Albspirit

Media/News/Publishing

Lufta mediatike Greko-Shqiptare, do ta sulmojë Greqia tokën shqiptare?

Vazhdon lufta mediatike. Dhe humori po bajatoset, ditë pas dite. Ministri grek i Mbrojtjes vesh uniformën ushtarake dhe del xhiro afër kufirit të Shqipërisë. Një europdeputete qipriote, vjen e thotë se Himara është greke.

Rama fërkon duart se karemi që hodhi ca pak kohë më parë ka gjetur ca peshq të mëdhenj që e duan edhe ata “kauzën nacionaliste” po aq shumë sa edhe ai. Sepse në këtë kohë kur ideologjitë kanë rënë, nacionalizmi apo patriotizmi prodhon vota dhe vlon gjakun ballkanas. Pastaj ngrihen në mëngjes ca shqipo, shihen ne pasqyrë, forcojnë muskujt dhe ua “tregojnë me fjalë” vendin Greqisë.

Kërkojnë rimëkëmbjen e ushtrisë shqiptare, kërkojnë që shqiptarët të hanë hekurin me dhëmbë si ca kohë më parë. Le të vriten ca mijëra djelmosha shpejt e shpejt, sa të vijnë e të na paqtojnë ndërkombëtarët dhe të kalojmë pastaj në zgjedhje të jashtëzakonshme. Kryeministri, edhe ay me uniformë të re shqiptare, të qepur me ngut në Paris, të dalë e të fitojë Zgjedhjet, duke vënë kurora me lule të freskëta, te varret e djelmoshave të rënë.

Po sidoqoftë akoma nuk e tejkalon dot akoma, ministrin me uniformë të mbrojtjes helene, që i është mërzitur paqja dhe krekoset si një “Palikari”, duke na futur ne shqiptarëve frikën deri në palcë.

Madje ka zëra se në afërsi të Krishtlindjeve, ushtria greke po përgatitet në fshehtësi për një sulm rrufe, ku edhe për disa orë pushton apo “cliron” Gjirokastrën, shpall aty Prefekt të Përgjithshëm, Vangjelis Dulen dhe të nesërmen ngre flamurin helen mbi kupolën e xhamisë së Korcës.

Mirëpo thuhet gjithashtu se Tcipras, po studion planet e mësymjes së trupave greke elite dhe i trembet se cfare do të bëjë si pasojë Erdogani, që ka deklaruar para ca kohësh që Shqipëria është Turqi dhe Turqia është Kosovë.

Lëre c’vete! Ballkanasit nuk e durojnë dot dimrin që po u ftoh gjakun dhe kanë mall të nxehen nga baruti, derisa të vijë Pranvera….

Po kjo duket si një Tallje e Madhe e shekullit! Po loja me zjarrin është gjithmonë e rrezikshme thonë pleqtë e mencur. /360grade.al/

Please follow and like us: