Albspirit

Media/News/Publishing

Trump dhe debati mbi median dhe lajmet e paverifikuara

Janë dokumente me përmbajtje shpërthyese, ato që platforma Buzzfeed publikoi të martën (10.10): Donald Trump që mban marrëdhënie prej pesë vitesh me Kremlinin ka marrë mbështetjen e tij në fushatën zgjedhore. Agjentë të shërbimit sekret rus duket se kanë shtënë në dorë dokumente kompromentuese për Trump, dokumente që e bëjnë me gjasë presidentin amerikan të shantazhueshëm.

Dallgë debati pas publikimit në Buzzfeed

Por këto pretendime nuk janë të verifikuara. Kështu si Donald Trump ashtu edhe Kremlini i mohojnë akuzat. Megjithatë lajmet kanë shkaktuar tërmet në mediat amerikane- kanë ndezur një debat, se si duhet të veprojnë gazetarët me informacione të paverifikuara. Buzzfeed me këtë publikim shkel parimin bazë të gazetarisë, që informacione me peshë të publikohen vetëm pas një verifikimi të kujdesshëm. Sipas disa mediave, dokumentet që ka publikuar kjo platformë, prej muajsh kanë qenë në duar të disa gazetarëve e politikanëve. Por shumica e redaksive kanë vendosur të mos raportojnë, sepse nuk ka prova për këto pretendime.

Verifikimi me probleme

Gazetarja për çështje politike, Julia Ioffe shkruan në twitter se edhe ajo e ka këtë dokument, por nuk e ka botuar, sepse nuk e ka pasur të mundur verifikimin. Mother Jones, një revistë me orientim të majtë kishte publikuar që në tetor një artikull ku theksohej, se FBI ka dokumente, sipas të cilave mësohet se Donald Trump punon me qeverinë ruse. Gazetari David Corn shkruan se ai raportoi, duke theksuar se ka një burim të besueshëm, por nuk e botoi dokumentin e plotë, sepse nuk mund të vërtetonte vërtetësinë e përmbajtjes. “Madje edhe një Donald Trump duhet të trajtohet me ndershmëri gazetareske”, shkruan ai.

Mjafton transparenca?

Ndërsa CNN pa u futur në detaje kishte publikuar, se punonjës të shërbimeve sekrete kishin informuar si Barack Obamën ashtu edhe Donald Trump, se Rusia ka informacione të sikletshme për Trump. Pak më vonë, Buzzfeed botoi dokumentin, gati të panxirë, me të gjitha detajet e paverifikuara.

Buzzfeed pranon në një artikull shoqërues të publikimeve, se kjo dosje nuk është verifikuar. Por sipas saj, amerikanët pas raportimit në CNN duhet t’u jepet mundësia të krijojnë opinionin e tyre. Sipas kryeredaktorit të Buzzfeed, Ben Smith qëllimi ka qenë “të ishim transparent dhe ndajmë informacionet që kemi me lexuesit tanë”.

Dëmton Buzzfeed besueshmërinë e medias?

Por gazeta online “Slate” e kritikon këtë argumentim si “jo të vërtetë” dhe shkruan “nëse krerët e shërbimeve sekrete amerikane, punonjës në kongres, gazetarë investigativë nuk mund ta vendosin dot, nëse ka diçka në këto akuza, si mund ta bëjë këtë një lexues normal?”

Ndërsa “The Atlantic” trembet se Buzzfeed dëmton në plan afatgjatë besueshmërinë e medieve me këto publikime: “Nëse dosja për Trumpin ka shumë informacione që mungojnë, atëherë ajo do të nxirret gjithmonë si kartë për të diskredituar akuzat e besueshme dhe të vërtetuara për Trump.” Puna e një reporteri është jo të hedhë sa më shumë informacione që mundet në opinionin publik, por të vlerësojë e të përzgjedhë atë që është e vërtetë nga e pavërteta.

Kritika për publikimet e Buzzfeed vijnë edhe nga “New York Time”. Kryeredaktori i kësaj gazete, Dean Baquet vëren në një intervistë,se gazeta e tij nuk do t’i botonte këto dokumente, sepse ato akuza “janë në tërësinë e tyre të pavërtetuara”.

Lëvdata vijnë nga një organizatë për gazetarinë investigative, “ProPublica”. Presidenti i saj, Richard Tofel shkruan “Duartrokitje për @BuzzfeedBen dhe ekipin e tij për publikimin e dosjes.” Në fund të fundit publikimi i këtyre akuzave do të përshpejtojë procesin për gjetjen e së vërtetës, pra për ndarjen e fakteve nga pretendimet e pavërteta – është teza e Richard Tofelit-

Please follow and like us: