Albspirit

Media/News/Publishing

Promovohet libri i Ermelinda Manos “Lost in Las Vegas”

Bashkia e Las Vegasit Shpall 7 Dhjetorin 2016: “Ermelinda Manos Day”
Nga Teuta Mulaj

Këto ditë, në Galerinë Metropolitane të Muzeut të Artit në downtown Las Vegas, u organizua promovimi i librit të Ermelinda Manos “Lost in Las Vegas”.
Merrnin pjesë njerëz të artit e kulturës, historianë të qytetit, përfaqësues të bizneseve lokale, stilistë, miq të Ermelindës dhe të familjes së saj të nderuar në komunitetin shqiptar të Las Vegasit dhe përtej.Veprimtaria e konceptuar si një mbrëmje koktei, u zhvillua në një atmosferë të ngrohtë krijuese, me momente kulmore shumë të bukura dhe emocionuese.
Libri në fjalë është fryt i një pune dyvjeçare studiuese, hulumtuese dhe krijuese të Manos, ku historia e zhvillimit të Las Vegasit, momentet më të rëndësishme të njohura dhe jo shumë të njohura ndërthuren me artin e ditarin krijues të stilistes tashmë të konsoliduar.
Në fjalën emocionuese, Ermelinda foli mbi punën e saj për studimin, hulumtimin dhe përzgjedhjen e 24 momenteve dhe pikave historike, të cilat në këtë libër vijnë të shoqëruara me veshtjet e krijuara dhe të realizuara prej saj, në përshtatje me historinë e qytetit. Ishte shumë e rëndësishme për mua, tha ajo, të kisha një staff të realizimit të librit me më të mirët në këtë fushë, njerëz që jetojnë dhe e duan Las Vegasin po aq sa edhe unë.
Redaktori i anës historike të librit është editori i famshëm, historiani i mirënjohur i Las Vegasit, Geoff Schumacher, kurse për anën grafike, artisti i talentuar Carlos Larios. Fotografi Anthony Mair dhe asistenti Jon Estrada kanë bërë një punë të lavdërueshme në fotografimin e pikave historike dhe modeleve të veshjeve që shkojnë përkrah tyre; të gjitha të prezantuara nga Alicia Hall, ish -Victoria Secret dhe Sport Ilustrated model. Make-up artist është Maile Bello, hair stilist Sylvia J. Stankowski, pa lënë pa përmendur asistentët Tiffany Weekes dhe Kelly Goetz.
Ermelinda Manos tha se ia dedikon këtë libër emigrantëve të rinj si një mesazh që gjithçka mund të arrihet, pavarësisht nga vështirësitë, mjafton të ndjekës çdo ditë ëndrrën tënde. Ajo foli edhe për vështirësitë e procesit të saj të emigrimit, ndonëse e ndihmuar fuqishëm nga avokatja Francy Johnson, e cila fluturoi 20 orë nga Kuvajt për të festuar me Ermelindën.
Mbrëmja u monitorua nga Sancho Van Ryan, personalitet i mirënjohur në jetën artistike, ndërkohë që DJ Douglas Gibbs, krijoi një sfond muzikor që i dha shumë bukuri dhe ngrohtësi tërë ambjentit. Por padyshim, momenti më i bukur, ishte kur Manos iu dorëzua një certifikatë me të cilën Z. Carolyn Goodman, Mayor e qytetit, dekreton 7 Dhjetorin 2016 si “Dita e Ermelinda Manos” duke nderuar kontributin e saj përmes fashion dhe art.
Ermelinda Manos, që erdhi në Las Vegas bashkë me prindërit dhe tre vëllezërit e saj, është rritur nga ajo çupëzë e vogël, me sy që shkëlqenin nga një ëndërr e madhe, që u tregonte miqve që vinin në shtëpinë mikpritëse të tyre skicat e saj, në këtë vajzë të bukur si yll, të talentuar dhe të suksesshme, që tashmë ka linjën e saj të veshjeve “Ermelinda Manos Designs”. Ajo është e ftuar në çdo sezon të “Fashion Week” në Los Angeles, me koleksionet e veshjeve të saj.
Të pranishmit në këtë mbrëmje patën kënaqësinë të ndjekin një sfilatë mode, ku për to bënë një kalim të bukur 24 vajza modele me 24 veshjet e paraqitura në libër dhe u larguan me besimin se do të shohin gjëra edhe më të bukura prej saj.
Ermelinda Manos është padyshim krenaria dhe gëzimi i familjes së saj dhe pse jo, edhe i komunitetit shqiptar të Las Vegasit e përtej.

Please follow and like us: