Albspirit

Media/News/Publishing

Miti dhe e vërteta mbi Stalingradin

Ekspozita e veçantë me rastin e 70-vjetorit të Betejës së Stalingradit në muzeun Historik Ushtarak të Bundeswehr-it : A ka qenë ajo beteja vendimtare për fundin e Luftës së Dytë Botërore?

 

70 vjet më parë, më 2 shkurt 1943, përfundoi beteja e Stalingradit. Ajo është konsideruar si një nga më të përgjakshmet e Luftës së Dytë Botërore. Fjala “Stalingrad” është bërë në të gjithë botën sinonimi i tmerreve të luftës. Stalingrad: Ky emër i qytetit, që tani quhet Volgograd, nuk gjendet më prej kohësh në hartat e botës. Por nga mendjet e njerëzve “Stalingradi” nuk është zhdukur. Përse betejat e tjera të Luftës së Dytë Botërore, si ajo e Moskës, apo e Kurskut nuk janë fiksuar kaq fort në memorien e opinionit? Në muzeun HistorikUshtarak të Bundeswehr-it (ushtria gjermane) në Dresden është hapur këto ditë një ekspozitë e posaçme, kushtuar betejës së Stalingradit. Organizatorët përpiqen të gjejnë përgjigje për këto pyetje.

Stalingradi si ngjarje mediatike

Në ekspozitë natyrisht që janë të ekspozuar mitralozë dhe tanke me armatime kunër-ajrore. Por jo vetëm akaq: Aty sheh edhe një harmonikë, që është marrë si trofe lufte dhe një pemë artificiale e Vitit të Ri, e stolisur. Pemën e dërgoi në Stalingrad në dimrin e vitit 1942 komandanti i forcës ajrore, Hermann Göring, për të mbajtur lart moralin luftarak të oficerëve të Rajhut.

Por e veçanta kryesore e ekspozitës është se ajo dokumenton, se si Stalingradi u bë një mit, shumë kohë para se të fillonte beteja. Ndër eksponatet gjenden gazeta gjermane, që parashikonin qysh në prill 1942 një fitore të afërt në Vollgë. Aty gjenden edhe trakte sovjetike kundër Hitlerit në gjermanisht, si dhe gazeta britanike, të cilat ishin plot shpresë për një fitore të trupave sovjetike.

Të gjitha këto gjëra shërbejnë për të ilustruar faktin, se si në vetëdijen publike u krijua miti i Stalingradit. “Imazhi i Stalingradit” është krijuar qëllimisht nga palët dhe është shfrytëzuar edhe për qëllime propagandistike.

 

Beteja më e rëndësishme e luftës?

Historianët theksojnë se Stalingradi ndoshta nuk ka qenë beteja vendimtare në Luftën e Dytë Botërore. Jens Wehner, kuratori kryesor i ekspozitës, nuk e mban atë për betejën më të rëndësishme në frontin gjermano-sovjetik. Kur sheh vitin 1941, pra sulmin gjerman ndaj Bashkimit Sovjetik, se si është zhvilluar lufta deri në betejën e Moskës, del se aty janë vendosur në fakt piketat”, thotë ai në një intervistë për DW. Bashkimi Sovjetik fitoi prej saj kohë për të mobilizuar forcat. Rezistenca e fuqishme e Ushtrisë së Kuqe në vitin 1941 bëri që të dështojnë të gjitha planet e Hitlerit. Nje plan B ai nuk ka pasur. “Pra, nëse dëshiron të kërkosh betejën vendimtare, ka qenë ajo e Moskës në 1941”, thekson punonjësi i muzeut historik ushtarak të Bundeswehr-it në Dresden. Por Hitlerit i nevojitej një fitore e madhe, për të stabilizuar situatën në Gjermani dhe në front. Stalini nga ana e tij donte t’i bindte aleatët e tij në Britaninë e Madhe dhe Shtetet e Bashkuara se “Rajhu i Tretë” mund të mposhtej. Të dyve u nevojitej një fitore. Ata kishin nevojë për një triumf të shkëlqyer dhe epokal. Prandaj, që para fillimit të betejës së Stalingradit, u ndërmor gjithçka, që kjo temë të dilte në media në mbarë botën. Përveç kësaj Stalingradi ishte qyteti, që mbante emrin e armikut kryesor të Hitlerit.

 

Hitleri dërgonte pemë artificiale krishtlindjesh në front

Tek beteja e Stalingradit të shkon mendja edhe sot, kur është fjala për operacione të mëdha ushtarake. Ai qytet, i cili mundi të sprapsë sulmin e ushtrisë gjermane, është bërë një simbol, që e përdorin deri sot muzikantët, regjisorët dhe zhvilluesit e lojërave kompjuterike. Në ekspozitën në Dresden është ekspozuar një kukull lojë e prodhuar në Kinë në vitin 2000. Ajo mban emrin e kryekomandantit të ushtrisë së gjashtë, gjeneralit Friedrich Paulus. Edhe pse mund të tingëllojë cinike, Stalingradi është sot gati si një markë, me të cilën mund të arrish të bësh edhe biznes. Edhe këtë e tregon ekspozita.

Please follow and like us: