Albspirit

Media/News/Publishing

Beqë Cufaj: Për Ramizin dhe Ramushin

I.

Është mbrëmje dhe zakonisht në mbrëmje, nëse njeriu don të jetë i qetë, i preferohet një libër apo një film. Sepse përzierja e lajmeve të ditës me ato të tash-it nxit atë hutinë aq zor të përballueshme.

Sidomos nëse ka lajme të trishta.

I trishtë është kumti i Adriatik Kelmendit për vdekjen e axhës së tij, shkrimtarit, përkthyesit, publicistit, Ramiz Kelmendit.

Nuk mund të them që kam patur miqësi me të por kemi patur një respekt të ndërsjellë i cili i tejkalonte përmasat e Prishtinës. Letërsia, gazetaria, përkthimet. Gjeografi e pafundme temash e bisedash: me apo pa njerëz tjerë në tavolinat e restoranteve të Prishtinës. Them restoranteve sepse Ramiz Kelmendi nuk ishte njeri i mejhaneve. Ramizi nuk ka patur sekrete. Ose nëse ato i ka patur i mbante brenda mureve të dhomës së punës e shtëpisë së tij në Taslixhe. Jashtë, jashtë Ramizi ishte aristokrati i kryeqytetit. Jo orientali. Oksidentali në çdo drejtim: nga pamja prej një zotëriu me mirësjellje dhe aure prej perëndimori deri tek kultivimi i bisedës.

Ramizin e kam takuar në vitet vitet 90 në kafe Koha, vendin përballë Pallatit të Shtypit kur Serbia na shtypte dhe prej asaj kohe kanë filluar shkëmbimet. Për përkthimet e tij dhe gazetarinë e tij, letërsinë e tij dhe atdhedashurinë e tij. Këtë sidomos e vërejta kur Batoni (Haxhiu) na afroi derisa bashkë me Ramizin hapën punëtorinë e parë për Gazetari në Kosovën e shkallmuar të paraluftës: Faik Konicën.

Të gjitha këto më së bukuri janë të përshkruara në librin e djali të tij, Migjenit, tek “Gryka e Kohës”. Një monument për babain. Antidot i “Letrës Babait” të Franz Kafkës. Sa jemi shoqëruar me Migjenin kurrë s’ia kam thënë këtë gjë: po të ishte ndalur tek përshkrimi i drekave me Babain e tij i cili nga dhoma e punës u tregonte për atë sa i madh ishte “ky Marques”-i, “Gryka e kohës” do të mund të kishte dalur një libër i pashkruar më parë në shqip.

Po të ishin moneta të gjitha ato shkronja që Ramiz Kelmendi ka shkruar, shtypur, botuar në gjuhën shqipe: nga novelat, romanet, përkthimet, artikujt e esetë e tij… do të ishte një prej pasanikëve më të mëdhenjë të atij nënqielli! Sa shkronja, sa faqe librash e gazetash, sa dashuri për shqipen dhe shqiptarinë kishte dhe shprehu ky njeri! I papërmirësueshëm me optimizmin, respektin e dashurinë për kolegët, rininë, shtampën e shtypur në shqip.

Dy figurat më markante të Prishtinës, prejse e njoh këtë qytet, në krejt paraditet e tyre ishin Ali Podrimja e Ramiz Kelmendi. Njëri: kaotiku dhe poeti në shpirt, trup, tru. Tjetri: Gentleman-i. Njëri: polarizuesi. Tjetri: paqedashësi dhe dashamiri. Poeti i popullit dhe Kronisti i Kohës.

Kujtimi për ta është i përjetshëm.

Sepse ditën dhe arritën të bëjnë diçka që shpesh harrohet: ndërtuan bazat e asaj pak që sot Kosova ka. Kulturën e Arsimin, Gzetarinë e Letërsinë.

II.

E enjte politike. Fund e krye.

Nga lajmi për “boom”-in e ekonomisë gjermane deri tek lirimi (me kusht) i Ramushit nga Gjykatësit e Colmarit në Francë.

Nga krejt teoritë e konspiracioneve për (edhe) këtë ndalesë që Ramushit iu bë vazhdoj të mendoj që duhet të jetë një banalitet i radhës: një polic kufitar idiot që ka një shef ndërrimi po idiot, shef stacioni kryeidiot… që duan të “zbatojnë” ligj për një “fletarrest” të një shteti inekzistent (Serbia dhe Mali i Zi) dhe për aktakuza që tashmë kanë dalë të jenë të paqena (në procesin e Hagës).

(Vazhdoj të mendoj që faji është tek Qeveritë e Kosovës, tek Dialogjet e Kosovës me Beogradin. Sepse s’ka dialog pa u gjetur të pagjeturit dhe pa u mbyllur temat e shkëmbimit të të burgosurva dhe gjyqeve për krime lufte. Në të gjitha luftërat mes popujve e kombeve, çdo rinisje bisedimesh mes armiqve kjo temë është nisja e qartësimit…).

E paqartë, prandaj edhe misterioze mbetet shkuarja e Hashimit në SHBA.

E edhepse prej atje, duket i vogël, duket i papeshë kur nga studio e Zërit të Amerikës bën lajmëtarin dhe hokatarin. Sepse s’e thotë shkakun e vërtetë të vajtjes: don të gjejë lobistët e ri (jo për Kosovën sa për veten e tij). Sepse Podesta e Wisner mund të jenë çdo gjë, por jo edhe republikanë!

Përtej kësaj: kur përcjelli Ramushin sesi flet për mediat nga Strasbourg më kujtohet Augustini (Palokaj). Dhe t-shirt e tij në Shkurtin e vitit 2008 ku shkruante “Edhe unë kam shtet”.

Që i bie: përkundër krejt këtij budallallëku të qëllimshëm a jo, edhe Ramushi ka shtet. Sepse kur shoh Konsullin e Kosovës (të cilin s’e kam takuar kurrë, s’e njoh) në Strasbourg- në gjykatë pranë Ramushit apo në bistro me Ramushin, ngado që një lider partie shkon atëherë vazhdoj të mendoj që Kosova është shtet. Që Kosova ka diplomatë.

Dhe i rri mendimit që e kam tash e sa vite: asnjë shtet në rajon nuk ka diplomatë më të zottë sesa që i ka Kosova nëpër botë. Qofshin ata të partive apo jo…

 

 

/Marrë nga Cufaj.com/

Please follow and like us: