Nga Arben Llalla

Ka disa kohë që Greqia po investohet fort në propagandë dashakeqe ndaj Shqipërisë, në veçanti në luftë kundër kryeministrit Edi Rama. Propagandës së Greqisë i bashkohen herë pas here mediat e Tiranës duke botuar shkrime që vjetruar, të tipit riciklim i plehrash.

Javën e parë të vitit mediat greke propaganduan me të madhe se shqiptarët janë pjesë e fortë e organizatës terroriste ISIS, duke gënjyer vend e pavend që në Shqipërisë dhe Kosovë po përgatiten klinika, ku anëtarët e ISIS do rrëmbejnë ortodoksit sllavë e grekë për t’ju marrë organet dhe shitur në tregun e mafies. Të gjitha këto lajme të mediave dhe televizioneve greke bëhen me qëllimin e keq për të krijuar një imazh terrorist të shqiptarëve.Vlen të rikujtojmë se njeri nga drejtuesit e lartë të ISIS është grek, ai quhet Joannis Georgielas (Γιάννης Γεωργελάς) nga Kreta dhe është shefi i informacionit dhe propagandës së ISIS, i cili është në foton që po publikoj. Kjo strategji propagandistike, jo pa gjasë përmban të njëjtat elementë të Shtëpisë së Verdhë, famëkeqe e sajuar nga i njëjti laborator shpifës, i përcjellë nga Dick Martin.

Ndërsa javën e dytë të vitit 2017, mediat e Shqipërisë botuan me shumë zell shkrimin e ish-ministrit të jashtëm të Greqisë, arvanitasit Teodor Pangallo.

Në fakt, e vërtetë shkrimi në fjalë i Pangallosit është botuar në 18 dhjetor 2016 tek gazeta “Tovima” dhe titull: “Paketë e çuditshme” dhe atë periudhë askush nuk shfaqi interesim për ta botuar në Tiranë. Por, çuditërisht këtë të martë gazeta “Panorama” deklaron se ka ekskluzivitetin, paralel gazeta “Koha jonë” e Nikollë Lesit e ka botuar në ballinë po në të njëjtën ditë. Por, lexuesi shqiptar duhet të mësojë të vërtetën e këtij shkrimi dhe jo të ushqehet me gënjeshtra dhe lajme të vjetruara, të cilat as për riciklim nuk ja vlen të ribotohen.

Shkrimi i Teodor Pangallos u porosit nga ambasada greke në Tiranë për t’u botuar në mediat shqiptare më 10 janar, pra rreth 25 ditë, pasi ishte publikuar në gazetën greke “Tovima”, pa kurrfarë interesi publik, aq sa në faqen e fcbtë Pangallosit si politikan me peshë mori vetëm 30 pëlqime dhe asnjë shpërndarje, kurse në faqen elektronike të gazetës “Tovima” kishte vetëm 1 shpërndarrje dhe asnjë pëlqim.

Ribotimi ka në prapavijën e saj dashakeqësi për të mbajtur të acaruara marrëdhëniet greko-shqiptare pas ndërkombëtarizimit të Çështjes Çame nga kryeministri Rama, Komisioneri Hahn dhe eurodeputetit Knut Fleckenstein, i cili është raportues për Shqipërinë.

Kishte rreth një muaj që askush nga mediat e Tiranës nuk merrej me marrëdhëniet e ftohta greko-shqiptare dhe ja befas del në skenë shkrimi i Pangallosit me riciklim. Por, vërtetë “Panorama”, “Koha Jonë” apo ndonjë media tjetër e përktheu dhe e botoi në mënyrë të pavarur shkrimin e Teodor Pangallosit? Unë kam dyshimet e mia dhe të gjithë duhet të dyshojmë për një lojë të fëlliqur të mediave të Tiranës në bashkëpunim me strukturat e zbulim dhe kundërzbulimit të Greqisë, të cilat në Shqipëri lëvizin lirshëm.

Lexuesi shqiptar duhet të ketë parasysh se Teodor Pangallos nuk ka asnjë të drejtë morale për të akuzuar shqiptarët dhe kryeministrin Rama për bashkëpunim me Turqinë, sepse ishte pikërisht ai si ministër i jashtëm në qeverinë e Simitis, e cila bashkëpunoi me shërbimin inteligjent turk më 1999 për të arrestuar si lepur drejtuesin e Partisë Punëtore të Kurdistanit (PKK), Abdullah Oçalan brenda në ambasadën greke në Kenia. Për t’u mbyllur skandali i arrestimit të Oçalan dhe bashkëpunimi i qeverisë greke me qeverinë turke, Teodor Pangallos dha dorëheqjen si ministër i jashtëm dhe u largua nga postet e larta të partisë në pushtet ato vite PASOK.