Albspirit

Media/News/Publishing

Devolliu që mbarështon bletë në Amerikë

Fuat Memelli

Prej kohësh kam dashsur të shkruaj për Jani Boron, devolliun që mbarështon bletë në Amerikë. Dhe ja më në fund, ardhi dita. Arsyet që më nxitën të shkruaj këto rradhë, ishin dy: së pari sepse Jani e meriton, pasi ka lënë gjurmë në mbarështimin e bletëve në Shqipëri. Në Poloskë të Devollit, fshat nga i cili është me origjinë, ka mbarështuar bletë në shtëpi, qysh nga viti 1977. Pas viteve ’90, arriti të ketë 80-90 koshere. Disa vjet ka punuar bletar edhe në shtet, deri në ndrimin e sistemit. Ai nuk harron të përmendë ndihmën që i ka dhënë në hapat e para, tekniku i bletëve, Soto Veriga. Më pas ka mbarur edhe kurs një vjeçar në Tiranë. Arsyeja e dytë më nxiti, është origjina e tij nga Poloska, fshat nga ishte edhe nëna ime. Për këtë arsye, Kosta Nakes, Endri Fifos ( përfshi edhe poetin e ndjerë, Bashkim Gjoza) unë i thërisja me humor “dajo”, ndërsa ata më thërisnin “nip”.
Por, le të ndjekim rrugën e Janit për bletarinë në Amerikë. Ardhi këtu me llotari në vitin 2008, tok me gruan e dy djemtë dhe u vendos në qytetin Rochester , që përfshihet në shtetin e Neë Yorkut. Krahas punës që bënte në restorant, nuk e linte rehat “mikrobi” i bletarisë. Duke biseduar me shokë e miq, arriti të sigurojë bletë qysh vitin e parë që ardhi në Amerikë. Sot ka 30 koshere. Duke biseduar me Janin, ai më tregon se këtu ka shumë lloj lulesh e pemësh, por sezoni i tyre është i shkurtër, rreth një muaj, pasi bën ftohtë. Në dimër temperatura arrin -28 deri -30 gradë Celsius. Për t’i mbrojtur bletët nga të ftohtit, i mbështjell me karton e plastmas dhe deri tani nuk i është dëmtuar asnjë. Si usta i kësaj fushe, tregon kujdes edhe për luftimin e varrotozës, sëmundje e rezikëshme për bletët. Deri tani nuk i është dëmtuar asnjë koshere nga kjo sëmundje, pasi e bën trajtimin në kohë, ndërsa një mikut të tij amerikan, iu dëmtuan të 2000 kosheret që kishte. Ai tregon për teknikat e avancuara që përdoren këtu te bletët, një nga të cilat është edhe marja e mjaltit direkt në koshere, nëpërmjet një paisjeje me tub. Mer 30-35 kg mjaltë për zgjua, por në Amerikë tregon ai, meren deri 70 kg mjaltë për zgjua.
Pyetjes se ku e tregëton mjaltin, ai iu përgjigj:- Një pjesë të mirë ua fal miqve e shokëve, ndërsa një pjesë e shes. Vazot me mjaltë të madhësive të ndryshme, i nxjerr në një tavolinë afër rrugës ku ndodhet parku i bletëve. Aty te ky “dyqan” pa shitës, vijnë amerikanët , marin mjaltin dhe lenë lekët në një kuti. -A të është vjedhur ndonjë vazo? – e pyes unë.-As që diskutohet kjo. Këtu është si vakëf.
Por , devolliu Jani Boro, i mësuar me punë si gjithë devollinjtë, synon ta shtojë numrin e bletëve. Mendon të arrijë në 2-3 mijë koshere. Këtu ku jeton, nuk mund t’i shtojë, pasi bën shumë ftohtë. Mendon të shkojë në Kaliforni, ku është vendi më i mirë në Amerikë për mbarështimin e bletëve. Me këtë dashuri e pasion që ai ka për bletarinë, do ta realizojë edhe këtë synim.
Duke jetuar në Amerikë, Jani nuk harron asnjëherë Shqipërinë. Krahas lidhjeve që mban me njerzit e tij, babanë, nënën, motrat etj, nuk harron edhe shokët e miqtë e tij, veçanërisht bletarët në Devoll.-I mar në telefon , u tregoj për teknikat e reja që zbatohen këtu, i dërgoj foto e vidjo, etj.-Mos nguroni të më kërkoni ndihmë! – u them bletarëve në Çipan, Bilisht, Tren, etj. Një herë në vit, ai shkon në Shqipëri, ku ri një muaj. Krahas njerëzve të tij, takon edhe shokët e vet bletarë.-Nuk më vjen mirë kur dëgjoj që ndonjë bletar në Shqipëri, abuzon me mjaltin, duke i hedhur sheqer, etj. Mjalti duhet të shitet ashtu si e bën bleta. Ajo është “fabrika” më e mirë, thotë ai.
Për bletarin Jani Boro, mund të flasësh shumë, pasi ai ka lënë gjurmë në Shqipëri, po le edhe këtu në Amerikë. Të tillë janë devollinjtë edhe nëpër botë, ndaj siç thotë Dritëro Agolli, ata e meritojnë përmendoren e punës.

Please follow and like us: