Albspirit

Media/News/Publishing

Ambasada Austriake: Ja e vërteta e “Koncertit të Vienës” në Tiranë

Ambasada austriake ne Tiranë në një deklaratë për mediat pasditen e së martës bën të ditur se pas paqartësive të shfaqura ditët e fundit në lidhje me “Ansamblin Filarmonik të Vjenës“ dhe “Filarmoninë e Vjenës”, jep sqarime mbi koncertin e datës 2 janar në Tiranë.

“Në datën 2 janar do të përformojnë në Tiranë 36 artistë të ardhur nga Vjena. Ky grup përbëhet nga anëtarë të “Ansamblit Filarmonik të Vjenës”, anëtarë dhe ish-anëtarë të Filarmonisë së Vjenës, si dhe nga muzikantë të tjerë austriakë.

“Ansambli Filarmonik i Vjenës” është themeluar në vitin 2013 me iniciativë të Shkëlzen Dolit, anëtar i Filarmonisë së Vjenës.

Koncerti i organizuar nga Ministria e Kulturës, në bashkëpunim me AGE Art Production, ka gjetur mbështetjen e disa kompanive austriake dhe shqiptare, si dhe të ambasadës austriake në Tiranë”, thuhet në deklaratë.

Ambasada austriake ne Tiranë shpjegon se “Një pjesë e madhe e biletave iu shit qytetarëve të interesuar në sportelin e Pallatit të Kongreseve si dhe online. Një pjesë tjetër iu shpërnda sponsoreve. Gjithashtu, një pjesë e biletave iu dedikua grupeve me aftësi të kufizuara dhe studentëve të ekselencës.”

“Duke qenë se interesi ishte shumë i madh, vetëm një pjesë e vogël prej tyre arriti të mbetej e kënaqur me sigurimin e një bilete. Për këtë lutemi për mirëkuptimin Tuaj. Dëshirojmë të theksojmë, se një pjesë e të ardhurave të mbledhura nga shitja e biletave do të shkojë për bamirësi, konkretisht për Fshatin SOS në Shqipëri. Gjithashtu, koncerti do të transmetohet live në Radio- Televizionin Shqiptar. Dëshirojmë t’ju urojmë një fillim viti të mbarë dhe t‘ju përcjellim të gjithë shqipëtareve dhe shqipëtarëve urimet më të mira në këto ditë festash”, thuhet në deklaratën e ambasadas austriake në Tiranë.

Please follow and like us: