Albspirit

Media/News/Publishing

Kolona zanore e filmave shqiptarë

Kolona zanore e filmave shqiptarë, një pjesë e harruar e fondit të muzikës shqiptare do të risillet në një mbrëmje gala të organizuar për herë të parë nga Radio Televizioni Shqiptar në bashkëpunim me orkestrën e RTSH-së, Arkivin Qendror të Filmit dhe Qendrën Kombëtare të Kinematografisë. Qëllimi i kësaj mbrëmje gala titulluar “Faleminderit për muzikën”, është jo vetëm rikthimi i disa pjesëve muzikore, por dhe vlerësimi i autorëve të tyre. Veprat më të mira nga kompozitorët e njohur shqiptarë Çesk Zadeja, Feim Ibraimi, Kujtim Laro, Aleksandër Lalo, Aleksandër Peçi, Limos Dizdari, Agim Krajka dhe Haig Zacharian do të jenë kryefjala e këtij eventi, i cili ka për qëllim krijimin e një tradite, që në fillim të çdo viti të mund të sjellë një vlerë të re të muzikës së filmit shqiptar. Kolonat zanore të filmave shqiptarë kanë qenë një element shumë i rëndësishëm në suksesin e këtyre filmave, duke mbetur gjatë në memorien e gjithësecilit prej nesh. Kjo është arsyeja e krijimit të një evenimenti, si kjo mbrëmje gala, që do të shohë të parakalojnë artistë, muzikantë, personalitete përpara një publiku. Megjithëse ka qenë shumë e vështirë përzgjedhja e tyre do të jenë 18 kolona zanore, të cilat do të sillen plotësisht. Ato do të jenë të ripunuara dhe të riorkestruara në një version tjetër, duke i dhënë atyre një vlerë të re të shtuar. Kjo mbrëmje shfaqet për publikun më 1 Janar të Vitit të Ri në RTSH, për ta nisur 2017-tën me meloditë më të bukura të filmave shqiptarë. Muzika që mban emrin e kompozitorëve që do të jenë pjesë e kësaj mbrëmje është vlerësuar gjithmonë, janë emra që kanë zënë një vend nderi në artin shqiptar. Më herët nga autorë të veprave është kërkuar, që të ketë më shumë vëmendje për këtë krijimtari. Për veprat shqiptare duhet të ketë tjetër kujdes, sipas kompozitorit Haig Zacharian, dhe janë institucionet shtetërore ato që duhet të kenë programe dhe projekte në mbështetje të kësaj krijimtarie shqiptare. Vëmendje kompozitori ka kërkuar dhe nga Ministria e Kulturës, që duhet të ketë një fond të veçantë për atë që cilësohet krijimtaria e re muzikore.

Please follow and like us: