Albspirit

Media/News/Publishing

Blushi: KQZ, Gjykata e krimeve të luksit. Nëse nuk heq mandatet që ka në tryezë, reforma në drejtësi s’ka vlerë

Deputeti dhe themeluesi i LIBRA-s, Ben Blushi ka reaguar pas shtyrjes së mbledhjes së KQZ-së ditën e djeshme pa një vendim për mandatet e dy deputetëve Shkëlqim Selami dhe Dashamir Tahiri dhe kryebashkiakut të Kavajës Elvis Rroshi.

Blushi e ka quajtur Komisionin Qendror të Zgjedhjeve, “Gjykata e krimeve të luksit”.

Për të tre këta funksionarë, Prokuroria kërkoi lënien e funksioneve shtetërore pasi rezultojnë të prekur nga ligji i dekriminalizimit, por KQZ dje nuk mori asnjë vendim duke e deleguar çështjen sërish tek organi i akuzës për më shumë informacione. Pikërisht për këtë arsye Blushi thotë se nëse KQZ nuk heq mandatet që ka në tryezë, atëherë reforma në drejtësi s’ka asnjë vlerë.

“KQZ, Gjykata e Krimeve të Luksit! KQZ kërkon kohë për t’u bindur se kush është Elvis Roshi dhe të tjerët megjithëse provat e prokurorisë ishin të qarta. Sipas prokurorisë tre të zgjedhur duhet të lënë mandatet për shkak te dënimeve të mëparshme ne Europë!

Partitë e vjetra që formojnë KQZ duan t’i mbrojnë me procedurë mizore, të padrejtë dhe amorale. Nëse KQZ nuk heq mandatet që ka në tryezë, atëherë reforma në drejtësi s’ka asnjë vlerë. E kanë shtrirë, e kanë grirë, e kanë fshirë, e kanë nxirë dhe e kanë shitur lirë, me hir a me pahir”, shkruan Blushi në “Facebook”.

Sipas tij, kjo do të thotë që në Shqipëri është krijuar një gjykatë unike e cila ka të drejtë të gjykojë dhe ndryshojë vendimet e Gjykatave Europiane. Ndërsa për ‘çudinë’ KQZ thotë se arkitekti ishte Sali Berisha, ndërsa investitori Edi Rama.

“Oskar Wilde thoshte se, amerikanët e mirë, kur duan të vdesin, shkojnë në Paris. Ndërsa europianët e këqij, kur duan të shpëtojnë duhet të vijnë në Tiranë. Kjo çudi quhet KQZ dhe për herë të parë u testua në Shqipëri në vitin 2016. Arkitekti i saj quhet Sali Berisha. Investitori quhet Edi Rama. Vinçin e solli Lulzim Basha. Qilimat i shtroi Vangjush Dako. Xhamat i pastroi Klement Balili. Kafet i pagoi Lulzim Berisha. Biletat e parkingut i mblodhi Mark Frroku. Mijëra shqiptarë sidomos nga Kavaja, Shkodra dhe Lezha u mahnitën me shkëlqimin e saj prej ylberi!”, deklaron Blushi.

Please follow and like us: