Albspirit

Media/News/Publishing

Rama përkujton Vangjush Mion: Ky virtuoz i madh i artit pamor

Vangjush Mio, ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri, ai konsiderohet si peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit XX.

Ky vit do të jetë ai i përkujtimit të 60-vjetorit të ndarjes nga jeta të një virtuozi të madh të artit pamor në Shqipëri, të paharruarit Vangjush Mio.

Kryeministri Edi Rama, vlerëson se përveç se artist i madh, Vangjush Mio ishte një i dashuruar i madh pas jetës së dlirë dhe miqve të mirë. “Këtë e dëshmon edhe kjo foto që të kujton “Gjeorgjikët dhe Bukolikët” të Virgjilit apo “Bagëti e Bujqësi” të Naimit, ku Mio shijon jetën e qetë të fshatit në shoqëri të mikut të tij, Foqion Miçaçit”, shprehet Rama.

Piktori i Popullit, Vangjush Mio, i cili vdiq në dhjetor të vitit 1957, ishte piktori i parë impresionist në Shqipëri. Ai lindi në Korçë, ndërsa zhvilloi studimet për Arte të Bukura në Universitetin Kombëtar të Arteve në Bukuresht dhe më pas Akademinë mbretërore San Luca, në Romë.

Vangjush Mio njihet më së shumti për peizazhet dhe konsiderohet si peizazhisti më i përkryer shqiptar i shekullit XX. Temat e tij të parapëlqyera i merrte nga Korça, Pogradeci dhe rrethinat, por ai përjetësoi në punimet e tij edhe qytete të tjera si Tirana, Elbasani, Himara, Berati dhe Gjirokastra. Përveç peizazheve, Mio ishte brilant edhe në pikturimin e portreteve. Ai ishte njëkohësisht edhe skenograf i teatrit të qytetit të Korçës, shkruan JavaNews.

Gjatë 40 viteve karrierë të lavdërueshme ai realizoi mbi 400 vizatime dhe 130 piktura. Rreth 60 punime të tij mund të admirohen në Galerinë Kombëtare të Arteve në Tiranë. Veprat e tjera, ekspozohen në shtëpinë e Vangjushit që tani njihet si Muzeu Vangjush Mio.

Please follow and like us: