Albspirit

Media/News/Publishing

Gjergj Luca: Ky është im atë Ndrekë Luca!

Me rastin e 24 vjetorit të ndarjes nga jeta të ikonës së skenës dhe ekranit, “Artistit të popullit” Ndrekë Luca, i biri, Gjergj Luca tregon 13 janarin 1993, ditën e shuarjes së të atit

“Në një ditë të zakonshme, si gjithë ditët e tjera, u ngrit herët, bëri ritualin e mëngjesit, mori biçikletën, një “bianchi” femrash të zezë të paraluftës së Dytë Botërore, që i shërbeu pothuajse gjithë jetën për të shkurtuar rrugët dhe për të kursyer kohën, futi nën sqetull një trastë dhe doli për të bërë pazarin…

U kthyer rreth orës dymbëdhjetë. Në njërën dorë mbante trastën me ato që kishte blerë, në tjetrën biçikletën dhe ngjiti shkallët deri në apartament. Pas pak vdiq.

Thjeshtë.

Nga një goditje në zemër.”

Këto rreshta janë shkëputuar nga një shkrim i aktorit dhe regjisorit Rikard Ljarja, “Ndrekë Luca, madhështia e thjeshtësisë”.

Pikërisht 24 vjet më parë, në 13 janar 1993, u shua në Tiranë, në moshën 56-vjeçare, në kulmin e pjekurisë artistike dhe në fillimet e demokracisë së ëndërruar, njëri prej aktorëve të shquar të skenës dhe ekranit, “Artisti i Popullit” Ndrekë Luca. Ishte një aktor i  një kalibri të rëndë, me përmasa ndërkombëtare, një intelektual dhe atdhetar i flaktë. Ndreka ka realizuar në skenë dhe ekran figura të papërsëritshme, modele të mjeshtërisë së aktorit, personazhe që të mbesin në kujtesë e që të ngjallin simpati dhe dashuri.

Ja si e kujton atë ditë të zezë për të dhe gjithë artin shqiptar, i biri, Gjergji, në një libër kushtuar të atit, “Madhështia e thjeshtësisë”:

“Më 13 janar 1993 po kthehej në shtëpi, pasi kishte bërë pazarin e përditshëm dhe, porsa hyri në shtëpi, kërkoi një valium.

–         Ç’është ky valium, – i thotë Mimika që po ushqetne vajzën time, – ti nuk e merr natën e jo më ditën.

Im atë nuk ktheu përgjigje, u shtri në divan dhe mbas pak mbylli sytë. Një shoqe e motrës sime, mjeke në urgjencën e lagjes, mbërrtii shumë shpejt dhe i dha ndihmën e parë. Me këshillën e saj u nisëm vetëtimthi për në spital, por Rruga e Dibrës ishte e bllokuar nga një karrocë e përmbysur. Ulërija dhe i bija borisë të më hapnin rrugën. Më në fund kapërceva mbi trotuar e me shpejtësi marramendëse arritëm në spital… E kotë, im atë nuk i hapi më sytë…

Nuk di sa shpejt u përhap lajmi.. Me t’u kthyer në shtëpi dhe gjatë gjithë natës miq, shokë, të afërm, artdashës hynin e dilnin e merrin pjesë në hidhërimin tonë. Në mëngjes erdhën dy punonjës të Presidentit, e duke më dorëzuar ngushëllimet e Presidentit, shtuan: “Në Lidhjen e Shkrimtarëve kanë filluar përgatitjet për t’i bërë të gjitha nderimet që i tkaojnë “Artistit të Popullit…”

–         Ju faleminderit, – tha nëna ime, – Ndreka ka lënë dy amanete: T’i vëmë në kokë qeleshen e dhuruar në Kosovë dhe ta përcjellim nga shtëpia e tij.

–         Na vjen shumë keq, – u përgjigjën me mirësjellje, por është e drejta juaj të vendosni… Shpërndanë mbi trupin e tim eti lulet që kishin me vete, duke e ledhatuar në ballë e u ulën për disa minuta sipas zakonit.

Mbas pak mbërrti Teatri i Shkodrës, shokë të fëmijërisë, miq dhe farefis nga Dukagjini. Serafini (Fanko) nxori nga xhepi një fjongo kuq e zi dhe ia mbërtheu tim eti në gjoks: “Tashti u plotësove, o Ndrekë! Qeleshja e bardhë dhe flamuri. Ky ishe dhe ky do të mbetesh në kujtimin tonë!” Dhe vaji përfshiu gjithë dhomën…

Erdhi ora e përcjelljes…

Arkivoli u mbajt në krahë nga shokë e artëdashës përgjatë gjithë rrugës “Myslym Shyri”, deri në kryqëzimin e Unazës. Kalimtarët ndalonin e përshëndetnin me dhimbje e respekt dhe shumë prej tyre bashkoheshin në kortezhin e gjatë, që mbanin kurorat e lulet e shumta. Varrimi, edhe pse i paorganizuar, kishte një pjesëmarrje të madhe e të larmishme. Kulmni arriti kur varreza oshëtiu nga duartrokitjet, njësoj si në shfaqjet e suksesshme të tim eti…

Tashtu ai nuk është më fizikisht midis nesh. Nuk mund të ngjitet më në skenë, nuk shkon në sheshin e xhirimit, nuk e ndjekin prozhektorët, por ende transmeton e do të transmetojë përherë fuqinë e tij jetësore e artistike ndër personazhet e shumtë të krijuar e intepretuar prej tij.

Ky është im atë Ndrekë Luca!”

Please follow and like us: