vlerësimit të të ardhurave buxhetore është i njëjtë me atë të marrëveshjes bazë, ratifikuar me ligjin nr. 81/2015.

Në këtë drejtim fondet do të sigurohen nga qeveria e SHBA-ve dhe ato do të përfshijnë prokurimet e pronësisë, pajisjet, furnizimet, materialet dhe shërbimet. Qeveria e Shqipërisë do të kontribuojë në projekt duke siguruar fonde të mjaftueshme për shpenzimet normale administrative dhe të përafërta për personelin shqiptar. Këto shpenzime konsiderohen minimale në lidhje me përfitimet.

Objektivat
1. Rritjen e aftësive të prokurorëve dhe hetuesve për të luftuar krimin e organizuar, korrupsionin dhe format e tjera të aktiviteteve kriminale;

2. Zhvillimi i një sistemi të drejtësisë penale përmes përmirësimit të legjislacionit;

3. Duke asistuar gjyqësorin për të gjykuar rastet brenda termave kohorë, në mënyrë efiçente, të paanshme dhe etike;

4. Duke rritur aksesin e shoqërisë civile kundrejt drejtësisë;

5. duke monitoruar zbatimin e reformave në drejtësi dhe duke mbikëqyrur verifikimin e gjyqësorit në koordinim me Komisionin Evropian.

Statusi i personelit të qeverisë së SHBA-ve në Shqipëri
Qeveria e Shqipërisë do të presë personat e caktuar nga Qeveria e SHBA-së për të përmbushur përgjegjësitë e Qeverisë së SHBA-së, sipas kësaj marrëveshjeje.

Pas njoftimit të përshtatshëm nga Qeveria e SHBA-së, Qeveria e Republikës së Shqipërisë do t’u ofrojë punonjësve të Qeverisë Amerikane që përmbushin përgjegjësi sipas kësaj marrëveshjeje, privilegje dhe imunitete të barasvlershme me ato që u jepen stafit administrativ dhe teknik të Ambasadës së SHBA-së, në bazë të Konventës së Vjenës mbi Marrëdhëniet Diplomatike të vitit 1961.

Asgjë në këtë marrëveshje nuk interpretohet të shmangë privilegjet dhe imunitetet e dhëna personelit të tillë në bazë të marrëveshjeve të tjera.

Privilegjet dhe imunitetet e parashikuara në paragrafin A nuk janë të zbatueshme për qytetarët apo banorët e përhershëm të Shqipërisë, aktualisht në Shqipëri, në lidhje me këtë Marrëveshje.

Qeveria e Republikës së Shqipërisë pranon t’i dorëzojë Qeverisë Amerikane emrat e pjesëmarrësve të synuar dhe çdo informacion tjetër që mund të jetë i nevojshëm për të përfunduar inspektimin paraprak të individëve të tillë, duke përfshirë edhe njësinë e tyre të detyrës, jo më pak se dyzet e pesë ditë para datës së synuar të fillimit të trajnimit.

Palët e kuptojnë se në bazë të kësaj marrëveshjeje, asnjë trajnim ose përfitim tjetër nuk mund të sigurohet për ndonjë individ ose njësi, derisa Qeveria Amerikane të konfirmojë se individi ose njësia është e pranueshme.

Palët kuptojnë se “masa efektive” do të thotë se Qeveria e Republikës së Shqipërisë është duke kryer një hetim të besueshëm dhe se individët e përfshirë do të përballen me masat e duhura disiplinore apo ndjekjen e paanshme penale në përputhje me ligjin shqiptar.

Please follow and like us: